Mire se vini ne Forumin Islam Bujanoci
Lusim Allahun s.v.t qe te keni dobi nga vizita juaje
Regjistrohu ose Identifikohu



 
PORTALIForumCalendarGalleryPytësoriKërkoRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 “O TË RINJ, MARTOHUNI”

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Admin
Administratore
Administratore
avatar

Numri i postimeve : 846
Join date : 03/06/2009
Age : 33

MesazhTitulli: “O TË RINJ, MARTOHUNI”   Sat Jan 01, 2011 12:59 pm

Jeta është e paqartë, shpirti është i vetëm dhe njeriu është axhami përderisa nuk martohet.
Martesa nga shumë njerëz përçmohet, megjithëse është një nga ndodhitë më të mira për njeriun. Pse vallë të ndodhë kjo? Shumë të mençur janë munduar t’i japin përgjigje kësaj çështje, ndërsa përgjigjja më e mirë që kam mundur të kuptoj është se ata që flasin ashtu janë ata që i janë rebeluar natyrshmërisë me të cilën na ka krijuar Allahu. Ai rebelim i çoi ata të japin mendimin ndryshe, të thonë se martesa i shton detyrat dhe asgjë tjetër, martesa të burgos dhe të mbyt... vetëm e vetëm të formojnë një shoqëri që nuk i njeh vlerat e familjes dhe shoqërisë njerëzore.

Por realiteti i shumicës së këtyre njerëzve na dëshmon gabimin e tyre, sepse shumë prej tyre tanimë kanë zgjedhur për shok të jetës vetminë, sepse “s’ka grua (burrë) për të”, të tjerë kanë zgjedhur shishen, i treti ndonjë këlysh... por – Zoti na ruajt – ka edhe të atillë, të cilët e shfrytëzuan “lirinë” seksuale dhe tani treten dhe krimben duke pritur vdekjen dita ditës, sepse vetëm atë ditë do të lirohen nga “burgu” famëkeq ndërkombëtar i “AIDS”.
Ky botëkuptim për martesën është i rrezikshëm dhe për muslimanët është i papranueshëm. Përkundrazi Islami e nxit martesën dhe inkurajon formimin e familjes. Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “O të rinj, kush ka mundësi të martohet le të martohet, sepse kështu e ruan më mirë syrin dhe e mbron organin e tij. E kush nuk mundet të martohet, le të agjërojë, sepse agjërimi është mburojë për të”.[1] Ky hadith njëherazi na tregon edhe vlerën e ndershmërisë së besimtarit, të cilën duhet ta ruajë, ose me martesë, ose me agjërim, sepse njeriu pa ndershmëri, nuk di të respektojë e as të ndihmojë, e lëre më të dashurojë. Dikush nga besimtarët e hershëm pati dëshirën të mbetet i pamartuar, me qëllim që të tërë jetën t’ia kushtojnë adhurimit ndaj Allahut. Por i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi qoftë mbi të, i ndaloi nga murgjëria dhe i urdhëroi të martohen, duke ju thënë: “Martoni ato gra që lindin dhe dashurojnë, sepse në Ditën e Kiametit do të krenohem me numrin e madh të umetit tim”.[2]

A është martesa detyrim (farz)

