Me emrin Tënd të bekuar, mëshirën Tënde të pakufizuar me lutjen time për Muhamed Mustafanë për të bekuar atë dhe familjen e tij të nderuar dhe shokët e tij të pakrahasuar! Duke shpresuar shpërblimin Tënd për Ditën e amshuar po e nis këtë shkrim për Ramazanin, muajin e madhëruar dhe për Kuranin e Lartësuar. Në muajin e Ramazanit ka zbritur Kurani, pra, i takon të ketë një pozitë disi më të veçantë te Zoti ky muaj në krahasim me muajt e tjerë. Kështu që ai mund të quhet me të vërtetë muaji i Kuranit. Po në të gjithë muajt është zbritur dhe lexohet Kurani; ç’e bën Ramazanin të jetë ndryshe prej tyre?
Jakubi alejhi selam kishte dymbëdhjetë djem njësoj si dymbëdhjetë muajt e vitit e pavarësisht se të gjithë bijtë ishin të Jakubit, ama asnjëri prej tyre s’kishte pozitën e Jusufit. Analogjia është njësoj dhe me muajin e Ramazanit, në krahasim me muajt e tjerë dhe besoj se do të më mbështetësh edhe ti kur të mësosh një fakt të rëndësishëm në vijim. Jo vetëm Kurani, por edhe libra të tjerë qiellorë kanë zbritur në Ramazan. Madje për këtë ka një thënie autentike të Muhamedit alejhi selam, ku thuhet shprehimisht: “Natën e parë i zbritën Fletushkat (suhufet) Ibrahimit, natën e gjashtë i zbriti Teurati Musait, natën e trembëdhjetë i zbriti Inxhili Isait, natën e tetëmbëdhjetë zbriti Zeburi mbi Dautin dhe në të njëzet e katërtën zbriti Kurani.” Sahih el Xhami’ nr. 1509.
Atëherë Ramazani është koha më e volitshme për të nisur shpalljet hyjnore? Kush të jetë urtësia e kësaj pune?
Mesa duket duhet të kthehemi diku më herët te krijimi i njeriut, te kjo mrekulli e pashembullt e Zotit. Ekuilibrimi dhe balancimi janë bazat e krijesës së përkryer të Zotit. Në momentin që ky ekuilibër prishet njeriu kalon në krijesën më të shpifur, më të shëmtuar me të gjitha domethëniet që mund të paramendohen rreth këtij togfjalëshi. Ekuilibrimi në të gjitha domethëniet që përmban kjo fjalë, në lidhje me raportet Krijues e krijesë, në lidhje me raportet materie-shpirt, në lidhje me raportin individ-shoqëri etj.
Pikërisht tek ai i mesit shpirt-materie janë ndërlidhur dhe koordinuar të tjerat. Për këtë arsye ky Libër mbi të gjitha i drejtohet shpirtrave e zemrave, sepse vetëm atëherë dhe vetëm atëherë do të kemi njeriun për të cilin flitet në Kuran: “...I Cili e krijoi njeriun dhe e ekuilibroi.” Sure 82-7. Për të cilin është thënë: “E krijuam njeriun në formën më të bukur.” Sure 95-4. Si dhe në hadithin e Profetit sal-allahu alejhi ue selem: “Jepi gjithsecilit atë që meriton”. Sahih . Njeriu nuk u krijua për të jetuar në Tokë vetëm për një kohë të shkurtër, por u krijua për të qenë në të udhëheqës e prijës deri sa të ketë jetë. Rrjedhimisht edhe orientimi duhet të ishte i përhershëm dhe për këtë arsye u dërguan vazhdimisht të dërguarit, derisa u vulosën me të fundit Muhamedin sal-allahu alejhi ue selem, për këtë arsye vazhdoi edhe shpallja derisa u mbyll me Kuranin.
Mirëpo duke qenë se feja e Zotit është një, pavarësisht se misionarët janë ndryshuar kohë pas kohe qëllimi është një e si pasojë trajtimi i “atij” që i është dedikuar ka qenë i njëjtë te të gjithë Profetët. Kjo është urtësia e përzgjedhjes së Ramazanit, si koha më e përshtatshme për të qenë çasti kur i drejtohet shpirtit, sepse rregullimi fillon me majën dhe nga anët tona thuhet: “Peshku qelbet nga koka”. Me rregullimin e shpirtit kemi rregulluar edhe kokën me të cilën orientohet njeriu normalisht, studiuesi i fesë e kupton këtë gjë shumë shpejt.
