Fjalet e urta dhe këshillat e Hasan el-Basriut
-Ebu Derdaja ka thënë: “Tre veta më bëjnë të qeshem ndërsa tre më bëjnë të qaj. Më bën të qeshem:
- Njeriu që shpreson një jetë të gjatë, edhe pse vdekja e kërkon gjithkund.
- Njeriu i cili është i pakujdesshëm edhe pse e di se nuk do të lihet në pakujdesi.
- Njeriu i cili qeshet shumë, ndërsa nuk e di se a është i kënaqur Krijuesi e Zoti i tij me të apo jo.
Ndërsa më bëjnë të qajë:
- Frika nga fundi.
- Ndalja e punës dhe
- Qëndrimi para All-llahut, kur njeriu do të presë që t’ia caktojë All-llahu -vendin në Xhennet apo në Xhehennem.
Halifi Umer ibn Abdulazizi ka kërkuar prej Hasanit që ta këshillojë. Duke ia plotësuar deshirën, ai ka thënë:
“O sundues i besimtarëve! Ajo që ka qenë – sikur të mos ketë qenë fare, a ajo që do të vijë – sikur të jetë tash! Dije, o sundues i të drejtëve se është e mrekullueshme shija e asaj që vjen pas durimit, madje edhe nëse e shijon idhtësinë e atij durimi! Ndërsa, shija e përfundimit të bukur është më e këndshmja. Pasoja e kënaqjes së lakmive trupore është gjithsesi e idhët dhe ajo medoemos do të arrijë edhe nëse për një moment e shijon kënaqësinë e saj. Ndërkaq rezultati përfundimtar i gjithë kësaj do të jetë i kobshëm për atë që shkon pas epsheve të veta. Dije, o sundues i të besueshmëve, se do të shpëtojë vetëm ai që ruhet nga mëkatet dhe që përkujdeset që ta fitojë shpëtimin në shtëpinë e amshueshme. Ai do ta meritojë edhe mëshirën e All-llahut dhe do të hyjë në Xhennet.
-O sundues i besimtarve! Kjo botë është shtëpi e pabesisë, prej të cilës duhet të kalojmë në shtëpinë e banimit të përhershëm. Ademi alejhisselam është zbritur në Tokë që të jetojë në të, ashtu që ta vuajë dënimin për gabimin e bërë. Prandaj bëhu i kujdesshëm ndaj kësaj bote! Sepse, edhe të dashuruarit në të do të duhet ta lënë.
-I pasuri në të është varfnjak i vërtetë ndërsa i lumtur është ai i cili nuk dorëzohet. Këtë botë e ka shijuar ai që ka përvojë dhe mençuri, i cili e ka zbuluar se ajo e poshtëron atë që e vë më lartë se çdo gjë tjetër.Ndërsa atë që ajo e tubon, e ndan prej asaj që e ka mbledhur.
-Kjo botë është sikur helmi: e merr ai që nuk e njeh dhe përpiqet t’i afrohet sa më tepër, sepse nuk e di rrezikun e saj, e ajo, pasha All-llahun atë e mbyt. Andaj, o sundues, bëhu në të sikur ai që i shëron plagët e veta! Nëse duron vetëm pak do ta arrish atë që është e amshueshme! I mençur është ai që ruhet nga kjo botë dhe që nuk mashtrohet nga bukuritë e saj. Ai e di se bota është si mashtruesi i aftë dhe i rrezikshëm që u afrohet dhe u pispilloset të gjithve që t’ju pëlqejë lajkatarëve të vet, sikur nusja, në të cilën janë të drejtuar sytë e të gjithëve dhe në të cilën janë të dashuruara të gjitha zemrat. Kjo botë, pasha Atë që me të Vërtetën e ka dërguar Muhammdein sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është vrasës i të dashuruarve të vet. Andaj, o sundues i besimtarve, ruaju që mos të të rrëzojë edhe ty dhe bëhu syçelë të mos devijosh! Bollëku i kësaj bote sjell fatkeqësi dhe sprova të mëdha, ndërsa lidhshmëria për të medoemos të çon në dështim. Dije, o sundues, se premtimet e saj janë shpresë e kotë, kthjelltësia – turbullim, kurse jeta e saj – vështirësi e vërtetë. Do të fitojë vetëm ai që e lë, kurse do të humb ai që e merr.
-I mençur dhe i ditur është ai i cili i frikësohet asaj me çka e frikëson All-llahu xhel-leshanuhu dhe është syçelë në atë ku duhet të jetë syçelë, si dhe ai që e ka llogaritur mirë që patjetër do të ndodhë largimi nga shtëpia e përkohshme në të amshueshmen. Në këtë më vonë çdo njeri do të bindet dhe do të besojë.
-Kjo botë është, pasha All-llahun, shtëpia në të cilën vuhet dënimi. Kësaj i vardiset vetëm ai i cili nuk ka mend dhe vetëm ai e grumbullon.Me të është i mahnitur vetëm ai që nuk ka dituri. I zgjuar dhe i mençur është ai që me të i shëron plagët e veta duke e duruar idhtësinë e ilaçeve me shpresë për shërim të shpejtë dhe ai që i frikësohet përfundimit të keq.
-Kjo botë është ëndërr, ndërsa Ahireti është zhgëndërr. Ato vetëm vdekja i ndan. Por, njerëzit janë të lëshuar pas ëndrrave të veta të ngatërruara. O sundues i besimtarëve! Unë vetëm të them siç ka thënë një i urtë: “Nëse shpëton nga bota, ke shpëtuar nga çdo fatkeqësi, e nëse nuk mund të nxiresh, nuk mund të të numroj ndër të shpëtuarit”.