Dispozita për martesën ndryshon varësisht nga gjendja e njeriut:
Është farz për atë njeri, i cili ka mundësi të martohet, ka epsh dhe ka frikë se do të bjerë në zina (lidhje jashtëmartesore). Për këtë njeri është farz martesa, sepse mbrojtja nga harami dhe të qenit i ndershëm janë gjëra të pandara nga besimtari. A nëse nuk ka mundësi materiale të martohet, por ka epsh, atëherë le ta ndihmojë ndershmërinë e tij me agjërim dhe le të lexojë fjalën e Allahut të Lartësuar: “...dhe le të jenë të ndershëm ata që nuk kanë mundësi të martohen derisa Allahu t’u japë pasuri”. (Nur 33). Këtu kemi si qëllim atë që nuk zotëron as kushtet minimale, përndryshe nëse ka një vendbanim modest dhe është i aftë për punë, këtij i themi fjalën e të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem: “Tre njerëz Allahu i mori për detyrë t’u ndihmojë... – ku përmendi – ...dhe ai që martohet për të ruajtur ndershmërinë”.
Është mustehab (e pëlqyer) për atë njeri, i cili ka mundësi të martohet dhe ka epsh, por është i sigurt në vetvete nga rënia në haram. Është e pëlqyer që ky njeri të martohet dhe duhet ta dijë se martesa për të është më e mirë sesa të bëjë ibadete vullnetare dhe gjithashtu nuk duhet të harrojë se murgjëria është rreptësisht e ndaluar.
Është haram (e ndaluar) për atë njeri, i cili nuk ka mundësi të bëjë mbikëqyrjen e të shoqes, ose nuk ka mundësi të ketë marrëdhënie intime me të. E njëjta gjë vlen edhe për atë grua që nuk mundet t’i plotësojë kërkesat e bashkëshortit.
Është mekruh (e urryer) për atë njeri, i cili nuk ka mundësi të bëjë mbikëqyrjen e të shoqes, ose nuk ka mundësi të ketë marrëdhënie intime me të, mirëpo këtë e bëjnë me pajtim dhe informim paraprak. Pra, ka mundësi ndonjë grua që është e pasur, merr përsipër harxhimet shtëpiake dhe pajtohet me paaftësinë e burrit për jetë intime. Kjo martesë është e urryer, për shkak se ata të dy preokupohen me detyra dhe angazhime, prej të cilave nuk do ketë asnjë fryt, madje do t’i privojë edhe nga adhurimi dhe punët e mira.
Është mubah (e lejuar) për atë njeri, i cili s’ka asnjë pengesë të martohet, por as që e tërheq martesa.

Para fejesës
“Martesën me një grua e bëjnë katër gjëra: pasuria, soji, bukuria dhe feja. Merre atë që është me fe, të lumshin duart”.[3] Le të jetë ky hadith parimi jonë, kur jemi duke kërkuar njeriun me të cilin duam të ndajmë jetën së bashku. Shumë gjëra me të cilat ndeshet familja, nuk i zgjidh dot pasuria, as soji e as bukuria. Prandaj kërko dhe lute Allahun të ta mundësojë gjetjen e asaj/atij, që i është përkushtuar respektimit të Allahut.
Nëse këtë e gjen, atëherë është mirë (sunet) që ta shikosh atë, sepse Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju dëshiron ta fejojë një grua dhe ka mundësi të shohi nga ajo diçka që do ta tërhiqte për martesë, le ta bëjë pra”.[4]
Kushtet që lejojnë shikimin e një femre janë:
1. Të bëhet në prani të dikujt, një të treti, pra, të mos jenë vetëm ata të dy.
2. Të mos bëhet me epsh, e nëse e shikon me epsh ai ka bërë haram, sepse qëllimi i këtij shikimi është ta njohë pamjen e saj, e jo t’i kënaqë sytë.
3. Të besojë në një përgjigje pozitive nga ajo dhe prindi i saj.
4. Të shikojë ato pjesë që i shfaq ajo zakonisht para anëtarëve të familjes së saj, sikurse fytyra, qafa, duart dhe të ngjashme.
5. Të jetë serioz dhe i vendosur ta bëjë këtë fejesë, por ama, nëse bredh nga një shtëpi në një tjetër për të shikuar gra, kjo nuk është e lejuar.
6. Kjo vlen për gratë. Kur të dali para tij, nuk guxon të dali e zbuluar, e zbukuruar dhe e parfumuar, sepse nuk është ky qëllimi, pra, ta tërheqësh dhe ta hutosh atë me zbukurimet dhe parfumet e tua.[5]
Nëse i pëlqen dhe djaloshi e zyrtarizon kërkesën e tij deri te prindi i vajzës, atëherë vajzës dhe prindit (përgjegjësit) të saj i përkujtojmë hadithin: “Nëse ju vjen (për t’ju kërkuar) ndonjëri me moral dhe përkushtim ndaj fesë, gjëra të cilat ju pëlqejnë, atëherë martojeni, përndryshe, do të bëhet fitne në tokë dhe çrregullime të gjera”.[6]

Rregullat e vënies së kurorës
Që kurora (nikahu) të jetë i vlefshëm duhen plotësuar këto rregulla:
1. Ata që do të martohen duhet të jenë pajtuar me njëri-tjetrin e kurrsesi të detyruar. Këtë na e mëson i Dërguari, paqja dhe lavdërimi qoftë mbi të: “E veja martohet vetëm nëse ajo kërkon, kurse beqarja martohet vetëm nëse ajo lejon”.[7]
2. Nëse gruaja pajtohet, gjithashtu duhet të pajtohet patjetër edhe prindi i saj, përndryshe kurorëzimi mbetet i pavlefshëm.
3. Prania e dëshmitarëve. Pra, në çastin që prindi i vajzës (përgjegjësi) apo i autorizuari nga ai, ia drejtojnë ofertën djalit apo dikujt të autorizuar nga ai (me këtë përmbajtje p.sh. A do ta martojë Abdullahu i biri i Muhamedit, Ajshen të bijën e Bujarit?), dhe ai pranon (me këto fjalë p.sh. Po, do ta martojë; Po, pranoj), duhet të jenë të pranishëm së paku dy dëshmitarë të drejtë muslimanë dhe të rritur. Prania e këtyre dëshmitarëve është e domosdoshme, përkundrazi kurorëzimi mbetet i pavlefshëm. Argument për këtë kusht dhe kushtin para këtij është hadithi: “Nuk ka kurorëzim të vlefshëm pa u pajtuar përgjegjësi dhe pa qenë të pranishëm dy dëshmitarë të drejtë”.[8]
4. Mehri ose dhurata e kurorëzimit. Ajo është një pasuri që burri detyrohet t’ia japë gruas për shkak të kurorëzimit me të. Mehri është detyrim që duhet plotësuar dhe jo anashkaluar. Allahu i Lartësuar thotë: “...dhe jepuni me gjithë zemër grave tuaja dhuratën e kurorëzimit”. (Nisa 4). Sasia e mehrit nuk është e kufizuar, por parapëlqehet të mos jetë ndonjë shumë e madhe, që do t’ia vështirësonte burrit pagesën. Pagesa e mehrit mund të bëhet menjëherë pas kontratës së kurorëzimit, ose të vonohet deri në një afat të caktuar. Kur ta bëjë bashkëshorti këtë pagesë, mehri mbetet pronë e gruas dhe të drejtën e shfrytëzimit të asaj pasurie nuk e ka askush tjetër pos saj, as babai e as burri i saj.
Pas plotësimit të këtyre rregullave themi se ata të dy janë burrë e grua, të cilët së shpejti do të bëjnë dasmën dhe kështu do të shpallin martesën e tyre.

Disa çështje me rëndësi
- Pas kurorëzimit dhe para dasmës çfarë u lejohet atyre të dyve?
Nëse një burrë dhe grua i plotësojnë këto kushte që përmendëm deri tani, ata konsiderohen bashkëshort dhe bashkëshorte. Mes tyre është e lejuar gjithçka: shikimi, vetmia, ledhatimi dhe marrëdhëniet intime[9], sepse Allahu subhanehu ue teala, ka thënë: “...dhe ata që i ruajnë organet e tyre përveç ndaj bashkëshortëve/eve të tyre”. Bashkëshortësia mes tyre është e vërtetuar që nga kurorëzimi i tyre, prandaj nëse njëri prej bashkëshortëve vdes pas kurorëzimit, e drejta e trashëgimisë i pohohet tjetrit edhe pse ende nuk e kishin bërë dasmën.
Tek ne, këtu kam si qëllim Ballkanin në përgjithësi, besimtarët e kanë zakon të bëjnë dallim midis shpalljes së kurorëzimit dhe shpalljes së dasmës dhe vetëm pas kësaj të dytës iu lejohen marrëdhëniet intime. Këtë dallim e kanë bërë jo pse ka ndonjë argument, por me qëllim që të mbetet një hapësirë kohore derisa burri të përgatisë shtëpinë e tij dhe gruaja çejzin e saj. Pra, tanimë tek ne njohim fejesë (kurorëzimi) dhe martesë (dasma). Përderisa është kështu, themi se ata nuk duhet të kenë marrëdhënie intime, për shkak të problematikave që mund të lindin, sikurse shtatzënia, akuzat ndaj femrës – sepse jo të gjithë e njohin se është gruaja e këtij personi.