“Muaji i Ramazanit në të cilin është zbritur Kurani.” Sure 2-185.
Ngaqë dallimi mes të udhëzuarit dhe jo të udhëzuarit është si shembulli i të gjallit me të vdekurin erdhi libri i orientimit të shpirtit për t’i dhënë jetë pikërisht njeriut të pajetë: “A nuk e ke parë ti, o Muhamed shembullin e atij që ishte i vdekur dhe ne i dhamë atij jetë dhe dritë që të ecë në mes të njerëzve”. Sure 6-122. Në mënyrë që shpirti ta pranojë udhëzimin në muajin kur shpirti është më i predispozuar për të pranuar ushqimin e shpirtit, sepse mungon ajo që mund ta hutojë, barku dhe angazhimi me mbushjen e tij më shumë se me çdo gjë tjetër, sepse janë momente kur njeriu reflekton dhe kupton, se mund të jetohet duke ngrënë qoftë edhe një herë apo dy herë në ditë. Po diçka tjetër më e rëndësishme që duhet të ushqehet është shpirti, i cili mund të ushqehet vetëm me fjalën e Allahut. Për këtë arsye menjëherë pas asaj që Zoti tha me lart shton duke na thënë:
“Kurani është udhëzim për njerëzimin, shumë i qartë dhe sqarues i orientimeve hyjnore për të rregulluar jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër.” Sure 2-185.
“Në këtë libër s’kemi lënë gjë që i nevojitet njeriut për t’u lumturuar në të dy jetët, veçse i kemi dhënë orientimin e duhur.”, thotë diku tjetër Zoti i Madhëruar. Sure 18-54.
I madhi Zot tregon çudi në Kuran, kur qafirët nuk reshtin së kërkuari mrekulli Profetit alejhi selam e Zoti u përgjigjet atyre duke u thënë: “A nuk ju mjafton atyre se Ne (Zoti flet për veten e TIJ në shumës duke e madhëruar veten e Tij) ju zbritëm Librin që ju lexohet vazhdimisht.” Sure 29-51. Për këtë arsye edhe njeriu është shumë më i predispozuar për ta lexuar dhe për t’u prekur prej tij pikërisht në Ramazan. Me të drejtë është transmetuar se: “Për çdo vit vinte krye-engjëlli Xhibril tek i dashuri i Zotit dhe i Dërguari i Tij për ta përsëritur Kuranin në Ramazan e në Ramazanin që ai ndërroi jetë e përsëritën së bashku dy herë.” Sahih. Sahabet dhe të parët tanë në Ramazan e bënin hatmen e tërë Kuranit nga një deri në dhjetë herë për të mos përmendur pastaj edhe raste disi të habitshme dhe të çuditshme për njerëzit e kohës së sotme, si Ebu Hanife apo Shafiu Allahu i mëshiroftë. Në Ramazan shtohet një lloj namazi që s’është si namazet e tjera gjatë gjithë vitit e ai quhet Kijam, ose Teravih dhe gjëja më specifike e këtij namazi është pikërisht leximi i Kuranit. Burrat e moçëm të këtij umeti në Ramazan i ndërprenin mësimet e tyre dhe i udhëzonin nxënësit e tyre për t’u marrë me Kuranin, si imam Maliku rahimehullah. Katade çdo javë bënte hatme, ndërsa në Ramazan në çdo tre ditë. Zuhriu thoshte se ky muaj është ushqim për të varfrit dhe lexim Kurani. Sepse ai është mirësia më e madhe e Zotit me të cilën gëzohet besimtari: “Thuaj me mirësitë e Allahut dhe me mëshirën e Tij, me to le të gëzohen besimtarët, padyshim se kjo është më mire se ajo që mbledhin mohuesit prej thjesht mirësive të kësaj bote.” Sure Junus-58.