-Kur e ka pranuar librin e Hasanit, Omer ibën Abdulazizi ka qarë me aq zë, saqë edhe të gjith të pranishmit i ka bërë të qajnë. Pastaj ka thënë: “Le ta mëshirojë All-llahu xhel-leshanuhu Hasanin! Ai gjithnjë një na mëson duke kërkuar të jemi syçelë dhe ti shmangemi moskujdesit. Ai është vaiz i mrekullueshëm, oratorë i fortë dhe i sinqertë!” Andaj i ka shkruar Hasanit: “Prej teje kam pranuar këshilla dhe udhëzime të dobishme. Ato kanë qenë ilaç për shpirtin. Ti me të vërtetë saktësisht e ke përshkruar këtë botë sepse, në të i mençur është ai që jeton gjithnjë me frikë sikur të kenë vdekur të gjitha qeniet e gjalla qysh moti. Le të jetë paqja në ty si dhe mëshira dhe bekimi i All-llahut!”
Ndërsa Hasani kështu i ka interpretuar fjalët e halifes:
- I mrekullueshëm është sunduesi që e flet të vërtetën dhe i pranon këshillat! Me të All-llahu xhel-leshanuhu e ka bërë të lumtur bashkësinë e muslimanëve dhe ua ka plotësuar bekimin, si dhe të gjithë banorëve të shtetit islam ua ka dhuruar mëshirën e Vet.
E pastaj përsëri i ka shkruar halifes:
- O sundues i besimtarëve, para teje me të vërtetë janë frika më e madhe dhe ndodhia e tmerrshme! Ato do të vijnë, në çka nuk ka dyshim. Vetëm atëherë do ta shohësh se a ke shpëtuar apo ke dështuar. Ruaju, o sundues, që në atë në të cilën të ka bërë All-llahu xhel-leshanuhu sundues ndërmjet robërve të Vet, të mos bëhesh si ai të cilit sunduesi ia ka besuar një gjë: ia ka dhënë në ruajtje thesarët dhe pasurinë e vet, e ai e ka shkapërderdhur pasurinë, kurse thesarët i ka lënë dhe kështu e ka varfëruar edhe atë edhe familjen e tij. Dije se All-llahu xhel-leshanuhu i ka urdhëruar prijësit të cilët i ka emëruar në pozita në të cilën je ti, që robërit e vet t’i largojnë nga veprat e këqija dhe t’i ndalojnë, andaj nëse sunduesit bëjnë vepra të këqija dhe janë të koruptuar, si do të jetë gjendja atëherë?! Krahas kësaj Ai i ka urdhëruar që t’i dënojnë ata që e kanë merituar. Si do të jetë gjendja nëse sunduesi duhet të dënohet?!
-Përkujtohu, o sundues i besimtarëve, kur do të keshë pak ithtarë te Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë dhe pak ndihmës në Ditën kur Ai përsëri do të të ringjallë. Prandaj përgatitu për atë takim, për Ditën e frikës më të madhe dhe të pasigurisë!
-Dije, o sundues, se ke shtëpi, por jo atë në të cilën banon tash, por atë në të cilën do të banosh gjatë dhe në të cilën miqtë do të të lënë të vetmuar.
-Përgatitu mirë për ditën “kur njeriu do të ikë prej vëllait të vet, nënës së vet, babait të vet, shokëve dhe fëmijëve të vet”. “Përkojtoje ditën kur do të ringjallen të gjithë dhe kur do të dalë në dritë ajo që e kanë fshehur në zemër, kur do të zbulohen fshehtësitë, kur do të ndahet libri, libri i cili as mëkatin e vogël e as të madhin nuk do ta lë por të gjitha do t’i numërojë”.
-Puno derisa të kesh kohë, para se të të arrijë vdekja dhe ta ndërprejë çdo punë!
-Ruaju, o sundues i besimtarëve, që të mos i gjykosh njerëzit siç kanë gjykuar jobesimtarët, apo me ta ta ndjekish rrugën e tiranëve. Të dobtëve mos ua ngarko mendjemëdhenjtë, sepse mendjemëdhenjtë nuk e respektojnë ndaj besimtarëve as marrëveshjen e as përkrahjen. I dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kush e emëron për mëkëmbës ndonjë tiran, ose i ndihmon me diçka, e ka hedhur Islamin pas shpine”.
-Frikësoju All-llahut! Mos i bart mëkatet tua e me to edhe mëkatet e të tjerëve, barrën tënde e me të edhe barrën e të tjerëve! Le të mos mashtrojnë ata që ndihen mirë në vuajtjet tua dhe që kënaqen me të mira në dëmin tënd. Mos e shiko, o sundues, fuqinë tënde sot, por shikoje dobësinë tënde nesër kur do të jesh i kapur dhe i lidhur me litarin e vdekjes dhe kur do të sillesh te Krijuesi dhe Zoti yt në shoqërinë e melekëve dhe të të dërguarit, kur të gjithë njerëzit të Gjallit dhe të Amshueshmit do të duhen t’i përkulen.
-Unë, o sundues i besimtarëve, edhe pse në këshillën time nuk e kam arritur shkallën e të diturve para meje, nuk kam bërë koprraci në dhënien e këshillave duke u ndier në pozitën tënde. Andaj, librit tim jepja vendin që e meriton. Dëgjoje porosinë e tij si ai që dëshiron të përfitojë prej tij. Le ta zbusë idhtësia e ilaçit shpresën në efikasitetin e tij! Le të jetë paqja, mëshira dhe bekimi i All-llahut mbi ty!
Njeriu bujar nxiton që sa më parë të bëjë vepra të mira, ndërsa i keqi hiqet zvarrë në kryerjen e bëmirësisë dhe shmanget nga ajo.
