Mire se vini ne Forumin Islam Bujanoci
Lusim Allahun s.v.t qe te keni dobi nga vizita juaje
Regjistrohu ose Identifikohu



 
PORTALIForumCalendarGalleryPytësoriKërkoRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 TRINITETI DHE VËRTETËSIA E TIJ (Pjesa e trete)

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Admin
Administratore
Administratore
avatar

Numri i postimeve : 846
Join date : 03/06/2009
Age : 33

MesazhTitulli: TRINITETI DHE VËRTETËSIA E TIJ (Pjesa e trete)   Tue Dec 29, 2009 12:46 am


Triniteti dhe vërtetësia e tij (3)
Rreth citateve të doktrinës së trinitetit



Senad Maku




v Biri i vetëmlindur. (Gjoni 1:14/ 3:16,18)



Bibla e quan Jezusin “Birin e vetëmlindur” të Perëndisë. (Gjoni 1:14/ 3:16,18) Trinitarët thonë se pasi Perëndia është i përjetshëm, po ashtu edhe i biri i Perëndisë është i përjetshëm. Mirëpo, si është e mundur që një person të jetë bir, e ndërkohë të ketë të njëjtën moshë me të Atin?

Trinitarët pohojnë se në rastin e Jezusit “i vetëmlindur” do të thotë që Jezusi vetë u lind, që vetë Zoti është i vetëmlindur! Përse atëherë Bibla e përdor të njëjtën fjalë greke, për fjalën “i vetëmlindur” për të përshkruar marrëdhënien e Isakut me Abrahamin? Sipas Biblës-shkrimeve të shenjta te libri i Hebrenjve 11:17 tregon për Isakun si bir “i vetëmlindur[1]” i Abrahamit. [2] A mund të themi edhe për Isakun se është Zot, pasi që e njëjta fjalë si te Jezusi, ashtu edhe tek Isaku është fjala greke, për fjalën “i vetëmlindur”. Fjala greke bazë e përkthyer “i vetëmlindur” e përdorur në rastin e Jezusit dhe të Isakut, është MO-NO-GE-NES. Kështu monogenes përcaktohet si: “I vetëmlindur” që d.m.th. “bir i vetëm”. (A Greek and English Lexicon of the New Testament, nga E. Robinson)[3]



v Jezusi nuk është prej kësaj bote. (Gjoni 8:23)



Në ungjillin e Gjonit 8:23 thuhet se Jezusi ka pohuar: Dhe ai u tha atyre:

“Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart; ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote”.

Kjo thënie është në kundërshtim me realitetin; sepse Isai a. s. (Jezusi) ishte nga kjo botë, por ata e komentuan në atë mënyrë që ta argumentojnë hyjninë e tij, e ky komentim është i pavend në dy aspekte:

a) Sepse është në kundërshtim me argumentet logjike dhe me tekstet definitive.

b) Sepse Jezusi i tha këto fjalë edhe për nxënësit e tij, por askush nuk tha se ata ishin zota. [4]

Shih te Gjoni 17:14-16, ku të njëjtat fjalë që i ceku në citatin e mësipërm, i cek edhe për nxënësit e tij:

“Unë ua kam dhënë atyre fjalën tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës. Unë nuk kërkoj që ti t`i heqësh nga bota, por që ti t`i mbrosh nga i ligu. Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota”.



v Emanuel – Zoti me ne. (Isaia 7:14 / Mateu 1:23)



Po ashtu është edhe një citat tjetër biblik ku të krishterët mundohen që ta argumentojnë hyjninë e Jezusit, me fjalët e një profeti të quajtur Isaia, i cili në librin e tij në Dhiatën e Vjetër bëri një profeci, në të cilën, mes tjerash, tha: “Prandaj vetë Zoti do t`ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.” (Isaia 7:14)

Lidhur me këtë citat shumë teologë të krishterë, pas analizimit, kanë dhënë mendimet e tyre për domethënien e këtij pasazhi biblik, duke e komentuar në bazë të origjinalitetit të këtij citati. Autorët e Dhiatës së Re kanë cituar shpesh pasazhe nga Dhiata e Vjetër, të cilat, sipas tyre, janë profeci të përmbushura në personin e Jezu Krishtit[5]. Numri i këtyre pjesëve të cituara është vërtet i madh. Ndërmjet ungjillorëve, Mateu është ai që e ka bërë këtë dukuri karakteristikë të ungjillit të tij.