Këndimi i Kuranit është pasuria më e mirë, se konvertohet në dritë e besim, dhe kapital i pakonvertueshëm e si pasojë do të ndodhë Ditën e Gjykimit ndërmjetësimi i Kuranit dhe i agjërimit. Në një hadith thuhet: “Kurani dhe agjërimi do të ndërmjetësojnë tek Allahu në Ditën e Gjykimit. Kurani do të thotë: “O Zoti im s’e lashë që të flejë i qetë, kështu që më lejo të jem ndërmjetësuesi i tij sot?”. Zoti e lejon. Agjërimi do të thotë: “Zoti im e ndalova nga ushqimi dhe qejfet e tekat e tij, kështu që më lejo të jem ndërmjetësuesi i tij sot?” Zoti e lejon. Sahihul Xhami’ 3882.
Shpirti është më i pastruar gjatë Ramazanit dhe më i mirë, sepse është për një kohë të gjatë në adhurim dhe kjo ndodh për ditë me radhë, kështu që ky shpirt meriton gjënë më të mirë që është vetë fjala e Allahut: “Allahu e shpalli të folmen më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas herë (me këshilla e dispozita), që prej dëgjimit të tij rrëqethen lëkurat dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i Allahut, me të udhëzon atë që do. E atë që Allahu e le të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.” Sure Zumer 23. E si pasojë jeta dhe të jetuarit nën hijen e Kuranit ka një kuptim tjetër që e di vetëm ai që e ka shijuar, ndërsa ai që ka shijuar s’gjen dot gjë tjetër që mund ta zëvendësojë apo që mund ta konkurrojë. Mirësi dhe begati që njerëzit sado që të dëshironin ta falënderonin Zotin, nuk do të mund ta falënderonin, për këtë arsye Ai vetë e lavdëron Veten e tij, kur thotë: “Falënderimet i takojnë Allahut, që i zbriti robit të tij Librin dhe në të s’bëri kundërshtime.” Sure Kehf, 1.
Mirësia që të bën ta shijosh jetën ndryshe dhe jo më kot është quajtur shpallja që i është dhuruar Muhamedit “Shpirti”, që do të thotë se është si shpirti për jetën, dhe se shpirti s’mund të orientohet ndryshe veçse nëpërmjet tij: “Ne kështu të shpallëm ty, o Muhamed shpirtin nga ana jonë. Ti nuk e dije se ç’është Libri, as besimi, po ne e bëmë dritë me të cilën udhëzojmë kë të dëshirojmë prej robërve tanë. Padyshim që ti (o Muhamed) i udhëzon njerëzit për në rrugë të drejtë.” Sure Shura 52. Mjafton që Zoti i Madhërishëm e cilëson duke thënë: “Juve ju erdhi nga Allahu dritë, dhe libër i qartë. Allahu e vë me atë (me Kuranin) në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dritë dhe i udhëzon në një rrugë që është e drejtë.” Sure Maide 15-16. Dritë, e kujt s’i jep Zoti dritë do të jetë përgjithmonë në terr. Po mos të harrojmë, se tek ky Libër, në madhështinë dhe hijen e tij, forcën që ka ai mund ta mbajë vetëm një zemër e mbushur me besim dhe iman, se ky libër është aq i fuqishëm dhe madhështor, saqë e mbartin vetëm zemra të tilla, sepse ky Kuran është: “Sikur me këtë Kuran të lëviznin malet apo të çahej toka, apo t’ju flitej të vdekurve do të ishte i denjë. Allahut i takon gjithçka.” Ishte pikërisht ky libër me këto atribute e këtë fuqi, që bëri mrekulli në historinë njerëzore, duke qenë zhvillimi dhe teknologjia borxh i kësaj shpallje hyjnore.
“Sikur ta kishim zbritur këtë Kuran mbi një mal do ta shihje të strukur e të çarë prej frikës së Zotit, ky është një shembull që Ne ua japim njerëzimit në mënyrë që ata të logjikojnë.” Sure Hashr -21, sepse: “Ky Kuran udhëzon dhe orienton për atë që është më e mira, më e përkryera.” Sure Isra 9, e Ramazani padyshim është koha më e efektshme. Në një nga hadithet e bukura të Profetit sal-allahu alejhi ue selem thuhet: “Lexoje Kuranin, se ai është shpirti yt në qiell e përmendja jote në tokë.” Sahihul Xhami 2543. Kurani është shërimi dhe kurimi i çdo sëmundje të pashpresë për shkencën dhe teknologjinë bashkëkohore: “Ne zbritëm prej Kuranit shërim dhe mëshirë për besimtarët.” Sure Isra-82.