-Ne i kemi konsideruar si koprracë të gjithë ata që kanë dashur t’i huazojnë vëllait të vet në fe, sepse ne i kemi ndihmuar njëri-tjetrit. Vëllai i ka dëshiruar vëllait më shumë se vetvetes. Pasha All-llahun, kam parë si muslimani e ndanë në dy pjesë mbulesën e vet që t’i ndihmojë atij që nuk e ka. Ndërsa tjetri agjëronte një ditë dhe kur vinte koha e iftarit, shkonte te vëllai sipas fesë dhe i thoshte: “Unë sot kam agjëruar në emër të All-llahut xhel-leshanuhu. Dëshiroj që edhe ti të jeshë pjesëmarrës në këtë të mirë, andaj më ofro diçka me çka do ta përfundoj agjërimin tim!” Dhe ai i jepte një gotë ujë apo grusht hurmash, që All-llahu xhel-leshanuhu ta shpërblejë bashkë me agjëruesin.
E mbaj mend kohën kur njeriu kujdesej për familjen e vëllait të vet që kishte ndërruar jetë edhe pas dyzet vjetësh.
-E mbaj mend kohën kur njërëzit i kanë urdhëruar të afërmit që të mos e refuzojnë e lënë të dëshpëruar asnjë nevojtar.
Nuk është mëkat të hashë dhe të pish në shtëpinë e mikut tënd edhe para se të të ofrojë vetë ai.
Njeriu do të pyetet për çdo gjë që harxhon, si dhe për harxhimet që i ka bërë për prindërit e vet. Mirëpo, nuk do të pyetet për harxhimet që i ka bërë për vëllain në fe dhe për përuljet tjera ndaj All-llahut xhel-leshanuhu, sepse Atij i vjen turp ta pyesë për atë që e ka harxhuar për këto qëllime.
Ruaju nga ai i cili i përcjellë fjalët e huaja, sepse edhe tuat do t’ia përcjellë dikujt tjetër.
Ruaju nga ndalimet e All-llahut xhel-leshanuhu, do të jeshë i devotshëm! Bëhu i kënaqur me atë që ta ka dhënë All-llahu xhel-leshanuhu, do të jeshë i pasur!
Bëhu fqi i mirë, do të jeshë besimtar! Dëshiroju njerëzve atë që e dëshiron për vete, do të bëhesh i drejtë! Mos qesh shumë sepse kjo ta dëmton zemrën dhe tërë trupin!
Njerëz, derisa t’u nënshtroheni lakmive trupore nuk do ta arrini atë që e dëshironi, ndërsa derisa të mos i duroni sprovat, nuk do t’i realizoni shpresat.
Dikush e shau dikë tjetër e ky i tha: “Sikur të mos ndiente All-llahu xhel-leshanuhu, unë do ta ktheja (sharien)”.
Ekzistojnë dy durime: durimi në fatkeqësi dhe durimi nga nga mëkatet. Kush duron atëherë, vërtet është i durueshëm.
Njeri! Nuk je në besimin e vërtetë përderisa ua zbulon të metat të tjerëve, ndërsa vetë nuk je pa to. Andaj së pari largoi të metat tua, e lëri të tjerët dhe të metat e tyre. Por, dije se kurrë nuk do të mund t’i largosh të gjitha të metat tua, andaj është më me rëndësi t’u përkushtohesh dhe të merresh me to. Nëse dëshiron të jeshë i drejtë, atëherë mos i hulumto të metat e të tjerëve, kështu që edhe për All-llahun xhel-leshanuhu do të jeshë i dashur dhe i këndshëm.
Xhihadi më i mirë është ai që zhvillohet kundër epsheve (lakmive) personale.
I mbaj mend njerëzit të cilët në dinarin dhe dirhemin e vet nuk i kanë dhënë vetes më shumë të drejtë se vëllait në fe. Po ç’është me ju, o njerëz; bëni koprraci në atë për çka medoemos do të jepni llogari!?
Kush e mban drithin dyzet ditë duke pritur që t’i rritet çmimi, nuk do të mund të shpëtojë nga mëkatet edhe nëse më vonë e bluan personalisht, gatuan bukë dhe me të i ushqen të varfërit
All-llahu xhel-leshanuhu do ta ruajë nga djalli dhe Xhehennemi njeriun te i cili gjinden këto katër veti: përmbajtja në frikë, nxitim, hidhërim dhe lakmi.
Mos u bën si ai që e grumbullon diturinë e të diturve dhe mençurinë e të mençurve, ndërsa ndaj të Vërtetës sillet si i marrë.
Kush ka edukatë të keqe, e ka dënuar veten.
Kush ka pasuri të madhe, ka mëkate të mëdha.
Kush flet shumë shpesh gabon.
Po të mos ishte dituria, njerëzit do të ishin si kafshët.
Umer ibn el-Hatabi radiall-llahu anhu ka thënë: “Jep selam i pari kur të takohesh me vëllain në fe, thirre me emrin që ai e pëlqen më shumë dhe bëja vendin në ndejë, se kjo do t’ia shtojë dashurinë ndaj teje”.
Ç’ndodhë kjo me ne? E takojmë njëri-tjetrin dhe themi: “Le të na falë All-llahu xhel-leshanuhu mëkatet dhe le të na shtiejë në Xhennet”! Por, kur janë në pyetje dinari e dirhemi, çdo gjë ndryshon. Të mjerët ju! Kështu nuk kanë vepruar paraardhësit tuaj të mirë. Pse nuk i merrni ata si shembull, siç jeni të urdhëruar?!
Vëlla, ki kujdes se ç’flet! A nuk është thënë se është më së miri që gjuhën ta mbash gjithnjë të lidhur? I dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “A thua njerëzit do të hidhen në Xhehennem për diç tjetër pos për të folur e gabuar?!
Te njeriu i mençur gjuha është pas zemrës dhe kur dëshiron të thotë diçka, së pari mendon mirë. Nëse thënia e tij do të jetë e dobishme, atëherë e thotë, në të kundërtën heshtë. Ndërkaq te i padituri zemra është pas gjuhës. Ai flet sa herë që do duke mos menduar fare.
Kush është i sigurt në kompensim, është zemërgjërë në dhënie.
Njeriu asnjëherë nuk e ka vazhduar shpresën, e që të mos e ketë shkatërruar veprën.