Kjo profeci e Isaias aludohet në ngjarjen që ka ndodhur me mbretin arameas Rezin nga Damasku (Siria) dhe mbretin Pekah të Izraelit (Efraim: mbretëria e veriut) që organizuan një revoltë ndaj superfuqisë së asaj kohe, Asirisë. Mbreti Ashaz refuzoi të bashkohej me ta dhe për këtë arsye ata u kthyen kundër tij, e rrethuan Jerusalemin dhe u përpoqën ta rrëzonin nga froni e ta vendosnin një vasal në fronin e Judah. Mbreti Ahaz, për ta shpëtuar veten, mendoi t’i kërkonte ndihmë mbretit Tiglath-Pileser nga Asiria. Në këtë moment Isaiah ia ndaloi mbretit ta bënte këtë gjë, sepse e dinte mirë se pasi që mbreti asirian t’i shkatërronte armiqtë e ata gjithashtu do ta shndërronin Judenë në një shtet vasal. Mbreti veproi në këtë mënyrë, por rreziku i shkatërrimit nga armiqtë e tij ishte ende shumë i madh. E gjithë kjo ndodhte rreth viteve 735-734 p.e.s., kurse mbreti Ahaz dhe populli i tij ishin shumë të frikësuar. Atëherë Zoti ia dërgoi Isaian për t’i siguruar për atë se ata “dy mbretër” nuk do të mund ta çonin deri në fund pushtimin e tyre. Pjesa më e rëndësishme e këtij rrëfimi, të paktën për ne, vjen kur Zoti dëshiron ta japë një “shenjë” për ta qetësuar mbretin Ahaz. Mirëpo, Ahazi nuk dëshiron ta tundonte Perëndinë dhe në këtë mënyrë ai refuzoi t’ia kërkonte Zotit një shenjë. Zoti vetë këmbënguli, duke e bërë Isaian që të thotë: “Prandaj vetë Zoti do t’ju japë një SHENJË: “Ja, një GRUA E RE do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajë Emanuel. Ai do të hajë ajkë dhe mjaltë derisa të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën. Por para se fëmija të mësoj të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën, vendi që ti i druhesh për shkak të dy mbretërve të tij, do të braktiset”. (Isaia 7:14-16)

Siç shihet, kjo profeci është plotësuar gjatë jetës së Ahazit dhe jo disa shekuj më vonë, siç dëshiron të na bëjë të besojmë Mateu, sepse shenja e dhënë kishte si qëllim të qetësonte mbretin Ahaz dhe popullin e tij nga frika prej armiqve. Pasi Perëndia i tha Ahazit që ta kërkonte një shenjë për t’i treguar se ai ishte me të dhe popullin e tij dhe pas refuzimit të këtij të fundit për ta tunduar Perëndinë, atëherë vetë Zoti e mori iniciativën dhe i tregoi Ahazit për Emanuelin.

Para se ky fëmijë ta arrinte pjekurinë, mbretërit që e terrorizonin popullin e Ahazit, do të shkatërroheshin. Pra, mbretërit që frikësonin Ahazin u shkatërruan shumë shekuj para lindjes së Jezusit. Informacioni sipas të cilit ky fëmijë do të hajë ajkë dhe mjaltë derisa të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe ta zgjedhë të mirën, është një tjetër element, i cili e identifikon këtë fëmijë me situatën aktuale që po e kalonte Judah në atë kohë, ku ajka dhe qumështi për një populli agrar, formonte përbënin ushqimin bazë të tij. Këto trajta njerëzore e vendosin fëmijën në kohën kur kjo profeci është kryer. “Zbatuar ndaj Mesisë, ajo duket e papërshtatshme dhe e tepërt”.[6]

Kjo do të thotë që profecia u plotësua shumë kohë para lindjes së Jezusit (krahaso 2 Mbretërve 15: 27-29; 16: 1 e më poshtë; 2 Kronikave 28:1 e më poshtë). Pra, në këtë profeci nuk ka vend për Jezusin dhe nënën e tij të ndershme.

