“Vërtet, Ebu Usameja ka qenë më i dashur te Pejgamberi i Allahut se babai yt, madje më i dashur se ti...”
(Fjala që i tha El Faruku birit të vet)
Tani jemi në vitin VII para hixhretit, në Mekë.
I Dërguari i Allahut po vuan nga keqtrajtimet e kurejshitëve ndaj atij dhe shokëve të tij.
Ai mban në vete një dëshirë të madhe për thirrje në fenë islame, por është i vetëdijshëm për pasojat që do të dalin prej saj, që i solli jetës së tij një sërë dëshpërimesh dhe tragjedish të njëpasnjëshme.
Por në jetën e tij shkëlqyen ca vezullime gëzimi.
Një lajmëtar e lajmëroi se “Ummu Ejmen” kishte lindur djalë. Tiparet e fytyrës së Pejgamberit të Allahut shëndritën nga gëzimi me rastin e lindjes së këtij fëmije edhe fytyra e tij fisnike shkëlqeu.
A thua kush është ky djalë fatlum, lindja e të cilit e ngazëlleu aq shumë Pejgamberin e Allahut?! Ai është Usame ibnu Zejdi.
Asnjë prej shokëve të Pejgamberit të Allahut nuk u habit për gëzimin që shprehu ai për të posalindurin, duke marrë parasysh respektin që e gëzonin prindërit e fëmijës te Pejgamberi dhe afrinë e të dyve me të. Nëna e fëmijës ishte “Berekat‑ul‑Habeshij‑je”, e njohur me emrin “Ummu Ejmen”.
Ajo ishte robëreshë e Emines, bijës së Vehebit, nënës së Pejgamberit të Allahut. Ajo e kishte rritur atë sa ishte gjallë Eminia. Pas vdekjes së Emines, ajo përkudesej për të. Ky i hapi sytë në këtë botë duke mos njohur askë tjetër përveç asaj si nënë të vet.
Ai e donte atë me gjithë zemër dhe aq shumë, saqë thonte:
“Ajo është nëna ime, pas nënës që më ka lindur dhe pas anëtarëve të tjerë të familjes sime.”
Kjo është nëna e fëmijës fatlum, e babai i tij është “i dashuri” i të Dërguarit të Allahut, Zejd ibnu Harithi, djali i tij i adoptuar para shpalljes së fesë islame. Zejdi ishte shok, besnik i fshehtësive të tij dhe anëtar i familjes, më i dashuri nga të gjithë njerëzit para ardhjes së fesë islame.
Muslimanët nuk i ishin gëzuar aq shumë, kurrë më parë, lindjes së ndonjë fëmije, siç u gëzuan për lindjen e Usame ibnu Zejdit. Ky gëzim pikasej tek ata për arsye se çdo gjë që e gëzonte Pejgamberin, i gëzonte edhe ata. Çdo gjë që ia kënaqte shpirtin atij, i ngazëllente njëkohësisht edhe ata.
* * *
Prandej, fëmijës fatlum i dhanë ofiqin “i dashuri” dhe “biri i të dashurit”.
Muslimanët nuk e tepruan kur e emëruan me këtë nofkë fëmijën e vogël, Usamen, ngase atë e donte Pejgamberi i Allahut me një dashuri që këtij fëmije ia ka lakmi tërë bota. Usameja ishte afër në moshë me të birin e bijës së Pejgamberit, Hasan ibnu Fatimete Ez‑zehra.
Hasani ishte flokëbardhë, shumë i bukur dhe i përngjante shumë gjyshit të tij, të Dërguarit të Allahut.
Usameja ishte flokëzezë, me hundë të rrafshët dhe i përngjante shumë nënës së tij etiopiane. Por, Pejgamberi a.s. nuk bënte dallim mes tyre kur i ledhatonte. Usamen e merrte dhe e vënte në njërën, ndërsa Hasanin në anën tjetër të prehërit, pastaj i shtrëngonte në gjoks dhe thoshte:
“Për Allahun, unë i dua që të dy.”
Dashuria e Pejgamberit ndaj Usames u vu në dukje një ditë kur ai u rrëzua në prag të derës, çau ballin dhe nga plaga që mori zuri t’i rrjedhë gjak. Pejgamberi i tha Aishes r.a. që t’ia ndalë gjakun nga plaga, por ajo nuk pati mirësinë t’ia ndalë atë. Ndaj Pejgamberi a.s. u ngrit dhe zuri t’ia thajë dhe t’ia shtrydhë plagën duke i folur fëmijës fjalë të ëmbla dhe fjalë dhembshurie.
* * *
Ashtu siç e donte Pejgamberi a.s. Usamen në fëmijëri, po ashtu e donte edhe në rini.
Hakim ibnu Hazami i dhuroi një parie të kurejshitëve një pallto të shtrenjtë për të Dërguarin e Allahut, të cilën e kishte blerë në Jemen, për pesëdhjetë dinarë të arit. Ajo kishte qenë e “Dhi Jezenit”, njërit nga mbretërit e Jemenit.