Ti o njeri, je i përbërë prej pjesëve. Dhe sa herë që kalon një ditë, shkon edhe një pjesë ytja.
Ai që i frikësohet vetëm All-llahut xhel-leshanuhu, bën që t’i frikësohen të gjithë të tjerët, ndërsa ai që i frikësohet botës, All-llahu bën që ai t’i frikësohet çdo gjëje.
Atij që e largon nga vëllai i vet musliman ndonjë të keqe ose ia plotëson ndonjë nevojë, do t’i falen mëkatet (e vogla) të mëparshme.
Epshi të çon në mëkat. Pasuria është sëmundje e mendjelartëve. Kjo botë është treg në të cilin fitohet bota tjetër.
Mjerë dhe mjerë për çdonjërin i cili të mirat e All-llahut i harxhon në mëkatet ndaj Tij!
Njeri! Besimi nuk do të thotë që ti të tregohesh para njerëzve se je besimtar, përderisa mashtrohesh me dëshira të kota. Besimi i vërtetë është ai i cili është skalitur thellë në zemër dhe të cilin e vërtetojnë veprat e mira të njeriut.
Kur Hasanin e lajmëruan për vdekjen e Davud et-Taijjut, rahime-hullah, ai tha: “Le t’ia falë All-llahu mëkatet! Pasha All-llahun, ka qenë si shëndeti, vlerën e të cilit e kuptojmë atëherë kur e humbim”.
Mos u bë lakmitar, nuk do të poshtërsohesh.
Mos kërko prej njerëzve, nuk do të pakësohet (pasuria), ndërsa ti do të mbetesh njeri.
Nëse nuk je i butë, tregohu i butë.
Nëse nuk je i ditur, përpiqu të mësosh.
Njeriu kryesisht është si ai me të cilin shoqërohet.
Njeriu i përkryer është ai te i cili gjenden këto katër vlera:
- Besimi që e udhëzon;
- Mendja pas të cilës shkon
- Turpi i cili ia mbron dinjitetin.
Njeriu te i cili hasen madje njëra nga këto vlera, te populli i vet, është në mesin e të zgjedhurve.
Ti nga miku dhe shoku yt ke pjesë të përgjegjësisë nga shoqërimi me të, andaj zgjedhi vetes shok dhe mik të vërtetë. Ndërsa për shoqëri të keqe do të përgjigjesh!
Njeri, bëhu tejet i kujdesshëm sepse njeriu shpesh e merr ushqimin të cilin nuk e ka të lejuar, shkon atje ku nuk e ka vendin dhe ulet në shoqëri e cila e ndryshon dhe kështu, pak nga pak, shkon feja e tij e ai as që e vëren.
Përpiquni të jeni të pranishëm gjatë ceremonive të xhenazes, sepse në këtë është shpërblimi për atë që është durimtar në atë që i ka ndodhur, atij që e ka falur xhenazen dhe atij që e mbulon të vdekurin me dhe. Kush pret derisa të varroset i vdekuri, do t’i falen shtatëdhjetë mëkate të mëdha.
O njerëz, kini kujdesë nga zvarritja në punë sepse e kam dëgjuar njërin ndër njerëzit e mirë që thoshte: “Ne nuk dëshirojmë të vdesim para se të pendohemi, ndërsa vdesim pa u penduar”.
Sa bujar ka qenë Bekr ibn Abdull-llahu! E kam dëgjuar njëherë se si urdhëronte të jemi shpirtgjerë dhe si nxiste në falje (gabimesh) duke thënë: “O njerëz, shuani hidhërimin tuaj duke e përkujtuar flakën e Xhehennemit”!
Ndërsa Ebu Derdaja ka thënë: “Derisa është i hidhëruar, njeriu është më afër hidhërimit të All-llahut”.
-Sillu mirë me njerëzit, sepse qëndrimi në mesin e tyre është i shkurtër.
-Dy gjëra kurrë nuk shkojnë së bashku: kënaqësia dhe xhelozia.
-Ruaju nga tri gjëra, do t’ia ndalosh shejtanit praninë (rrugën):
- Kurrë mos qëndro vetëm me gruan e huaj, edhe nëse thua se ia mëson Kur’anin;
- Assesi mos shko tek sunduesi edhe nëse thua se e mëson për bamirësi, ndërsa e ndalon të bëjë keq dhe
- Mos u ul me bidatçiun, sepse do të vejë helm në zemrën tënde dhe ashtu do të ta prishë fenë.
-Njerëz, pasha All-llahun ne jemi të krijuar për amshim, e jo për të përkohshmen. Ne vetëm shpërngulemi prej shtëpisë në shtëpi.
-Njeri, mos u mashtro me thënien se njeriu është me atë që e do. Nuk do të jeshë me mirëbërësit përderisa të mos punosh si ata.
-Sa i çuditshëm është njeriu!
-Dy roje dhe përcjellës kurrë nuk e lënë vetë.
-Gjuha e tij i është laps, ndërsa pështyma e tij i është patron ngjyrë. E ai përsëri e flet atë që nuk i përket!
-Shumica kanë dështuar sepse kanë qenë të lavdëruar. Shumica kanë qenë të mashtruar sepse ndaj tyre kanë qenë zemërmirë. Ruajuni lavdërimit sepse ai është vetëvrasje. Njërin e kanë lavdëruar në praninë e Të dërguarit të All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, andaj i dërguari ka thënë: “E keni shkatëruar! Sepse, sikur ta kishte dëgjuar lavdërimin, kurrë s’do të kishte shpëtuar”.
Njeriu gjithnjë gjendet ndërmjet tri gjërave:
- sprovës e cila vjen
- të mirës e cila kalon dhe
- vdekjes e cila i merr të gjitha.