Nëse bëhet një krahasim tjetër ndërmjet teksteve biblike, lidhur me lindjen e Jezusit dhe emrin e tij, mund t’i referohemi po ashtu Mateut 1:20, ku tregon se si një engjëll iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe urdhëronte Jozefin që ta merrte për grua Marinë dhe djali që do të lindte është një ngjizje prej frymës së shenjtë, ndërsa fëmija do të quhej Jezus: “Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjëll i Zotit dhe i tha: ``Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç`është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë”, dhe “por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus”. (Mateu 1:25) Ndërsa në citatet e ungjillit të Llukës, shohim se Engjëlli iu shfaq Marisë dhe e lajmëroi se do të mbetej shtatzënë dhe se do ta lindte një djalë që do t’ia vinte emrin Jezus: “Dhe engjëlli i tha: ``Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t`ia vesh emrin Jezus”. (Luka 1:30-31)

Nga citatet shihet qartazi se emri i tij ishte Jezus, e jo Emanuel siç tregohet te Mateu 1:23, ndërsa autori i këtij ungjilli e ka huazuar këtë citat nga Isaia 7:14. Gjithashtu, te citatet e ungjillit të Mateut dhe të Llukës vërejmë një kontradiktë ndërmjet dy emrave: Jezus apo Emanuel (Mateu 1:25; Lluka 1:31 me Mateu 1:23). Mirëpo, s’duhet harruar një gjë, sepse Jezusi asnjëherë nuk tha dhe as që deklaroi para të tjerëve se emri i tij është Emanuel.[7]

Si përfundim mund të themi se teksti i Isaias nuk bën fjalë për asnjë lloj profecie të ndonjë lindje virgjërore e cila do të ndodhte shekuj me vonë. Mateu duke e shkëputur në mënyre arbitrare dhe të sforcuar pasazhin e Isaias nga konteksti i tij fillestar, si edhe duke e përkthyer keq tekstin e pasazhit në fjalë, është përpjekur të përfitojë një profeci për lindjen virgjërore të Marisë dhe hyjnizimin e Jezusit.



v Zoti im dhe Perëndia im. (Gjoni 20:27-28)



Në ungjillin e Gjonit thuhet se kur Thomai e pa Jezusin që ishte ringjallur[8] filloi të mos besonte se ishte Jezusi ai që po e shihte përballë dhe kur vërtetoi se ishte ai, atëherë Thomai i tha: Zoti im dhe Perëndia im: “Pastaj i tha Thomait: ”Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues! Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: “Zoti im dhe Perëndia im!”. (Gjoni 20:27-28)

Sipas citatit të lartpërmendur të krishterët mundohen që me fjalët e Thomasit thënë Jezusit “Zoti im dhe Perëndia im”, të arsyetojnë se Jezusi është me të vërtetë Perëndia dhe Zoti i tyre. Nëse i krahasojmë dhe i analizojmë citatet e tjera të Biblës dhe thënien e Thomasit që i drejtohet Jezusit, kjo na tregon se Thomasi nuk ka pasur për qëllim që ta ngrejë në shkallën e hyjnisë, apo nuk ka menduar në Zotin e Plotfuqishëm, ngase shprehja me të cilën është përgjigjur “Zoti im dhe Perëndia im” gjendet në shumë vende në Bibël, me ç’rast iu drejtohet edhe profetëve të tjerë, njerëzve të thjeshtë, engjëjve bile edhe djallit, por ne nuk mund të themi që edhe këta janë zota.

Në radhë të parë, sipas Biblës, Zotin nuk mund ta shohë askush dhe as që e ka parë ndonjëri. Kështu, Jezusi i drejtohet masës, duke i thënë: “Askush s`e pa Perëndinë kurrë” (Gjoni 1:18) “Askush s`e ka parë ndonjëherë Perëndinë”. (1 Gjoni 4:12) Përsëri te Gjoni 5: 37 Jezusi thoshte: “Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij”, etj.

Së dyti, në Bibël tregohet se Manoahu, duke vëzhguar engjëllin e Zotit në qiell, ai i tha bashkëshortes së vet: e pamë Perëndinë, ose siç tregohet: “Ashtu si flaka ngjitej nga altari në qiell, Engjëlli i Zotit u ngjit me flakën e altarit. Duke parë këtë, Manoahu bashkë me gruan e tij ranë përmbys për tokë. Engjëlli i Zotit nuk iu shfaq më as Manoahut, as bashkëshortes së tij. Atëherë Manoahu kuptoi se ai ishte Engjëlli i Zotit. Manoahu i tha pastaj bashkëshortes së tij: "Ne me siguri do të vdesim, sepse pamë Perëndinë". (Gjyqtarët 13: 20-22) Gjithashtu, Bibla u referohet engjëjve si “ata që ngjajnë me Perëndinë” (Psalmi 8:5; Hebrenjve 2:7)