I Dërguari i Allahut refuzoi të pranojë dhuratën e tij, ngase atëherë ai ishte politeist dhe e mori vetëm pasi e pagoi.
Pejgamberi fisnik e pati veshur atë një ditë të premte, pastaj e zhveshi për t’ia dhënë Usame ibnu Zejdit. Ai bridhte poshtë e lart, veshur me të, në mes moshtarëve mërgimtarë dhe ensarë (ndihmës).
* * *
Kur Usame ibnu Zejdi arriti moshën e pjekurisë, në të pikasej karakteri fisnik dhe cilësitë e larta, të cilat bënin meritor që Pejgamberi i Allahut të ushqejë dashuri ndaj tij. Ai ishte i mençur dhe mjaft inteligjent, trim që s’e kishte shoqin, i urtë dhe çdo sendi ia gjente vendin e vet.
Ishte virtuoz, modest dhe kategorik ndaj çdo vepre të shëmtuar, shok i ngushtë dhe besnik që e donin njerëzit, i devotshëm dhe i matur që e donte Allahu.
Në betejën e Uhudit, Usame ibnu Zejdi me disa nga fëmijët e sahabëve të Pejgamberit, të cilët dëshironin të shkonin në luftë në rrugë të Allahut, u paraqitën te Pejgamberi. Ai mori prej tyre atë që mori dhe ktheu çka ktheu për shkak të moshës së tyre të re. Në grupin e të refuzuarve ishte edhe Usame ibnu Zejdi. Nga sytë e tij të vegjël vërshonin lotët për shkak të dëshpërimit që nuk do të luftojë nën flamurin e të Dërguarit të Allahut.
Në betejën e Hendekut erdhi po ashtu edhe Usame ibnu Zejdi, e me të ishin disa nga djemtë e sahabëve të Pejgamberit. Ai filloi të çohet në majë të gishtërinjve për t’u dukur i madh që ta lejojë Pejgamberi i Allahut të shkojë në luftë. Pejgamberit a.s. e ledhatoi atë dhe i lejoi të shkojë me ta.
Ai vetëm e mori shpatën për të luftuar në rrugën e Allahut kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç.
* * *
Në betejën e Hunejnit, kur u mposhtën muslimanët, Usame ibnu Zejdi qëndroi i patundur me Ab‑basin, xhaxhain e Pejgamberit, me Ebu Sufjan ibnu Harithin, djali i xhaxhait dhe me gjashtë persona të tjerë nga shokët e Pejgamberit fisnik. Pejgamberi a.s. arriti që, me këtë grup të vogël të besimtarëve trima, disfatën e shokëve të vet ta shndërrojë në fitore dhe t’i mbrojë muslimanët që iknin për të mos u vrarë nga politeistët.
* * *
Në betejën e Mutehës, Usameja luftoi nën flamurin e Zejd ibnu Harithit, kur ishte më pak se tetëmbëdhjetë vjeç. Ai pa me sytë e vet vrasjen e babait, as nuk bëri vër e as u dekurajua, por vazhdoi të luftojë nën flamurin e Xhafer ibnu Ebi Talibit gjersa u vra (Xhaferi) para syve, pastaj luftoi nën flamurin që e mbante Abdullah ibnu Revaha, gjersa edhe ai iu bashkua dy shokëve dëshmorë. Më pas luftoi nën flamurin e Halid ibnu Velijdit kur e shpëtoi ushtrinë e tij të vogël nga kthetrat e bizantinëve.
Pastaj Usameja u kthye në Medinë, duke e lënë trupin e babait të tij të pastër në kufijtë e Shamit dhe duke e kalëruar kalin e tij, mbi të cilin ai kishte rënë dëshmor, me bindje të fortë se babai i tij do të marrë shpërblimin e merituar tek Allahu.
* * *
Në vitin XI të hixhretit, Pejgamberi fisnik urdhëroi të përgatitet ushtria për të luftuar bizantinët. Për këtë luftë angazhoi Ebu Bekrin, Omerin Sead ibnu Ebi Vek‑kasin, Ebu Ubejden, ibnu Xherrahun dhe pleqtë e tjerë nga shokët e vet. Në krye të ushtrisë emëroi Usame ibnu Zejdin, e ai ende nuk i kishte mbushur të njëzetat. E urdhëroi për ta shkelur kufirin e “El‑Belka” dhe kështjellën e “Ed‑Derumit”, që gjendej afër Gazës, në territorin bizantin.
Ndërsa ushtria përgatitej për luftë, Pejgamberi i Allahut u sëmur.
Kur e rëndoi sëmundja, ushtria muslimane ndërpreu udhëtimin duke pritur se si do të shkojë gjendja shëndetësore e Pejgamberit të Allahut, Usama tha:
- Kur e rëndoi sëmundja Pejgamberin e Allahut, edhe unë shkova tek ai me shokë, hyra (në dhomën e tij) dhe pashë se po heshtte e nuk fliste nga lodhja që i kishte shkaktuar sëmundja e rëndë. Ai nisi ta ngrejë dorën lart e pastaj e vuri atë mbi trupin tim. Ndaj kuptova se po më thërriste.