Kush e kritikon veten para njerëzve – lavdërohet; ndërsa keq është kjo që vepron
Tre dështimet më të mëdha janë:
- udhëheqësi të cilit i nënshtrohesh, e ai të mashtron,
- fqinji i cili e përhap të keqen tënde, ndërsa e fsheh të mirën tënde, dhe
- varfëria e që shkakton dhembje.
-Nëse te fëmija yt vëren diçka që e urrenë, pendohu te All-llahu xhel-leshanuhu, dhe kërko falje prej Tij, sepse kjo është pjesë e karakterit tënd, respektivisht, mëkati yt të cilin e ke bërë më herët.
-Atë që namazi i vet nuk e largon nga vepra të këqija, ndërsa para teje është vepra e mirë të cilën po ashtu mund ta bësh.
-O njeri, ruaju mëkateve të mëdha e do të jeshë gjithnjë në të mira. Mëkati do ta ndryshojë zemrën, ajo do të bëhet e zezë dhe do ta shkatërrojë të mirën tënde.
-Të mrekullueshëm kanë qenë njerëzit e së vërtetës, kur shkopi i Omerit ka qenë më i respektuar se shpata e Haxhaxhit.
-I mbaj mend njerëzit që janë sjellë ndaj kësaj bote si ndaj amanetit të dhënë në ruajtje, e në fund ia kanë kthyer pronarëve të vërtetë.
-I mbaj mend njerëzit të cilëve u është ofruar kjo botë përplot bukuri, por e kanë refuzuar duke iu frikësuar përgjegjësisë. Vall-llahi, s’ka njeri që e ka fituar kët botë e të mos e ketë humbur dinjitetin dhe fenë.
-Nuk çuditem prej askujt sikur prej njeriut që mendon se dashuria ndaj kësaj bote nuk hyn në mëkatet më të mëdha! A thua nuk kanë lindur të gjitha mëkatet tjera prej kësaj bote?!
A nuk adhurohen idhujt e nuk gabohet ndaj mëshiruesit vetëm për shkak se për së tepërmi duhet kjo botë dhe për shkak se i robërohet më shumë se gjithkujt tjetër?!
-Në Ditën e Gjykimit njerëzit do të ringjallen të zhveshur,përveç atyre që kanë hequr dorë nga kjo botë.
Pasha All-llahun, askush nuk do ta ngritë asnjë (më lart) e të mos e nënçmojë All-llahu në ditën e Gjykimit!
-Iblisi i cili është i mallkuar përgjithmonë, kur janë farkuar dinari dhe dirhemi, i ka vënë në kokë edhe njërin edhe tjetrin duke thënë: “Kush ju do juve, është robi im i vërtetë të cilin do të mund ta kthej kah të dua. Kur njerëzit do të fillojnë ta duan këtë botë, atëherë nuk më brengos që mos ndoshta nuk do t’i adhurojnë idhujt dhe nuk do të marrin zotëra tjerë pos Zotit, por se dashuria ndaj kësaj bote do t’i çojë në një shkatërim edhe më të madh”.
-I kemi parë ata, të cilët duke punuar për atë botë, e kanë fituar edhe këtë, por nuk kemi parë dikë, që duke punuar për këtë botë, ta ketë fituar botën tjetër.
Isai, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kjo botë është arë e Iblisit të cilën ia lëvrojnë ata që jetojnë në të”.
-Kush e ka njohur Krjuesin e vet, e ka dashur dhe i ka dhënë përparësi asaj që është tek Ai. Kush e ka njohur këtë botë dhe mashtrimin e asaj, e ka lënë.
-Omer ibn el Hattabi, radijall-llahu anhu, ka hyrë te i dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe e ka gjetur në shtrat të punuar prej shkopinjve të palmës. Në anën në të cilën ishte i shtrirë vëreheshin gjurmët e litarëve. Duke e parë në këtë gjendje, Omeri zuri të qajë, ndërsa I dërguari i All-llahut e pyeti: “Pse qan, o i biri i Hattabit?”. “Si mos të qaj o I dërguari i All-llahut?!” M’u kujtuan mbretërit e Bizantit dhe perandorët e Persisë dhe dëfrimet e tyre. Ti je i Dërguar, i zgjedhuri më i dashur i All-llahut dhe prap flen në shtratin e thuruar prej litarëve!”
“A nuk je i kënaqur me atë që ata e kanë këtë botë, ndërsa ne atë botë? – pyeti I dërguari.
“I kënaqur jam, o I dërguari i All-llahut” – u përgjigj Omeri.
“Unë në këtë botë jam si kalorësi i cili në një ditë të ngrohtë vere kalëron në kalë dhe përnjëherë sheh një dru me një hije të rëndë. Ai ulet një çast dhe pushon, pastaj ngrihet dhe e lë hijen.” I dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka bërë një jetë të rëndomtë, tejet modeste e të thjeshtë; ka udhëtuar në dhé, dhe shpesh ka përsëritur: “ Unë jam vetëm njeri, ha siç han njeriu i rëndomtë”.
Kur hynte në varreza, Hasani thoshte:
- O Zoti im, Sundues i këtyre trupave të kalbur dhe eshtrave të thërmuara, pronarët e të cilëve janë larguar nga kjo botë duke besuar në Ty dhe duke shpresuar në mëshirën Tënde, dërgoju prej Vetes frymëzim ndërsa prej meje selam! (për këtë dua Hasani ka thënë
- Kush e thotë këtë dua, për faljen e tij luten të gjithë të vdekurit që nga koha kur All-llahu e krijoi botën e deri në Ditën e Gjykimit.
Një ditë për derisa Hasani e mbante hutben e tij, njëri nga të pranishmit ofshau thellë, me ç’rast Hasani tha:
- O djali i vëllait tim, ç’deshe me këtë? Nëse në këtë ishe i sinqertë, atëherë vetëm e ke nxjerrë atë që e ke në zemër. Ndërsa nëse nuk ke qenë i sinqertë, atëherë e ke shkatëruar shpirtin tënd.
Njeri, si nuk të vjen turp? – flet me fjalët e të devotshmit ndërsa vepron si despot!
-Njeri, vishesh me rrobat e të devotshmit, ndërsa shikon me shikimin e mendjemëdhenjëve. Mjer për ty! Nuk e ke asnjë veti të të përkushtuarve të All-llahut! Në Ditën e Gjykimit do të ndalesh para All-llahut i cili “i di shikimet të cilat fshehurazi shikojnë në atë që është e ndaluar dhe në atë që gjoksat e mbulojnë”.
-Ekzistojnë tre lloje të lexuesve të Kur’anit: të parët e marrin për tregti duke e blerë me atë që është te njerëzit; të dytët e lexojnë duke i theksuar saktësisht shkronjat e tij, por duke mos i respektuar kufijtë e tij. Ata me leximin e Kur’anit i mbledhin paratë e guvernantit dhe fitojnë pozitë të privilegjuar midis njerëzve. Numri i tyre sot është dukshëm, All-llahu i pastroftë nga kjo tokë; të tretët e lexojnë Kur’anin duke menduar thellë për porositë e Tij. Për ta Kur’ani është ilac.
-Kam dëgjuar nga disa shokë Të të dërguarit të All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, se në parashenjat e Çastit të fundit, në mes tjerash hyn edhe kjo: Para Kijametit, sunduesit do të jenë të pamoralshëm, ministrat gënjeshtarë, komisarët tradhtarë, dijetarët të përdhosur dhe komandantët tiranë.
-Unë vërtet frikohem se mos ndoshta ajo kohë është koha jonë.
Kur’ani thotë: “Ju në Të dërguarit e All-llahut keni shembull të mrekullueshëm”. Neve na urdhërohet të marrim çka jep I dërguari, të shkojmë sipas Udhëzimit, të shkojmë rrugës të cilës ka shkuar I dërguari dhe të veprojmë sipas Sunnetit të tij. Çka arrijmë në atë rrugë, e kemi arritur duke iu falënderuar All-llahut xhel-leshanuhu. i Cili na ka dhuruar mëshirë. Megjithatë ne jemi të obliguar të pendohemi për mëkatet tona dhe të kërkojmë falje nga All-llahu për të gjitha lëshimet, ngase vetëm ajo është dera e shpëtimit. Në dëshirat e kota nuk ka kurrfarë të mire!Nuk ka të mira as te ata që jetojnë vetëm prej shpresave dhe dëshirave të kota… Në kohën e Të dërguarit, i cili ka vepruar dhe jetuar në mesin tonë, njerëzit kanë thënë se e duan All-llahun xhel-leshanuhu, andaj Ai e ka shpalluar ajetin: “Thuaj: Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ua falë mëkatet tuaja, se dashuria ndaj All-llahut xhel-leshanuhu, vërtetohet me ndjekjen e rrugës së të dërguarit të Tij në mënyrë të sinqertë. E kush nuk e ndjek rrugën e Të dërguarit të All-llahut, ai gënjen se e do All-llahun xhel-leshanuhu.
-Duke dalë një herë nga Ibni Hubejje, Hasani në derën e tij e ka takuar një grup dijetarësh të cilëve iu drejtua me këto fjalë:
“Çka ju ka shtyrë të pritni këtu, All-llahu mos e shtoftë grupin tuaj!
Dëshironi të hyni te këta të zgjebosur?! Pasha All-llahun, shoqerimi juaj nuk është shoqërim me bamirësit, e as ndeja juaj nuk është ndejë me të mirët.
-Andaj shpërndahuni prej këtu! Dhashtë Zoti që shpirtrat tuaj të jenë të ndarë nga trupat tuaj dhe mos dhashtë Zoti që në mesin e muslimanëve të ketë të njejtë si ju! Jeni veshur, i keni shpërvjelur rrobat, i keni rruar flokët dhe e keni vënë surinën me çka jeni bërë grupi më i keq dhe i keni turpëruar të diturit. All-llahu kurrë mos e bashkoftë grupin tuaj! Po të përmbaheshit nga ajo që është te sunduesi, ata do të vinin pas asaj që është te ju. Por ju keni qenë lakmues ndaj asaj që është në duart e tyre, andaj atyre dituria juaj nuk u është më interesante… Mendoj se pikërisht ju jeni ata të cilët All-llahu xhel-leshanuhu i ka larguar nga mëshira e Vet.
-Kam dëgjuar se njëri nga njerëzit e mirë ka premtuar që kurrë më nuk do të qeshet derisa të mos e dijë se ku e ka vendin, në Xhennet apo në Xhehennem. Dhe, kurrë deri në vdekje nuk ka qeshur me zë të lartë. (Duke kaluar pranë një njeriu i cili qeshej me zë të lartë, Hasani e pyeti):
- Djali im, a e ke lënë pas vetes Urën e Siratit? Pse e tërë kjo qeshje, All-llahu të mëshiroftë?! Dije se puna është më se serioze! (Thuhet se ky më kurrë nuk ka qeshur).
-O njeri, zvogëloje qeshjen tënde, sepse qeshja e tepërt e ngrinë dhe e mbyt zemrën, e largon gëzimin e vërtetë, e zvogëlon trimërinë, kurse të ngriturin e bën të poshtëruar.
All-llahu xhel-leshanuhu i ka shpalluar Isait alejhisselam: “ O Isa, lajë sytë me lot kur të shohësh se të pakujdesshmit qeshin!”
-O njerëz, ju jeni zgjuar, por edhe koha deri në afatin e caktuar është shkurtuar me çka edhe mundësia për veprat tuaja është zvogluar. Vdekja është përmbi ju, kurse Xhehennemi u është afruar edhe më shumë.
-O njerëz, ju e keni vetëm një shpirt, të cilin nëse e shpëton nga dënimi i All-llahut, nuk do ta dëmtojë humbja e shpirtrave të tjerë, e nëse e humbni, nuk do të ketë dobi kurrfarë dobie nga ajo se të tjerët kanë shpëtuar.