Po ashtu në Bibël hebrenjtë konsiderohen Perëndi: “Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit”. (Psalmet 82:6) Bibla, Perëndi i quan edhe ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (shih: Gjoni 10:34, 35; Psalmi 82:1-6). Madje, edhe satanai në 2 Korintasve 4:4, quhet “perëndia i kësaj bote”. [9] Gjithashtu, me termin Zoti im, apo Zot, Perëndia im etj. janë quajtur edhe profetët e Zotit, si: Abrahami, Jozefi, Davidi, Esau, etj. (shih: Zanafilla 18:12; Zanafilla 44:20; 1 Samueli 25:24; Zanafilla 32:4)[10]

Po fjalën Zot e përdor edhe Maria Magdalena kur shkon te varri i Jezusit dhe nuk e gjen brenda, e duke menduar se i afrohet kopshtari ajo e thërret ZOT: “Jezusi i tha: "O grua, pse po qan? Kë kërkon?". Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: "Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr". (Gjoni 20:15) Gjithashtu priftërinjtë dhe farisenjtë e quajtën Pilatin ZOT, shiko: “Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati, duke thënë: "Zot, na ra në mend se ai mashtruesi.. .”. (Mateu 27:62-63)

Gjithë kjo çka u tha me termat Zot, Zoti im (Imzot), Perëndi, apo Perëndia im, mund të shtrohet pyetja nëse mund të themi edhe për këta se janë Perëndi? Nëse po, atëherë të gjithë njerëzit qenkan perëndi!!



v Shëmbëllimi i Perëndisë. (2 Korintasve 4:4)



Te 2 Korintasve 4:4 thuhet: “... Lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë”. Nëse Jezusi është Zot, sepse është shëmbëlltyra apo imazhi i Perëndisë, siç e cek ky citat, atëherë çka mund të themi për atë se njerëzit në përgjithësi janë shëmbëlltyrë e Perëndisë, siç tregon Bibla te Zanafilla 1:26,27, ku thuhet:

“Perëndia tha: Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne ...Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë: Ai krijoi mashkullin dhe femrën”. Sipas këtij citati, atëherë a mund të themi se të gjithë njerëzit janë zota, pasi që të gjithë ne jemi shëmbëlltyrë e Perëndisë?![11]

Habitemi kur në disa nga veprat e njohura teologjike i gjejmë këto fjalë: “Në Dhiatën e Re nuk ekziston një pohim eksplicit i doktrinës së trinitetit” [12] “Teologët janë të pajtimit se në Dhiatën e Re nuk përmbahet ndonjë doktrinë e qartë mbi trinitetin”. [13]

Duke pasur parasysh se citatet që përmendëm lidhur me trinitetin, ishin kryesisht nga Ungjilli i Gjonit, ku shkencëtari dhe profesori i Universitetit të Parisit dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Francës, dr. Maurice Bucaille, thotë se ky ungjill na dërgon në besimin se këtë ungjill e kanë shkruar disa nxënës mbas të cilit qëndron Pali. [14]

Bart D. Ehrman thotë: “Ç’dobi ka të thuash se tekstet origjinale të Biblës janë të frymëzuara? Ne nuk i zotërojmë tekstet origjinale, por kemi vetëm një kopje të mbushura me gabime dhe shumica e këtyre dorëshkrimeve janë prodhuar shekuj më vonë se origjinalët”.[15] “Ishte e qartë se kishte një problem në pohimin se Bibla ishte verbalisht e frymëzuar në çdo fjalë të saj. Siç mësuam në një nga kurset e para të ndjekura në institut, ne nuk i zotërojmë dorëshkrimet origjinale të Dhiatës së Re. Ajo që ne kemi përbëhet nga kopje të këtyre shkrimeve, të bëra vite më vonë. Mbi të gjitha, asnjëra prej këtyre kopjeve nuk është krejtësisht e saktë, duke qenë se skribët që i kanë prodhuar ato, pa dashje ose qëllimisht, i kanë ndryshuar në vende të ndryshme. Të gjithë skribët e kanë bërë këtë. Kështu, në vend që të kemi fjalët e frymëzuara të autorëve (d.m.th. origjinalet) të Biblës, ajo çka kemi janë vetëm kopje të shkruara në gabime të shumëfishimeve”.[16]

Këto ishin disa nga citatet me të cilat të krishterët argumentojnë në mbrojtje të tezës së tyre se Jezusi është Zot. Por deri tani vërejtëm se citatet kanë gabime, si në aspektin e përkthimit, ndryshimit, shtimit së disa citateve në Bibël, vetëm e vetëm për t’ia arritur qëllimit të tyre për ta argumentuar hyjninë e Jezusit.