A e ke pyetur veten pse është kaq i rëndësishëm ky libër në përgjithësi e në Ramazan në veçanti? Po ashtu do të ishte edhe leximi i tij, ose më mirë do të thoshim meditimi rreth tij, sepse gjithmonë ky është qëllimi në tërësi, kur në tekste thuhet: “leximi i Kuranit”. “Libri i Allahut është litari i Zotit në tokë deri në qiell.” Sahih el Xhami’ 4473. Leximi i Kuranit të jep rastin të shoqërohesh me Melaiket: “Ai që e lexon Kuranin mirë dhe rrjedhshëm sipas rregullave do të jetë me Melaiket e nderuar, ndërsa ai që e lexon me vështirësi ka shpërblim të dyfishtë.” Buhariu.
Ai është:
I rëndësishëm, sepse nëpërmjet tij ti komunikon drejtpërdrejt me Zotin tënd.
I rëndësishëm, sepse është fjala e Zotit tënd për ty.
I rëndësishëm, sepse ai është udhëzimi yt.
I rëndësishëm, sepse ai është matësi i besimit tënd.
I rëndësishëm, sepse ai të forcon besimin, e rrit dhe e zhvillon atë.
I rëndësishëm, sepse ai është garancia jote në këtë botë.
I rëndësishëm, sepse ai është garancia jote në varr.
I rëndësishëm, sepse ai do të jetë argument për ty ose kundër teje.
I rëndësishëm, se ai do të jetë dëshmi për ty ose kundra teje.
I rëndësishëm, se ai bashkë me agjërimin ndërhyjnë te Zoti për të ndërmjetësuar.
I rëndësishëm, që të shpëtosh nga tmerret e Ditës së Gjykimit.
I rëndësishëm, sepse do të shpëtojë kur të kalosh mbi Siratin, urën e vendosur mbi xhehenem.
I rëndësishëm, sepse do të fitosh me të xhenetin.
I rëndësishëm, se me të jeta në këtë botë merr një kuptim.
I rëndësishëm, sepse është forma më e mirë e përmendjes dhe e përkujtimit të Zotit e si pasojë e qetësimit të zemrave dhe shpirtrave.
I rëndësishëm, sepse ai është ilaç për çdo sëmundje.
I rëndësishëm për të fituar qëndrueshmëri dhe pathyeshmëri sa të jesh gjallë.
I rëndësishëm, që të dalim nga kjo situatë që e ka pllakosur umetin dhe të kthehemi në udhëheqës të botës siç ishim.
I rëndësishëm, sepse ti je i rëndësishëm e gjëja që të rregullon është diçka më e rëndësishme sesa ti. Ajo që është më e rëndësishme është të kujtosh thënien e Mustafasë sal-allahu alejhi ue selem: “Vlerësimi i fjalës së Allahut në krahasim me fjalët e njerëzve është si vetë krahasimi i Vetë Allahut me njerëzit’’. Pra, sado që ti të mundohesh ta madhërosh, ta lavdërosh, ta dëlirësosh Allahun me fjalët e tua, apo duke kopjuar fjalët e njerëzve të tjerë, ato nuk mund të krahasohen me madhërimin, lavdërimin e dëlirësimin e Tij, duke lexuar fjalën e Tij. Ata që këtë punë e kanë kthyer në jetesë janë “familja” e Allahut në tokë, për këtë arsye në një hadith profetik thuhet: “Allahu ka të afërmit e vet “familjen” në tokë. Ata që angazhohen me Kuranin janë të afërmit e familja e Allahut në tokë.” Sahih el Xhami’ 2165. A nuk dëshiron të jesh prej tyre? Atëherë ç’pret pra, pastrohu merr abdes e hape këtë Libër, që është fjala e Zotit tënd dhe LEXO, LEXO, LEXO dhe vetëm LEXO, se gjëja e parë që ka zbritur prej këtij libri është fjala: “LEXO!”