Lavdia i takon Allahut.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhammedin (Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të).
Të nderuar agjërues!
Agjërimi i syrit është ndalimi i shikimit të haramit. Allahu i Lartësuar thotë:
“Thuaju besimtarëve që të ulin shikimin (nga të vështruarit e gjërave të ndaluara) dhe t’i ruajnë vendet e trupit (nga shikimi, veprimet e paligjshme imorale). Kjo është më e pastër për ta. Vërtet që Allahu është i Mirënjohur për çfarë veprojnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ulin shikimin (nga të vështruarit e gjërave të ndaluara) dhe t’i mbrojnë vendet e trupit të tyre.” (Nurë, 30-31).
Muhammedi (Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) thotë:
”Allahu ka përcaktuar hisen e njeriun në imoralitet (zina), ai do të bjerë në të domosdo. Syri bën zina, kurse zinaja e syrit është shikimi.” (Shënon Buhariu).
Shikimi i pakontrolluar shkakton depozitimin e atyre pamjeve në kujtesë, pa marrë parasysh a janë të gjalla, fotografi të shtypura në revista ose pamje që lëvizin në filma. Shikimi i herëpashershëm i tyre shkakton lehtësimin e rikthimit të këtyre pamjeve dhe rikthimi i këtyre pamjeve shkakton parafytyrimin e tyre në forma të caktuara. Kjo zgjon epshin, kurse njeriun zemërsëmurë e kaplon stresi i madh.
Ulja e shikimit sjell shumë dobi në jetën e kësaj bote, si:
-Zbatimi i urdhrit të Allahut, që është kulmi i lumturisë së njeriut në jetën e kësaj bote dhe në ahiret;
-Pengon depërtimin e gjurmëve të shigjetave të helmuara;
-Shkakton gëzim të zemrës me Zotin dhe i tërë potenciali i njeriut përqendrohet tek Allahu, sepse shikimi i pakontrolluar shkakton shkapërderdhjen e zemrës, largimin e saj nga Zoti. Gjëja më e dëmshme për njeriun është shikimi i pakontrolluar, i cili sjell egërsi mes njeriut dhe Zotit të vet;
-Forcon zemrën dhe e gëzon, ashtu sikurse shikimi i pakontrolluar e dobëson dhe e mërzit;
-I jep zemrës dritë, ashtu sikurse shikimi i pakontrolluar i jep errësim.
Të nderuar agjërues!
Edhe veshi ka përgjegjësi para Allahut të Lartësuar. Të dëgjuarit i nënshtrohet agjërimit atëherë kur veshi nuk dëgjon haramin, fjalën e ndytë dhe të keqe, muzikën e shejtanit. Mos harroni fjalën e Allahut të Lartësuar:
“Dhe mos ndiq (o njeri! Mos fol, mos bëj) atë gjë për të cilën s’ke dijeni. Me të vërtetë që të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemra, secila prej tyre do të pyetet (nga Allahu në Ditën e Llogarisë).” (Israë, 36).
Zemra që nuk e kupton të vërtetën, syri që nuk sheh realitetin dhe veshi që nuk e dëgjon këshillën, të gjitha këto e ulin njeriun në nivel dhe shkallë shumë të ulët. Allahu i Lartësuar thotë:
“Dhe vërtet që Ne kemi krijuar shumë nga xhinët dhe njerëzit për xhehenem. Ata kanë në vete zemra, me të cilat nuk kuptojnë, ata kanë në vete sy, me të cilët nuk shohin, ata kanë në vete veshë, me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëti. Jo, akoma më keq. Ata! Ata janë krejt të pamend e të hutuar.” (A’rafë, 179).
Të nderuar agjërues!
Nëse prishet dhe çoroditet syri, prishet dhe çoroditet edhe zemra e bëhet si vend mbeturinash, ku grumbullohen ndyrësirat dhe mbeturinat. Kjo zemër nuk është më e përshtatshme që në të të banojë njohja e Allahut, dashuria ndaj Tij, pendimi tek Ai, gëzimi me Të dhe me afërsinë e Tij, por në të banojnë gjërat e kundërta.
Allahu im! Ruaji sytë tanë nga harami!
Allahu im! Ruaje dëgjimin tonë nga çdo gjë që është e ndaluar!