Pastaj, posa ndërroi jetë Pejgamberit a.s., udhëheqjen e mori Ebu Bekri, i cili urdhëroi që të kryhet misioni i Usames.
Megjithatë, një grup i ensarëve e panë të arsyeshme ta vonojnë ekspeditën dhe kërkuan nga Omer ibnul Hattabi që të bisedojë me Ebu Bekrin lidhur me këtë çështje. Ata i thanë:
- Nëse insiston të nisemi për luftë, njoftoje Ebu Bekrin se ne duam që ai ta angazhojë për këtë mision një njeri më të vjetër se Usamen.”
Me të dëgjuar këto fjalë të ensarëve nga Omeri r.a., Ebu Bekri brofi në këmbë, nga vendi ku ishte ulur, e kapi për mjekrre El Farukun dhe i tha me zemërim:
- Mos të pastë nëna jote dhe mos të mbajtë me mall, o ibnu Hattab!... (Këtë shprehje e përdorte Pejgamberi a.s.) A po më urdhëron që ta largoj unë?
Për Allahun, ajo punë s’do të bëhet!
Kur u kthye Omeri te njerëzit, ata e pyetën se ç’kishte bërë, e ai iu përgjigj:
- Nisuni, he mos u paçin nënat tuaja, se unë përjetova çmos nga halifi i Pejgamberit për shokun tuajin.
* * *
Kur u nis ushtria nën komandën e komandantit të saj të ri, atë e përcolli halifi i Pejgamberit të Allahut duke ecur në këmbë, ndërsa Usama ishte hipur në kalë dhe tha:
- O Halif i të Dërguarit të Allahut!
Për Allahun, gjithsesi ti duhet të hipësh në kalë e unë do të zbres!
Ebu Bekri i tha:
- Për Allahun, as nuk po zbret, e as po hipi... se s’është kjo detyrë për mua, të pluhrosi këmbët e mia në rrugën e Allahut as për një çast! Pastaj i tha Usames: - Allahu qoftë me ty, të mbroftë fenë, amanetin tënd dhe të ndihmoftë në përfundimin e misionit tënd! Po të porosis që ta kryesh atë për të cilën të ka urdhëruar i Dërguari i Allahut. Pastaj ia bëri me dorë dhe tha:
- Nëse mendon se më ndihmon me Omerin, atëherë lejoje të mbetet me mua. Ndaj Usameja lejoi që Omeri të mbetet.
Usame ibnu Zejdi u nis. Ai i kreu të gjitha ato detyra për të cilat e kishte urdhëruar i Dërguari i Allahut. Kuajt e muslimanëve i shkelën kufijtë e “Belkas” dhe kështjellën “Ed‑Derum” në tokën palestineze dhe ua hoqi frikën nga zemrat e muslimanëve. Ai trasoi rrugën para tyre për të çliruar tokat e Shamit, Egjiptit dhe Afrikën Veriore në tërësi deri në Oqeanin Atlantik.
Pastaj Usama u kthye kaluar në shalë të atit në të cilin ra dëshmor i ati, duke sjellë me vete plaçka lufte në sasi të mëdha, saqë ishte vështirë caktimi i vlerave të tyre, derisa njerëzit thanë:
- Nuk është parë deri më sot ushtri më komplete dhe më e pasur se ushtria e Usame ibnu Zejdit!
Sa ishte gjallë Usame ibnu Zejdit i doli nami si njëri nga muslimanët më të shquar dhe më të dashur. Për hir të jetësimit të asaj për të cilën e kishte urdhëruar i Dërguari i Allahut dhe në sajë të madhështisë dhe personalitetit të tij të gjithë muslimanët e donin.
El Faruku i caktoi një pagë Usames, e cila ishte më e madhe se e birit të vet, Abdullah ibnu Omerit. Abdullahu i tha babait të vet:
- O baba, i ke caktuar Usames katër mijë e mua më ke caktuar vetëm tre mijë (dinarë). Babai i tij nuk ka qenë më i rëndësishëm sesa ke qenë ti, edhe ky (Usameja) nuk është më i vlefshëm sesa unë.
El Faruk‑u iu përgjigj:
- Shkove larg... Babai i tij ka qenë më i dashur tek i Dërguari i Allahut sesa babai yt dhe ai ishte më i dashur te Pejgamberi i Allahut sesa ti.
Atëherë Abdullah ibnu Omeri u kënaq me pagën që i ishte caktuar.
Kur takohej Omer ibnul Hattabi me Usame ibnu Zejdin thoshte:
- Mirësevjen prijësi im..., e kur vërente dikë se po habitej me sjelljen e tij ndaj Usames, ai thoshte:
- I Dërguari i Allahut a.s. ma ka caktuar atë për prijës.
Qofshin në mëshirën e Allahut këta shpirtëra të mëdhenj, se historia nuk njeh njerëz më të mëdhenj, më të përsosur dhe më fisnikë se sahabët e Pejgamberit të Allahut!