. Në një hadith thuhet: “Do t’i thuhet lexuesit të Kuranit lexo dhe ngrihu, se vendi yt në xhenet do të jetë në gradën e ajetit të fundit që do të lexosh.” Sahihul Xhami’ 8122. Ndërsa në hadithin tjetër thuhet: “Kurani do t’i thotë Zotit: O Zot zbukuroje! Allahu do t’i vendosë kurorën e nderit. Pastaj Kurani do të thotë: O Zot ji i kënaqur prej Tij! Allahu do të kënaqet prej tij.” Sahihul Xhami’ 8030. Sepse sa më pranë tij, sa më pranë folësit të Tij në këtë botë dhe tjetrën. Ja dhe një lutje profetike, që ka të bëjë me Kuranin plus një shtesë të vogël në kuptimin e saj, besoj se thënia e saj në Muajin e Ramazanit, Muajin e Kuranit është më se me vend. Duaja në hadith: “O Allah jemi robërit e Tu, bijtë e robërve të Tu, bijtë e robëreshave të Tua, çdo gjë që ka të bëjë me ne është në dorën tënde, me drejtësi mbi ne zbatohet gjykimi yt; Ty dhe vetëm ty të lutemi me çdo emër që ti e ke zbritur në librin Tënd, me çdo emër që ia ke inspiruar ndonjërës prej krijesave të Tua, me çdo emër që e ke ti në dijen Tënde të Gajbit dhe që s’e di askush përveç Teje, të lutemi duke thënë:
O Allah, bëje Kuranin Famëlartë pranverë, qetësi, lumturi të zemrave dhe shpirtrave tonë!
O Allah, bëje Kuranin Famëlartë dritë të zemrave dhe gjokseve tonë!
O Allah, bëje Kuranin Famëlartë largim të çdo shqetësimi e brenge si në këtë botë dhe tjetrën!”
O Allah, bëje Kuranin Famëlartë argument për ne dhe jo argument kundra nesh, dëshmi për ne dhe jo dëshmi kundra nesh!
O Allah, bëje Kuranin Famëlartë ndërmjetësuesin tonë tek ti Ditën e Gjykimit, atë ditë kur nuk bën dobi, as pasuria, as pasardhësit, por zemra e pastër dhe e shëndoshë!
O Allah, na bëj në familjen Tënde në Tokë, që te jemi me Ty pranë teje në xhenetet më të larta, ato të Firdeusit!
Në mbyllje do të përmend një ajet Kurani dhe një Hadith profetik. Ajeti në suren Fatir, 29: “Padyshim ata që e lexojnë Librin e Allahut, falin namazin rregullisht dhe japin prej asaj që ne ju kemi dhënë fshehurazi dhe hapur; të këtillët shpresojnë tregti të pashtershme. Allahu do t’i shpërblejë për atë që kanë bërë dhe do t’i shtojë mirësitë e Tij ndaj tyre. Allahu është shumë falës i madh dhe shumë i Mëshirshëm.”
Hadithi transmetohet nga dy sahabe, Ebu Hurejra dhe Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre), se kanë thënë: “Profeti mbajti një ligjëratë një ditë dhe tha: “Betohem në Atë në Dorën e të Cilit ndodhet shpirti im. Betohem në Atë në Dorën e të Cilit ndodhet shpirti im. Betohem në Atë në Dorën e të Cilit ndodhet shpirti im”. Pastaj qau me dënesë dhe njerëzit pa përjashtim dhe asnjëri prej nesh nuk e dinte shkakun se për çfarë u betua. Më pas ngriti kokën dhe pamë në fytyrën e tij shenjat e përgëzimit, gjë që na gëzoi më shumë se çdo gjë tjetër, madje edhe më shumë se “devetë e kuqërremta”. Në atë moment ai deklaroi: “Nuk ka njeri që i fal të pesë namazet dhe agjëron Ramazanin, nxjerr Zeqatin, ruhet prej shtatë mëkateve të mëdha, dhe atij të mos i hapen dyert e Xhenetit e do t’i thuhet: “Futu në xhenet me paqe”. Nesaiu 2438.
Uel hamdulilah rabil alemin dhe së fundi falënderoj Allahun, Zotin e gjithçkaje!
Shkroi: Ahmed KALAJA