Duke i parë këto gjëra, Shën Fausti, një peshkop i shekullit V, i shkruan Shën Augustinit me një zemërim, duke thënë: “Shumë gjëra u shtuan nga paraardhësit tanë në shkrimet e Zotërisë sonë, të cilat, edhe pse mbajnë emrin e tij, nuk pajtohen me mësimet e tij. Kjo nuk është befasuese, pasi që ne shpesh kemi vërtetuar se këto gjëra nuk janë shkruar nga Ai vetë e as nga apostujt e tij, por me të madhe janë të bazuara në përralla sipas raporteve të gjysmëhebrenjve, me mospajtime të shumta edhe ndërmjet tyre dhe duke i vënë emrat e apostujve në shkrimet e tyre ua atribuonin atyre gabimet dhe gënjeshtrat e veta”. [17]



--------------------------------------------------------------------------------

[1] “Me anë të besimit, Abrahami, kur u vu në provë, pothuajse e flijoi Isakun, dhe ai që kishte marrë me gëzim premtimet, provoi të flijonte birin e vetëmlindur”. (Hebrenjve 11:17) Ky citat gjindet te “Shkrimet e shenjta”, përkthim “Bota e re”, Romë, 2006.

[2] “A duhet të besosh në trinitet”, fq. 15.

[3] Po aty, fq. 16.

[4] Rahmetullah El-Hindi, “Triumfi i së vërtetës”, fq. 90.

[5] I njëjti citat sikur tek Isaia 7:14, e ka huazuar Mateu tek ungjilli i tij për ta vërtetuar kinse profecinë e Isaias lidhur me Jezusin dhe hyjnizimin e tij, shih Mateu 1:23: “Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t`i venë emrin Emanuel, që do të thotë: "Zoti me ne””.

[6] “An Introduction to the Old Testament”, nga Samuel Davidson, Vol III, 1863, fq. 78; sipas artikullit “Shenja e Emanuelit”, nga Rrezart Beka, tek www.erasmusi. org; lidhur me këtë tregim shih edhe te Harputli Ishak Efendija, “Nije mogao odgovoriti”, Istambul-Temmuz, 2006, fq. 74-75.

[7] Lidhur me këtë shiko, Harputli Ishak Efendija, “Nije mogao odgovoriti”, fq. 74.

[8] Sipas supozimeve të tyre.

[9] Shih tek: “A duhet të besosh në trinitet”, fq. 28; dhe “A ka vetëm një Perëndi të vërtetë?”, Zgjohuni, shkurt 2006, fq. 29.

[10] Për më tepër lidhur me këto shih: Misha’al Ibn Abdullah, “What did Jesus really say?”, fq.66-67.

[11] Rreth kësaj çështjeje shih nën renditjen e shtatë, po në këtë artikull.

[12] Walter A. Elwell, “Evangelical Dictionary of Theology”, Baker Book House, Grand Rapids, Miçigan 1984, fq. 112.

[13] Mircea Eliade, "The Encyclopedia of Religion", editorinchief, 1987, Vol. 15, (Macmillan Publishing Company, NY) fq. 54.

[14] Muhamed Gazali, “Islam ili Kršćanstvo izazov vremena“, fq. 10.

[15] Bart D. Ehrman, “Të keqcitosh Jezusin-Si dhe përse u ndryshua Bibla”, fq. 27.

[16] Po aty, fq. 23.

[17] Halil Ibrahimi, “Islami dhekrishterimi”, fq. 44; shiko edhe Rahmetullah Kairanvi, “Ngadhnjimi i së vërtetës”, Tiranë, 2003, fq. 53.


Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.bujanoci.org
 
TRINITETI DHE VËRTETËSIA E TIJ (Pjesa e trete)
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Tolstoi për dashurinë, të vërtetën e shpirtit njerëzor
» Historia e vërtetë e krishtlindjeve
» Vampiret Historia e vertet Pjesa 1-2
» Historia e vertete e Satanait...
» Qëllimi i vërtetë i UNESCO-s

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 :: Akide-
Kërce tek: