Transmetohet nga i dërguari i fundit i All-llahut, Muhammedi, paqja e All-llahut qoftë mbi të, se ka thënë: “Zoti i Madhëruar ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mburojë (nga epshet dhe zjarri), prandaj kur të agjërojë ndokush le të mos flasë fjalë të ndyta dhe mos ta ngre zërin, e nëse dikush e ngacmon apo e sulmon, le të thotë: Unë agjëroj, unë agjëroj!”.
Dhe, pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti i Muahmmedit, aroma e pakëndshme që del nga goja e agjëruesit është më e mirë tek All-llahu se sa era e miskut. Agjëruesi i përjeton dy gëzime: kur të hajë iftar gëzohet dhe kur ta takojë Zotin e vet gëzohet për agjërimin e vet (për shpërblimin)”. (Buhariu dhe Muslimi).
Në një transmetim tjetër qëndron:
“Pejgamberi [sal-lellahu alejhi ve sel-lem] thotë: Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij. Një e mirë shpërblehet sa dhjetë sosh dhe deri në shtatëqind herë shumëfishohet shpërblimi, e Zoti ka thënë: “Përpos agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të, për shkak se njeriu e braktisë ushqimin për Mua, e braktisë pijen për Mua, i braktisë të këndshmet për Mua, e braktisë gruan e tij për Mua. Era e keqe e gojës së agjëruesit është më e mirë tek All-llahu se aroma e miskut. Agjëruesi i ka dy gëzime: njëri gëzim kur të hajë iftar dhe tjetri kur ta takojë Zotin e vet”.
(964)
· “Në xhennet ekziston një derë që quhet rejjan nga e cila hyjnë agjëruesit në Ditën e kijametit dhe askush tjetër nuk hyn nga ajo derë . E kur të hyjnë ata, ajo mbyllet e askush tjetër nuk hyn.“
(965)
· I Dërguari i All-llahut e kishte dërguar Ebu Musain me një grup në një betejë nëpër det. Në një natë të errët, duke qenë ata në anije, i ngritën velat, kur papritmas një zë u dëgjua nga lart: “O udhëtarë të anijes, ndaluni t’ju lajmëroj lidhur me një caktim që All-llahu ia ka caktuar vetvetes!”
Ebu Musa tha: “Na trego nëse e din!”
Zëri tha:“Vërtetë Zoti i Madhëruar ia ka caktuar vetvetes ta ngopë me ujë Ditën e etjes atë që është etur në një ditë të nxehtë.“
(970)
· “Kush thotë: Nuk meriton të adhurohet askush përveç All-llahut (La ilahe il-lallah) dhe jeta e tij mbaron me këtë, hyn në xhennet. Kush agjëron një ditë duke pasur për qëllim fytyrën e All-llahut dhe jeta e tij mbaron me këtë, hyn në xhennet. Kush jep një sadaka (lëmoshë) duke pasur për qëllim fytyrën e All-llahut dhe jeta e tij mbaron me këtë, hyn në xhennet.“
(972)
· Tregon Ebu Umame: “Shkova te i Dërguari i All-llahut, paqja e All-llahut qoftë mbi të, dhe i thashë: “Më urdhëro me një vepër që të kem dobi tek All-llahu me të!”
(Ai) më tha: “Të urdhëroj të agjërosh, ngase nuk ka diç të njejtë me të!”
(973 Transmetimi i dytë)
· “Çdo rob (njeri a xhinn) që agjëron një ditë në rrugë të All-llahut, All-llahu e largon fytyrën e tij nga zjarri (i xhehennemit) në një distancë sa ec njeriu shtatëdhjetë vjet.“
(974)
· “Kush e agjëron Ramazanin me besim në All-llahun dhe me shpresë në shpërblimin e Tij, i falen mëkatet e kaluara dhe kush falet në natën e Kadrit me besim në All-llahun dhe me shpresë në shpërbëlimin e Tij, i falen mëkatet e kaluara.“
(978 Transmetimi i dytë)
· “Pesë namazet, namazi i xhumasë deri në namazin tjetër të xhumasë dhe agjërimi i Ramazanit deri në agjërimin e Ramazanit tjetër, i fshijnë mëkatet që janë ndërmjet tyre, nëse njeriu largohet nga mëkatet e mëdha.“
(980)
· Në një rast i Dërguari i All-llahut iu tha shokëve të tij:
Ejani te minberi! Thotë Ka’b ibën Uxhra:
“Dhe iu afruam, e kur hipi një shkallë tha:
“Amin!” , dhe u ngrit edhe një shkallë e tha:
“Amin!”, e kur u ngrit në shkallën e tretë tha përsëri:
“Amin!“ Pasiqë zbriti, i thamë:
“O i dërguar i All-llahut, sot dëgjuam nga ti diçka që s’kemi dëgjuar më parë?”
Ai tha:
“Mu paraqit Xhibrili dhe tha:
“U largoftë (nga mëshira e All-llahut- shprehje mallkimi) ai që e zë Ramazani dhe nuk i falen mëkatet!”, e unë thashë: “Amin!” Kur u ngrita në të dytën, ai tha: “U largoftë ai që kur përmendesh ti në prezencë të tij, nuk të përshëndetë (me selam e salavatë)!”, (e unë) thashë: Amin! E kur hipa në të tretën, ai tha:
“U largoftë ai që prindërit e tij, apo njërin prej tyre e ze pleqëria tek ai, e pleqëria e prindërve të tij nuk e futë në xhennet!”, (e unë) thashë: “Amin!”
(981)
· “Kur të vie Ramazani hapen dyert e mëshirës, mbyllen dyert e xhehennemit dhe lidhen shejtanët.”
(984 Transmetimi i dytë)
· “Ju erdhi muaji ramazan, muaji i bekuar. Zoti ua ka obliguar agjërimin në të. Gjatë tij hapen dyert e qiellit dhe mbyllen dyert e xhehennemit.“
(985)
· “Syfyri është përplot bereqet. Pra mos e leni, po edhe në qoftë një gëllënjkë ujë, sepse All-llahu i Lartë i mëshiron ata që hajnë syfyr dhe engjujt e Tij luten për ta.“
(1058)
· “Sa i mirë është syfyri i besimtarit me hurmë.“
(1059)
· Pejgamberit, paqja e All-llahut qoftë mbi të, i pëlqente të bëjë iftar me tri hurma, apo me ushqim që nuk është përgatitur në zjarr.“
(1063)
· “Kush i jep iftar një agjëruesi atij i takon shpërblim sikur i agjëruesit, pa iu mangësuar agjëruesit shpërblimi.“
(1065)
· “Kush nuk e le fjalën e rrejshme dhe punën me të (shpifjen), All-llahu nuk ka nevojë që i tilli ta lë ushqimin dhe pijen e tij.“
Në transmetimin tjetër, hadithi fillon me fjalët: ”Kush nuk e le fjalën e rrejshme dhe ashpërsinë në shprehje dhe sjellje…”
(1066)
· “Nuk është agjërimi (vetëm) prej të ngrënurit dhe të pimurit, por agjërimi është zmbrapsje nga e kota (fjalë dhe punë) dhe e ndyera. E nëse dikush të ngacmon apo sillet ashpër me ty, thuaji: Unë po agjëroj, unë po agjëroj! “
(1068)
· “Shumë agjërues nuk kanë dobi nga agjërimi i tyre pos urisë dhe shumë namazxhinj nuk kanë dobi nga namazi i tyre pos yerë (gdhirje e natës) të kotë.“
(1069)
· I dërguari i All-llahut e ka obliguar sadekatul-fitrin që ta pastrojë agjëruesin nga të kotat dhe të ndyerat (fjalë e vepra) si dhe të ushqehen të varfërit. Kush e jep atë para namazit (të sabahut), i llogaritet pastrim (zekat) i pranuar, e kush e jep pas namazit, i llogaritet si një sadaka e zakonshme.
(1071)
Vërejtje: Numrat në kllapa, poshtë secilit hadith në anën e majtë, i referohen numrave të haditheve në referencën përkatëse.
Përkthyer nga: Sahihut-targibi vet-tarhibi, Albani.
Përktheu: Gëzim Selaci
Sahihut-targibi vet-tarhibi-Albani,
albislam
Muhammed Nasirud-din Albani,