-All-llahu e mëshiroftë secilin që punon për atë botë, para se ta harxhojnë gjithnjë furnizimin që Ai ia ka dhënë!
-O njeri, ruaju vetëmashtrimit, sepse ti ende nuk je i sigurt se ke shpëtuar nga dënimi i All-llahut; para teje është frika më e madhe dhe ndodhia më e tmerrshme. Në varr do t’ia vësh vetes nën kokë atë që vetë ia ke përgatitur vetes. Nëse ajo është e mirë, edhe ti do të jeshë mirë, e nëse ajo është e keqe, edhe ti do të jeshë keq. Andaj, puno dhe mos zvarrit në atë që është e mirë. Përgatitu sa ka kohë! Ruaju nga zvarritja në këtë. Ti sigurisht do të jesh pyetuar, andaj sa më parë përgatiti përgjigjet e sakta!
-Sikur ta mbante mend dikush nga ju atë që unë e kam mbajtur mend dhe po ta kishte parë brezin e parë të muslimanëve, brëezin më të mirë, me të vërtetë do të brengosej deri në fund, sepse do të bindej, se më seriozi mes jush është sikur më joseriozi në mesin e tyre, kurse puntori juaj si ai që në mesin e tyre kurrë nuk është munduar.
-Syri i askujt nuk do të lahet në lot nga frikërespekti ndaj All-llahut xhel-leshanuhu e të mos i shpëtojë trupi nga zjarri i Xhehennemit. Fytyrën, e cila është lagur me lot prej frikës e respektit ndaj All-llahut xhel-leshanuhu, nuk do ta godasë kurrfarë mjerimi e as nuk do t’i ndodhë ndonjë poshtërim.
-Çdo vepër mund të vlerësohet dhe sipas saj të jepet shpërblimi, përveç lotëve të derdhur prej frikës dhe respektit ndaj All-llahut xhel-leshanuhu. Për këtë ato do ta zbusin edhe flakën e Xhehennemit aq sa Ai xhel-leshanuhu të dëshirojë. Sikur vetëm një njeri të qante sinqerisht për All-llahun, unë do të shpresoja se për shkak të vajit të All-llahut xhel-leshanuhu do ta mëshirojë tërë popullin e tij.
Me një rast Hasani prezentonte në një tubim në të cilin kishte pleq dhe të rinj. Duke u drejtuar kah të vjetrit, Hasani i pyeti:
- Ç’bëhet me grunajat kur piqen?
- Korren, - u përgjigjën ata.
Mandej iu drejtua të rinjve dhe u tha:
- Ka mjaft të korra që nuk e kanë arritur korrjen për shkak të dergjes dhe kushteve të vështira klimatike që i kanë shkatëruar! Këtu Hasani ka filluar të qajë duke theksuar: “All-llahu pra, u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë.” (Kur’an, 14:25).
-Transmetohet se Ibni Omeri ka thënë: “Kur njeriu gënjen, meleku largohet prej tij një mile që t’i ikë erës (së keqe), e cila shfaqet prej saj.
Njeriu do ta lëshojë mëkatin, nëse ai (mëkati) e fut në brenga. Pendimi është çelës i pendimit të vërtetë. Brengosja për mëkatet e veta (të mos bëhet mëkate) është më mirë se bërja e disa veprave të mira.
Kush nuk e shëron shpirtin e vet nga sëmundja e mëkateve gjatë jetës së vet, është larg asaj që të shërohet, dhe krejtësisht afër pikëllimit në këtë dynja (botë).
-Omer ibën el Hattabi radial-llahu anhu ka thënë: “Kujtojeni Xhehennemin, zjarri i të cilit është i vrullshëm, thëllësia e madhe, kurse shtyllat e hekurta”.
-Ah, ah,! Dëshirat e kota e kanë shkatëruar botën. Fjalë ka, por vepra nuk ka. Dituri ka, por durim nuk ka. Besimi ekziston, por nuk ka bindje të fortë.
-Ç’është kjo? I shoh njerëzit, por nuk e shoh mençurinë, ndiej shushullimën, por mikun nuk e shoh. Kjo botë ka hyrë në fe, e pastaj ka dalë (prej saj). E dinë se ç’është e mirë, por mirë nuk veprojnë. E dinë ç’është e ndaluar, por atë e punojnë. Feja u është vetëm në gjuhë.Nëse e pyet dikënd prej tyre a beson se do të jape llogari për veprat e veta, ai do të përgjigjet se beson. Betohem në Sunduesin e Ditës së Gjykimit se gënjen! Sepse, në edukatën e mirë dhe në cilësitë e besimtarit numërohen: fuqia së bashku me besimin,vendosmëria së bashku me shpirtmirësinë, besimi së bashku me bindjen e fortë, dituria me zemërmirësinë, zemërmirësia me diturinë, mençuria krahas veprimit të sjellshëm, bujaria në varfëri, sjellja me mençuri në pasuri, mëshira ndaj të pashpresëve, bujaria në vendin e duhur dhe drejtësia me këmbëngulje.
-Njëri nga njerëzit e mirë e të dijshëm ka dëgjuar se si shprehin njerëzit dëshira të ndryshme, andaj ka kërkuar që edhe ai ta shprehë dëshirën e zemrës së vet: “Ku të kishim pasur fat e të mos ishim krijuar. Meqë jemi krijuar, ku të kishim pasur fat e të mos ishim krijuar. Meqë jemi krijuar, ku të kishim pasur fat e të mos kishim vdekur. E, kur të vdesim, ku të kishim pasur fat e të mos përgjigjemi! E pasi që do të përgjigjemi, ku të kishim pasur fat e të mos dënoheshim dhe dënimi të mos na jetë i përhershëm!
-Para jush njerëzit i kanë pasur zemrat më të buta dhe më shumë janë frikësuar për fenë e tyre. Por, feja e juaj sot është më e dobët, kurse zemrat tuaja më të ashpra.
Xhelozia e prishë fenë më shpejtë se zgjerimi i zgjebes nëpër trup.
-Besimtari është punëdashësi më i madh dhe ai i frikohet vetëm All-llahut xhel-leshanuhu. Sikur ai të shpenzonte në rrugë të All-llahut ar sa Kodra e Uhudit, përsëri s’do të ishte i sigurt se ka shpëtuar. Ai këtë e përsërit përderisa nuk dëshmohet në shpëtim: “Kurrë, vërtet kurrë, nuk do të shpëtoj”!
-Ndërsa dyfytyrëshi thotë: “Sa shumë njerëz të thjeshtë që ka! Ç’janë mëkatet e mia ndaj mëkateve të tyre?! All-llahu është i mëshirshëm dhe fal shumë e do t’mi falë edhe mëkatet e mia”.
-Besimtari gjithnjë mbetet i njëjtë, pa marrë parasysh kohën apo situatën.
-Ai mbetet i pathyeshëm në besim, me një fytyrë të njëjtë dhe në të njëjtën rrugë. Ndërsa dyfytyrëshi ndryshon sipas kohës dhe rastit, duke e shikuar vetëm dobinë e vet duke mos çarë kokën për askë tjetër.
Të diturit në mesin e të paditurve janë si mjekët në mesin e të sëmurëve.
-Ja, të tillë kanë qenë shokët e Të dërguarit të All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, gjatë tërë jetës së tyre. Të tillë kanë qenë edhe të parët tuaj të mirë. Gjendja juaj është ndryshuar ngase ju e keni ndryshuar veprimin tuaj ndaj All-llahut xhel-leshanuhu.
Pastaj Hasani ka theksuar: “All-llahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata ta mos e ndryshojnë vetveten e tyre. Po, kur All-llahu vendos ta ndëshkojë një popull, atë nuk ka kush që ta zbrapsë. Ata (njerëzit) nuk kanë mbrojtës tjetër pos Tij”, (Kur’ani, 13:11). Dhe në fund ka shtuar:
- O Krijuesi ynë, tregoja mëshirën tënde udhëjeqësit tonë Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe familjes së tij fisnike, as’habëve të tij dhe të gjithë besimtarëve! Ndërsa, neve na dhuro siç u ke dhuruar robërve të sinqertë dhe të dashurëve Tu të devotshëm. Ti je i Gjithfuqishëm dhe Ndihmës në të mira. Neve na mjafton All-llahu, Ai është Zot i mrekullueshëm! Falënderimi qoftë vetëm për All-llahun, Krijuesin dhe Sunduesin e botëve!
-EL-HASAN EL-BASRIU kishe qëndruar sipër një varri dhe kishte shikuar gjatë në të,pastaj ishe kthyer kah një njeri dhe e kishte pyetur:Si mendon ,cka do të bënte ky (mejiti)sikur do të dilte prej kaburit të vet? -Do të pendohej dhe do ta përmendë Allahun xh.h ,u përgjigjë njeriu, ndërsa Hasani i tha: po nëse ai këtë nuk mund ta bëjë ,ti mundesh.
-Allahu xh.h thotë:
-Dhe përgatituni me furnizim e furnizimi më i mirë është devotshmërija. El-Bekare,197
EL-HASAN EL-BASRIU i lutur që ta përshkrujë këtë dhe botën tjetër ,në një rast pat thën:
-Më pyet për këtë dhe botën tjetër ,kurse dallimi ndërmjet tyre është sikur nërmjet Lindjes dhe Perëndimit.
-Sepse,sa herë që t’i afrohesh njërës prej tyre,aq je larguar prej tjetrës !
-Kërkon prej meje ta përshkruaj këtë botë,e c’kam për ta përshkruar:kur fillimi është vuajtje,e fundi humbje.
-Kur do të përgjigjet edhe për atë që është e lejuar,e për atë që është e ndaluar dënohet dhe kur ,atij që i jepet sprova i pëlqen,e atij që nuk i jepet ,do t’i vij keq?!
-EL-HASAN EL-BASRIU i lutur që ti përshkruajë njerëzit tha:
-Mjerë për ne c’bëmë me veten?!
Fenë tonë e sollëm në ashtë e lëkurë,
e dunjasë barqet ua lamë ,
nderin dhe edukimin i përbuzëm,
kurse shtratin dhe rrobet i ndërruam me të reja,
në një këmbë me ndihmën e shkopit mbështetemi,
e me tjetrën në varr kemi shkelur,
por ,prap ,të huajën e marrim dhe me të ushqehemi.
C’të thuhet tjetër për atë që han të huajën ,
Të cilën,pa paguar ,nga frika,e shërben,
i cili nga ëmbëlsira kërkon thartinë,
nxehtë pas të ftohtit,freskët pas të thatës
e kur të ngopet, me zë gogëson,
e posa i lëshohet pak barku,
shërbëtorit ,prap i bërtet:
Sjell dicka të hamë dhe zhveshim!
I cmenduri a nuk e din:
-Se,vall-llahi, me dhëmbët e tij e shkynë fenë e vet.....kur nuk din apo nuk
Don të pyetet:
A kam unë fqi të varfër?
A ka diku jetimë të uritur?
A është i uritur ai lypësi që e shoh?
A është kjo vetëm e imja apo All-llahu në këte u ka dhënë të drejtë edhe tjerëve?!
Ku është fati që të jetë ashtu i vetëdishëm,
Se në këtë botë ka vetëm një jetë ,
Që cdo ditë i është ,kur të del djelli,
Për një ditë jeta më e shkurtë,
Dhe me perëndimin e diellit,
pa kthim i ka shkuar edhe një pjesë e jetës së tij
Mos na harroni në duatë e juaja, insha All-llah.