- Nëse një çift bashkëshortor jomuslimanë bëhen muslimanë
Ibën Kudame ka thënë: “Kurorëzimet e jobesimtarëve janë të vlefshme dhe nëse ata pranojnë Islamin, kurorëzimet e tyre nuk përsëriten... nuk ka nevojë të shikohet sesi e kanë bërë kurorëzimin, a i kanë plotësuar kushtet ose jo... për këtë nuk ka asnjë divergjencë në mes myslimanëve. Ibën AbdulBeri ka thënë: Dijetarët pajtohen njëzëri për rastin nëse një çift e pranojnë njëherazi Islamin, se kurorëzimi i tyre është i vlefshëm, përveç nëse janë familje nga gjaku ose gjiri...”.

- Regjistrimi i kurorëzimit zyrtarisht
Për të qenë një martesë e vlefshme duhen plotësuar ato që përmendëm më lart: pajtimi i bashkëshortëve, leja e përgjegjësit të gruas, prania e dy dëshmitarëve dhe dhënia e mehrit. Pas plotësimit të këtyre, kurora e tyre quhet e vlefshme. Ndërsa regjistrimi zyrtar bëhet për shkak të shfrytëzimit të disa të drejtave zyrtare. Pra, nëse merren vesh që kurorëzimi të mbetet vetëm ashtu si thamë ndërsa regjistrimin do ta bëjnë më vonë, kjo nuk prish asgjë. Por të bëhet regjistrimi sa më parë është më mirë, sepse nuk i dihet situatave, ku doemos duhet të kesh certifikatën e kurorëzimit.

- “Kurorëzimi formal”
Me kurorëzim formal kam si qëllim ato kurorëzime, që në realitet nuk janë kurorëzime, por janë vetëm certifikatë, bojë mbi letër. Kurorëzohen në letër, por në realitet ata s’janë burrë e grua, nuk jetojnë bashkë, madje ndoshta edhe nuk njihen. Këto ndodhin zakonisht për përfitime materiale, për të regjistruar ndonjë firmë, për të fituar ndonjë dokument, për t’i mundësuar një gruaje udhëtimin në ato shtete që nuk lejojnë hyrjen e tyre pa shoqërues familjar (mahrem), ose për ndonjë shkak tjetër.
Kjo gjë është tallje me ligjet fetare dhe nuk lejohet të bëhet e as t’i ndihmohet atij që e bën.[10] E njëjta gjë vlen edhe për “shkurorëzimin formal”, i cili gjithashtu bëhet për shkaqe të ngjashme. Njoh personalisht njerëz që kanë bërë shkurorëzimin formal, me qëllim që të shfrytëzojnë ndihmën sociale nga shteti dhe lehtësimet shëndetësore. Këta i përkujtojmë: Kurora e një familje është më e shtrenjtë, sesa këto përfitime materiale. Ndërsa Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Si është puna me disa njerëz që luajnë me ligjet e Allahut dhe tallen me ajetet e Tij: të shkurorëzova, të ktheva, të shkurorëzova, të ktheva”.[11]

- Martesa pa pëlqimin e përgjegjësit të gruas
Nëse një burrë dhe një grua kanë pasur lidhje jashtëmartesore dhe pastaj janë penduar dhe janë martuar pa pëlqimin e përgjegjësit të gruas, ndërsa përgjegjësi tanimë nuk ka asgjë kundër kësaj martese, madje ka edhe raporte të mira me dhëndrin, themi se ata të dy duhet ta përsërisin kurorëzimin, në atë formë sikurse e treguam më lart.

- Nëse babai refuzon dikë që ajo e do
Besimtari dhe besimtarja fillimisht duhet të kenë kujdes nga nëpërkëmbja e ligjeve të Allahut, të mos shikojnë burra/gra të huaja, të mos rrinë së bashku burra e gra, të mos lidhin kontakte në mënyrë të palejuar... Por nëse ndodh që një vajzë e sheh një djalë dhe me shikim të parë dashurohet me atë, pastaj ai djalë vjen te përgjegjësi i kësaj për ta kërkuar këtë vajzë, por përgjegjësi refuzon, ai refuzim duhet respektuar. Lejohet që kjo vajzë të kërkojë metoda të ndryshme për ta bindur përgjegjësin e saj, por nëse sërish nuk pajtohet, ajo nuk ka të drejtë të martohet pa lejen e tij.
Por dashuria? Shumica e njerëzve me përvojë thonë se dashuria është ajo që lind pas martesës, pasi të kalojë një kohë më e gjatë. Ndërsa këto “dashuri” që paraqiten para se të bashkëjetojnë, ato nuk janë më shumë sesa pëlqim dhe mahnitje me pamjen e tij/asaj.
Sidoqoftë nëse për një vajzë kjo quhet fatkeqësi, i themi: Mos u mërzit, nuk është fatkeqësi e madhe, sepse fatkeqësia më e madhe është fatkeqësia në Fe, Allahu na ruajt të gjithëve. Besimtari e di se kjo botë është vend i sprovave dhe çdoherë që i përjeton sprovat faqebardhë, ai shpreson në shpërblimet e panumërta nga Allahu i Madhëruar. Kur vdiq Ebu Seleme, bashkëshorti i Umu Selemes, ajo u mërzit shumë, ndërsa i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, i mësoi asaj këtë lutje: “O Zot më jep shpërblime nga kjo fatkeqësi (që më goditi) dhe ma zëvendëso me diçka më të mirë”; ajo e bëri këtë lutje dhe tha: Si mund të ketë më të mirë se Ebu Seleme?! Por pas pak kohe në derën e saj trokiti Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, dhe e kërkoi për grua, dhe ajo pranoi. Kështu Allahu iu përgjigj lutjes së saj të sinqertë dhe këtë ia sugjerojmë çdo besimtari dhe besimtareje, që e ka goditur ndonjë fatkeqësi.
--------
Literatura e konsultuar:
1. Muhamed b. Ismail esSan’ani, “Subulus selam el musile ila bulugil meram”
2. Abdullah Alu Bessam, “Teudihul Ahkam min bulugil meram”
3. Sejjid Sabik, “Fikhus sunne”
4. Muhamed b. Uthejmin, “Sherhul Mumtië ala Zadil Musteknië”
5. “el-Fetava el-Xhamia lil mer’etil muslime”
6. Ibën Tejmije “Mexhmuatul Fetava”
7. Muhamed Salih Munexhid, “Islami, pyetje dhe përgjigje” (www.islamqa.net)
8. Grup autorësh, “Shpjegim i shkurtër i legjislaturës Islame”



--------------------------------------------------------------------------------

[1] Buhariu nr. 1905; Muslimi nr. 1400
[2] Ahmedi 3/158
[3] Buhariu nr. 5090
[4] Sahihul Xhamië nr. 506 – hasen.
[5] Këto kushte i ka përmendur dijetari Muhamed b. Uthejmin në librin “Sherhul Mumtië” 12/22
[6] Sahih Ibën Maxhe nr. 1614 – hasen.
[7] Sahih Ibën Maxhe nr. 1537
[8] Sahihul Xhamië nr. 7557
[9] El Fetaval xhamiah lil mer’etil muslime 2/540
[10] Islami, pyetje dhe përgjigje – Muhamed Salih el-Munexhid. (www.islamqa.net)


Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.bujanoci.org
 
“O TË RINJ, MARTOHUNI”
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Profetet e rinj pa mjeker,por me diploma terrori..!

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 :: Rregullorja :: Temat per portal-
Kërce tek: