Pyetja: I nderuar hoxhë! Më tregoni cilat janë gjërat që ndihmojnë në faljen e namazit të natës?
Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut xh.sh Sunduesit të Ditës së Gjykimit, kurse paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të Dërguarin e Tij.
Gjërat që ndihmojnë në kryerjen e namazit të natës janë të shumta, ndërsa ne në vazhdim do t`i tregojmë disa:
1.Sinqeriteti ndaj Allahut xh.sh Allahu i Lartësuar urdhëron që veprat të kryhen sinqerisht vetëm për Të: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.” (El-Bejine:5)
Në çastin kur sinqeriteti forcohet në zemrën e besimtarit, atëherë ai anon drejt udhëzimit për t`u nënshtruar dhe për vepra të mira që e afrojnë te Allahu.
Transmetohet se Ubej ibën Kabi r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Përgëzoje këtë umet me pozitën e lartë, me fenë, me lartësimin, me fitore dhe pushtetitin në Tokë. Kush bën vepra të ahiretit për dynjanë, në ahiret nuk do të ketë asgjë.” (Ahmedi në Sahilul-xhamia,2825)
Mutrif ibën Abdullah ibën Esh-Shehiri ka thënë: “Vërtetësia e veprave shihet në vërtetësinë e zemrës, kurse vërtetësia e zemrës njihet nëpërmjet vërtetësisë së qëllimit (nijetit).” Ibën Kajimi (Zoti e mëshiroftë) ka thënë: “Sipas madhësisë së qëllimit dhe dëshirës që ka robi në zemrën e tij vjen edhe udhëzimi e ndihma e Allahut xh.sh. Pra ndihma e Allahut zbret te robërit sipas madhësisë së dëshirave, qëllimeve dhe frikërespektit të tyre.
Mirëpo duhet të dihet se edhe nënçmimi vjen varësisht prej këtyre faktorëve. Kjo është arsyeja që paraardhësit tanë të drejtë me ngulm janë përpjekur t`i ruajnë veprat e tyre me nënshtrim ndaj Allahut, si p.sh namazi i natës. Një njeri e kishte pyetur Temim ibën Evs ed-Dariun (Zoti e mëshiroftë) lidhur me namazin e natës: “Si je me nanzim e natës? “ Temimi u hidhërua shumë e tha: “Pasha Allahun, reqatin që e fail në mesnatë në fshehtësi për mua është më i dashur sesa të falem tërë natën e pastaj t`ju tregoj njerëzve.”
Për Ejub Es-Sihtijaniun tregohet se është falur tërë natën. Kështu, kur afrohej agimi, kthehej dhe shtrihej në shtrat. E kur vinte mëngjesi, e ngriste zërin sikur sapo të ishte ngritur.
2. Ai që dëshiron të falet, duhet të ndiej sikur Allahu është duke e thirrur në namazin e natës. Robi kur e ndien se Zoti dhe Mbrojtësi i Tij e thërret, të Cilit asnjë nënshtrim nuk i nevojitet, është mundësia më e madhe që njeriu t`i përgjigjet. Allahu thotë: “O ti i mbështjellur! Ngrihu për falje natën, përveç një pjesë të vogël të saj. Gjysmën e saj ose diç më pak se gjysmën. Ose shto diç prej saj dhe Kuranin lexoje me vëmendje.” (Muzemil:1-4)
Transmetohet se Sad ibën Hisham ibën Amir r.a, i kishte thënë Ajshes r.a: “Më trego për namazin e natës së të Dërguarit, sallahu alejhi ve selem!” Ajo i tha: “Vallë, a e lexon: “O ti i mbështjellë! I thashë: “Gjithsesi!” Ajo tha: “Allahu xh.sh e ka urdhëruar namazin e natës si obligim i rreptë në fillim të kësaj sureje. Kështu Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, dhe sahabët një vit e kanë falur këtë namaz. Për këtë sure, dymbëdhjetë muaj nuk është shpallur përfundimi, derisa Allahu në fund të saj e shpalli lehtësim. Namazi i natës është bërë vepër vullnetare pasi që ishte obligim i rreptë”
3.Me e njohtë vlerën e namazit të natës. Kush e kupton vlerën e këtij adhurimi, atëherë me ngulm do ta ruaj lidhjen me Zotin xh.sh duke u falur në këtë kohë. Në mesin e thënieve të transmetuara është vërtetuar hadithi i Ebu Hurejres r.a se i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Namazi më i mirë pas atij të obliguar është namazi në mesnatë. Ndërsa agjërimi më i mire pas muajit të Ramazanit është agjërimi i muajit të shenjtë të Allahut, Muharem.” (Muslimi)
Transmetohet se Abdullah ibën Amër r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Namazi më i dashur për Allahun është namazi i Davudit dhe agjërimi më i dashur për Allahun është agjërimi i Davudit. Ai flinte gjysmën e natës, pastaj falej në një të tretën e saj, pastaj flinte një të gjashtën (pjesën e mbetur). Një ditë agjëronte, ndërsa ditën tjetër hante.” Mutefekun Alejhi
Transmetohet se Amër ibën Abese r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Robi është më afër Allahut në pjesën e fundit të natës, Nëse mund të jesh prej atyre që e përmendin Allahun në atë kohë, atëherë bëhu.” (Et-Tirmidhiu dhe En-Nesai.)
Transmetohet se Ibën Mesudi r.a ka thënë: “I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Zoti ynë çuditet me dy persona: Njeriu që ngrihet prej shtratit e familjes dhe shkon në namaz. Atëherë Allahu thotë: “O engjëj Shikojeni robin Tim si është ngritur për namaz dhe e ka lënë shtratin e familjes dhe ka a rdhur në namaz nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë.” (Ahmedi)
Namazi i natës e largon pakujdesinë e zemrës. Transmetohet se Abdullah ibën Amër ibën Asi r.a ka thënë: “I Dërguari salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kushë e falë namazin e natës duke i lexuar dhjetë ajete, nuk do të llogaritet në mesin e njerëzve të pakujdesshëm. Kush falet duke i lexuar njëmijë ajete, do të shkruhet në mesin e atyre të cilët posedojnë shumë pasuri.” (Ebu Davudi dhe Ibën Hibani)
Jahja ibën Muadhi ka thënë: “Ilaçi i zemrës është në pesë gjëra: në leximin e Kuranit me meditim, në barkun e zbrazët, në namazin e natës, përulësia në pjesën e tretë të natës dhe në shoqërim me njerëzit e mirë.”
4. Duhet të shikohen veprimet e paraardhësve të drejtë me rastin e namazit të natës, e posaçërisht lidhshmërinë e tyre për këtë namaz.
Paraardhësit tanë ëmbëlsoheshin me namazin e natës dhe shumë i janë gëzuar atij. Abdullah ibën Vehbi ka thënë: “Në esencë, çdo ëmbëlsim është një kënaqësi, përveç adhurimit. Adhurimi i posedon tri kënaqësi: derisa je duke bërë adhurim, kur e përkujton atë dhe kur shpërblehesh për të.”
Muhamed ibën El-Munkediri ka thënë: “Prej ëmbëlsive të kësaj bote nuk ka mbetur asgjë, përveç namazit me xhemat.” Thabit el-Benani ka thënë: “Nuk gjejë asgjë më të ëmbël në zemrën time sesa namazi i natës.” Jezid Er-Rekashi ka thënë: “Me gjatësinë e namazit të natës vjen gëzimi i syve të robërve të sinqertë. Ndërsa me gjatësinë e etjes, zemrat e tyre i gëzohen takimit me Allahun.
” Muhalled ibën Husejni ka thënë: “Sa herë që jam zgjuar natën, e kam takuar Ibrahim ibën Ed`hemin se si e përmend Allahun dhe falet. Atëherë më vinte rëndë, mirëpo ngushëllohesha me ajetin: “Kjo është mirësi e Allahut, që ia jep atij që do, e Allahu është Zoti i dhuntisë së përsosur.” (El Xhumua:4).
Ebu Asi Menebili ka thënë: “Ebu Hanifen e kishin quajtur “shtyllë” për shkak se falej (qëndronte drejt në namaz).” El-Kasim ibën Mu`init ka thënë: “Ebu Hanife e kalonte natën e namazit duke e lexuar ajetin: “Por jo, afati i tyre ëshë kiameti, e ai është edhe më i vështirë, edhe më i hidhur.” (El-Kamer:46)
E përsëriste këtë ajet duke qarë dhe lutej me përulje.”
Ibrahim ibën Shemasi ka thënë: “E kam parë Ahmed ibën Hanbelin se si e kalonte natën në adhurim derisa ishte fëmijë” Ebu Bekër El-Mirvezi ka thënë: “Isha me imam Ahmedin rreth katër muaj në ushtri. Ai çdo herë falej natën, ndërsa ditën lexonte Kuran. Imam Buhariu falej në fillim të natës, kurse pjesën e fundit të natës kalonte duke lexuar përafërsisht gjysmën apo një të tretën e Kuranit.
Në këtë kohë të natës e përfundonte hatmen në çdo të tretën ditë. Ibën Abdu-Hadi e përshkruan namazin e natës të shejhul-islam Ibën Tejmijes më fjalët: “Natën kalonte larg të gjithë njerëzve, pra vetmohej me Zotin e tij, ishte i përulur dhe pandërprerë lexonte Kuran. I përsëriste llojet e ndryshme të adhurimeve të natës dhe ato të përditshmerisë. Kur fillonte të fal namaz, gjymtyrët e tij dridheshin, ashtu që lëkundeshin djathas-majtas.” Ibën Rexhebi duke folur për mësuesin e tij
Ibën Kajjimin ka thënë: “Ai vazhdimisht kryente adhurime, por edhe natën e kalonte duke e adhuruar Allahun e Lartësuar. Kështu namazi, i tij ishte shumë i gjatë, Andaj, nuk kam pare të ngjashëm në adhurime, në njohjen e Kuranit, në lëminë e hadithit dhe në çështjet e besimit sikurse ai.” Ibën Haxheri duke folur për mësuesin e tij, Hafiz El-Irakiun ka thënë: “Pjesën më të madhe të kohës sime e kam kaluar me të. Kështu, nuk kam pare që ndonjëherë e ka lënë namazin e natës, ngase iu kishte bërë shprehi.
5. Të flejmë në anën e djathtë. Transmetohet se Ebu Hurejra r.a ka thënë: “I Dëruari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush shtrihet në shtrat, le ta fshijë me skajin e rrobeve të tij, sepse nuk e din se çka ka rënë pas tij në shtrat. Pastaj le të bjerë në krahun e djathtë dhe le të thotë: “Bismike Rabbi veda`tu xhenbi ve bike erfe`uh. In emsekte nefsi ferhamha, ve in erselteha fahfidha bima tahfadhu bihi ibadekes-salihin. (Me emrin Tënd! Zoti im! Po shtrihem ne krahun tim dhe me Ty ngrihem. Nëse e merr shpirtin tim, mëshiroje atë, ndërsa nëse e kthen, ruaje me atë me të cilën i ruan robërit e Tu të mirë.”) Mutefekun alejhi
Transmetohet se El-Bera ibën Azibi r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kur dëshiron të shtrihesh në shtrat, merr abdes si për namaz dhe bjer në krahun e djathtë.” Mutefekun alejhi
Transmetohet se Hafsa r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, kur shtrihej ne shtrat, e vendoste dorën e djatht nën faqen e djathtë.” Taberani, Sahilul-xhami 4523
Ibën Kajimi ka thënë: “Në shtrirjen e të Dërguarit, salallahu alejhi ve selem, në anën e djathtë është një sekret, e ajo është zemra ndodhet në anën e majtë. Kur njeriu fle në anën e majtë, atëherë gjumi i rëndohet, sepse zemra është e lehtë dhe e relaksuar.”
6. Të shtrihet në krevat duke qenë me abdes. Transmetohet se El-Bera ibën Azibi r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kur dëshiron të shtrihesh në shtrat, atëherë merr abdes sikur për namaz.” Mutefekun alejhi
Transmetohet se Muadh ibën Xhebeli r.a ka thënë: “I Dërguar, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Secili musliman që bie në gjumë duke e përmendur Allahun dhe duke qenë me abdes, e pastaj zgjohet natën dhe e lute Allahun për të mirat e dynjasë dhe të ahiretit, atëherë Allahu do t`ia jape atë;” [Ebu Davudi dhe Ahmedi, Sahihul-xhami,5754]
Transmetohet se Ibën Abasi r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Pastroni këta trupa, Allahu ju bëftë të pastër! Secili rob që e kalon natën i pastër (me abdes), atëherë do të qëndrojë tërë natën mbi kokë një engjëll. Kur të rrotullohet natën, (engjëlli) thotë: “Allahu im! Falja robit Tënd, sepse ai ka rënë në gjumë të pastër!” [Taberani, ndërsa Mundhiri ka thënë: “Zinxhiri i transmetuesve është i mirë” Sahihul-xhami, 3831]
7. Të biem herët në gjumë. Pra të bimë e të flejmë pas namazit të jacisë është porosi pejgamberike, e kam fjalën, është cilësi e mire, dhe shprehi e shëndosh. Lidhur me vlerën e rrënies së hershme në gjumë, flet hadithi i Burza El-Eslemiut r.a i cili transmeton prej të Dërguarit , salallahu alejhi ve selem, se ai kishte merak që pak ta shtynte jacinë .
Kështu, urrente të flejë para saj dhe të fliste pas saj.” [Buhariu] Ibën Haxheri transmeton se El-Kadi Ijadit për fjalët: “…Kështu, urrente të flejtë para sa…” ka thënë: “Kjo shkakton që namazi i jacisë të mos falet në kohë e saj të caktuar, ngjashëm sikur ndeja pas jacisë e shkakton mungesën prej namazit të natës.” Ibën Rafi ka thënë: “Omer ibën Hatabi r.a, i largonte njerëzit duke e përdorur shkopin pas namazit të jacisë, duke thënë: “Ngrihuni, ndoshta Allahu ju furnizon me namaz!”
Sa i përket gjumit, duhet të zgjedhet shtrati që përshtatet, ashtu që nuk duhet ta teprojmë me dyshekun, butësisë dhe komoditetit sepse tërë kjo shkakton gjumin e thellë të pakujdesinë, pra e shkakton përtacinë dhe rehatinë. Transmetohet se Ajsheja r.a ka thënë: “Jastëku ku ka fjetur i Dërguari salallahu alejhi ve selem, ishte prej lëkurës së regjur i mbushur me gjethe të palmës.” [Ebu Davudi dhe Ahmedi]
Transmetohet se Ibën Abasi r.a ka thënë: “Omeri r.a, kishte hyrë te i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, derisa ishte në hasër e cila në shpinën e tij kishte lënë gjurmë. Omeri r.a i tha: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të kishte marrë një shtrat më të rehatshëm se ky!” I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, i tha: “Unë nuk kam dëshirë të jepem pas kësaj bote. Dynjaja për mua është si një kalorës që udhëton në një ditë të nxehtë vere dhe në një pjesë të ditës ai strehohet nën fllad, e pastaj vazhdon.” [Ahmedi dhe El-Hakimi;Sahihul – xhami,5545]
Shërbëtorja ia rregullonte shtratin Ali ibën Bekarit (Zoti e mëshiroftë), e kur ai e prekte shtratin thoshte: “Pasha Allahun! Ti je shtrat i mrekullueshëm. Pasha Allahun! Ti je i rehatshëm, mirëpo sonte nuk do të jem në ty.” Pastaj zgjohej dhe falej deri në mëngjes.
Por edhe nuk duhet ta teprojmë duke fjetur. Ibrahim ibën Ed`hemi ka thënë: “Nëse natën e kalon në gjumë, ndërsa ditën kot dhe duke bërë mëkate, atëherë si do të fitosh simpatinë e Atij që kujdeset për ty!”
8. T`u përmbahemi mësimeve të dhikrit që janë të caktuara para gjumit. Ky dhikër është beden i fuqishëm i cili me lejën e Allahut, të ruan prej djallit dhe të ndihmon që të ngrihesh në namazin e natës.
Transmetohet se Ebu Hurejre r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush shtrihet në shtrat, le ta fshijë atë me skajin e rrobës së tij, sepse nuk e di se çka është shtrirë pas tij në shtrat. Pastaj le të shtrihet në krahun e djathtë dhe le të thotë: “Bismike Rabbi veda`tu xhenbi ve bike erfeuh in emsekte nefsi ferhamha ve in erselteha fahfadhha bima tahfedhi bihi ibadekes-salihin.” (Me emrin Tënd! Zoti im! Shtrihem në krahun tim dhe me Ty ngrihem. Nëse e merr shpirtin tim, mëshiroje atë, ndërsa nëse e kthen atë, ruaje me atë me të cilën i ruan robërit e Tu të mirë).” Mutefekun alejhi
Transmetohet se Ajsheja r.a ka thënë: “I Dërguari salallahu alejhi ve selem, kur shtrihej në shtrat i afronte duart dhe frynte në to duke thënë: “Kulhuvallahu Ehad, Kul`eudhi bi Rabbil-felek dhe Kul`eudhu bi Rabbin-nas”, pastaj me shuplaka e prekte atë që arrinte ta prekë prej trupit të tij prej kokës dhe fytyrës e teposhtë. Këtë e bënte tri herë.” Mutefekun alejhi
Transmetohet se Ibën Mesudi r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kush i thotë në mbrëmje dy ajetet e fundit të sures Bekare, atij i mjaftojnë (si mbrojtje).” Mutefekun alejhi
Transmetohet se Enes ibën Maliku r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, me rastin e shtrirjes së tij në shtrat thoshte: “Falënderimi i takon Allahu që na ka ushqyer e na ka dhënë të pimë dhe i Cili na mjafton, ndërsa shumë njerëz janë pa mbrojtës e pa strehim!” [Muslimi]
Në një thënie përmendet se djalli i kishte thënë Ebu Hurejres r.a: “Kur të shtrihesh në shtrat, lexoje Ajetul-kursinë (Allahu la ilahe i-la Huvel-Hajul-Kajum) deri në fund. Me ty vazhdimisht do të jetë një rojtar prej Allahut dhe djalli nuk do të ofrohet derisa të gdhish.” Ebu Hurejre r.a, këtë ia kishte përmendur të Dërguarit, salallahu alejhi ve selem, e ai i kishte thënë: “Të vërtetën e ka thënë, ndërsa ai përndryshe gënjen.” Mutefekun alejhi
Transmetohet se Ali ibën Ebi Talibi r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, i kishte thënë vajzës së tij Fatimes, kur ajo kishte shkuar që të kërkon shërbëtor prej tij: “Vallë, dëshiron që t`ju udhëzojë në diçka që është më e mire se shërbëtori? Kur të shtriheni në shtrat, thoni 33 herë Subhanallah, 33 herë El-Hamdu lil-lah dhe 34 herë Allahu Ekber. Kjo është më e mire se shërbëtori!” Mutefekun alejhi
Transmetohet se Enes ibën Maliku r.a ka thënë: “I Dërguari salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Lexo (Kul ja ejuhel-kafirun) kur dëshiron të flesh, sepse (kjo sure) është heqje dorë prej shirkut.” (Bejhekiu, Sahihul-xhami,1172)
Transmetohet se Hafsa r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, gjatë shtrirjes në shtrat, vendosi dorën e tij të djathtë nën faqen e djathtë të fytyrës dhe thoshte: “Allahu im! Më ruaj prej dënimit Tënd kur i ringjall robërit Tu!” (Ebu Davud, Sahihul-xhami,4532)
Transmetohet se El-Bera ibën Azibi r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kur dëshiron të flesh, merr abdes sikur për namaz, pastaj shtriju në krahun e djathtë dhe thuaj: “Allahu im! Ty t`u kam nënshtruar, fytyrën time kah Ti e kam drejtuar, veten time Ty ta kam dorëzuar, në prehrin Tënd jam strehuar nga dëshira dhe frika prej Teje. Nuk ka mbrojtje e as strehim prej Teje përveç se te Ti. Besojë në librin Tënd që e ke shpallur dhe në Pejgamberin që e ka dërguar” –e nëse vdes, ke vdekur në fenë e drejtë (fitra). Le të jenë këto fjalët e fundit që i ke thënë” Mutefekun alejhi
Muslimani duhet rregullisht t`i lexojë dhikret e caktuara me rastin e zgjimit prej gjumit. Transmetohet se Ebu Hurejre r.a ka thënë: “I Dërguaru salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush zgjohet , le të thotë: “Falënderimi i takon Allahut që ma ka kthyer shpirtin, që e ka ruajtur trupin tim dhe që ka lejuar që ta përmend Atë!.” (Tirmidhiu dhe Nesaiu)
Transmetohet se Ubade ibën Samiti r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Kush zgjohet natën, le të thotë: “La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike leh, lehul-mulku ve lehul-hamdu ve huve ala kul-li shej`in kadir, El-hamdu lil-lah, subhanallah, ve la ilahe il-lallahu vallahu ekber. Ve la have ve la kuvete il-la bil-lah”, e pastaj thotë: “Allahu im! Më fal, apo kërkon diçka tjetër, lutja do t`i pranohet. Nëse merr abdes dhe flaet, namazi do t`i pranohet” (Buhariu).
Imam Ibën Betali ka thënë: “Allahu me gjuhën e të Dërguarit të Tij, i premton atij që zgjohet duke i thënë fjalët e njësisë së Zotit të tij, i nënshtruar në pushtetin e Tij, duke i pranuar begatitë e Tij dhe duke e falënderuar për to dhe duke mos i përshkruar Atij atë që nuk i takon, duke thënë tesbih dhe me përulje duke e thënë tekbirin, duke iu dorëzuar Atij nga pafuqia dhe nga nevoja për ndihmën e Tij, atëherë nëse e lute Atë për diçka, Ai do t`i përgjigjet, e nëse falet, namazi do t`i pranohet. Për këtë shkak, te ai që ka arritur ky hadith, duhet të ketë dobi me prekatimin e tij dhe nijetin duhet ta bëjë sinqerish në emrin e Zotit.”
Transmetohet se El-Bera ibën Azibi r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, me rastin e zgjimit, thoshte: “Falënderimi i takon Allahu që na ka ringjallur pasi që na ka bërë të vdekur dhe te Ai do të ringjallemi.” (Muslimi)
Transmetohet se ibën Abasi r.a ka thënë: “I Dërguari salallahu alejhi ve selem, kur zgjohej në mëngjes e fërkonte fytyrën me duar, pastaj shikonte në qiell dhe i leoxonte ajetet e fundit të sures Ali Imran (Inne fi halkissemavati vel-erd) Muslimi
Imam En-Neveviu duke e komentuar këtë hadith ka thënë: “Në hadith përmendet se është mirë të fërkohet fytyra kur të zgjohet në mëngjes dhe të lexohen ajetet e përmendura me rastin e zgjimit.”
9. Të përpiqemi që të flemë pas namazit të drekës (kajlula). Transmetohet se Enesi r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Fleni në kohën e pasdrekës, sepse djalli në atë kohë nuk flenë!.” (Taberaniu, Es-sahiha, 2643)
Is`hak ibën Abdullahu ka thënë: “Kajlula është vepër e njerëzve të mire. Pra ajo e pushon zemrën dhe e ndihmon zgjimin në namazin e natës.” Hasan El-Basriu kishte kaluar në mes të ditës nëpër treg dhe kishte vërejtur se si bërtasin e bënin zhurmë, e pastaj pyeti: “Vallë, këta ditën nuk flenë?!” Iu përgjigjën: “Jo” Ai tha: “Po e shoh se nata e tyre do të jetë fatkeqe
10. Duhet të ruhemi që pos ta teprojmë në ushqim dhe pije.
Teprimi në ushqim dhe në pije është një prej pengesave të mëdha të njeriut për t`u ngritur në namazin e natës. Teprimi në ushqim dhe në pije e largon njeriun prej namazit të natës. Transmetohet se Mikdam ibën Mad Jekribi r.a ka thënë:
“I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Njeriu nuk mund të mbush enë më të keqe sesa stomakun e tij. Atij i mjaftojnë disa kafshata që do ta mbajnë të gjallë në jetë. Pra, nëse duhet, atëherë një të tretën e barkun le ta mbush me ushqim , një të tretën me ujë, ndërsa një të tretën le ta lë për frymëmarrje.” (Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe ,Sahihul –xhami, 5674)
Transmetohet se Ebu Xhuhejfe r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, i kishte thënë një njeriut i cili në prezencën e tij kishte gromësirë: “Përmbaju prej gromësirës. Njerëzit që kanë qenë më të ngopur në këtë botë, do të jenë më të urritur në botën tjetër.” (El-Hakimi, Sahihul-xhami,1190)
Sufjan th-Theuriu ka thënë: “Hani pak, ngase në këtë mënyrë do të ruani namazin e natës!” Makal ibën Habibi i kishte parë disa njerëz se si hanë shumë, e tha: “Nuk po e shoh se shokët tanë dëshirojnë të presin natën (pra, namazin e natës)!” Vehb ibën Munebih ka thënë: “Njeriu më i dashur për djallin është grykësi-gjumash.”
11. Të luftoni kundër nefsit personal sa i përket namazit të natës. Kjo është një prej mjeteve më të mira që ndihmojnë të ngrihemi në namazin natës, sepse nefsi i njeriut për nga natyra adon drejt të keqës. Kush i përgjigjet thirrjes, ai (nefsi) do ta çojë në shkatërrim e zhdukje. Allahu i Lartësuar na urdhëron që të luftojmë, duke thënë: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj.” (Teube,105)
Poashtu thotë: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t`i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet Allahu është me punëmirët!.” (El-Ankebut,69)
Transmetohet se Ukbe ibën Amir r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selam, ka thënë: “Muxhahid (luftëtar) është ai që lufton kundër nefsit të tij në emrin e Allahut.” (Tirmidhiu dhe Ibën Hibani, Silsiletus-sahiha, 549)
Transmetohet se Ukbe ibën Amir r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Njeriu i umetit tim që e falë namazin e natës, ai e pastron nefsin dhe largon nga vetja disa nyje. Kur i lanë duart gjatë abdesit, një nyje zgjidhet. Kur e lane fytyrën gjatë abdesit, nyja tjetër zgjidhet. Kur e lagë kokën, zgjidhet një nyje tjetër dhe kur t`i lajë këmbët, atëherë zgjidhet nyja tjetër. Kështu, Allahu i Lartësuar atyre pas perdeve ju thotë: “Shikojeni robin Tim se si garon me nefsin e tij dhe si më lute Mua! Çkado që më lutet, ajo i takon atij!” (Ahmedi dhe Ibën Hibani; Sahilut-Tergib,627)
Muhamed ibën El-Munkediri ka thënë: “Kam garuar me nefsin tim dyzet vjet derisa m`u nënshtrua mua.” Thabit El-Benani ka thënë: “E kam dresuar njëzet vjet nefsin tim në namaz të natës, kështu që ëmbëlsinë në këtë e kam shijuar njëzet vjet.”
Omer ibën Abdulazizi ka thënë: “Veprat më të mira janë ato në të cilat nefsi detyrohet që t`i kryejë ato.” Abdullah ibën El-Mubareku ka thënë: “Paraardhësit e mire nefsi i ka nxitur në vepra të mira, ndërsa nefset tona po na nxisin vetëm në gjëra të këqija. Për këtë arsye, duhet t`i detyrojmë ata në të mirë!” Katade ka thënë: “O njeri, nëse dëshiron që të vish deri te të mirat nëpërmjet aktiviteteve, atëherë dije se nefsi anon drejt përtacisë, shfrenimit dhe bezdisjes. Mirëpo, besimtari është ai që garon!”
12. Ruajtja prej mëkateve dhe padëgjueshmërisë. Muslimani nëse dëshiron që ta arrijë nderin e bisedës me Allahun xh.sh. që të ndiej paqen në mendjen e tij gjatë natës, atëherë duhet që të ruhet prej mëkateve. Ai që fëlliqet me papastërtinë e mëkatit, s`do të udhëzohet në namazin e natës. Një njeri i tha Ibrahim ibën Ed`hemim. “Nuk mund të fali namazin e natës, më jep ilaç!” Ai i tha: “Mos u bën i padëgjueshëm ditën, kështu Ai do të të lartësojë para Vetes që t`i bësh namaz natën.
Gjendja jote para Tij natën është nder më i madh. Mëkatari nuk e meriton këtë nder.” Një njeri i kishte thënë Hasan El-Basriut: “O Ebu Seid! Unë bie të fle shëndosh e mire dhe dëshirojë të fali namazin e natës dhe të përgatitem për abdes, atëherë çfarë kam që nuk po mund të falem?” Ai iu përgjigj: “Të kanë lidhur mëkatet e tua!” El-Hasani ka thënë: “Robi bën një mëkat dhe pengohet që të falë namazin e natës dhe agjërimin gjatë ditës.” El-Fudajl ibën Ijadi ka thënë: “Nëse nuk mundësh të falësh natën dhe të agjërosh ditën, dije se je penguar dhe ke lakuar prej rrugës. Pra, të kanë larguar prej rrugës mëkatet tua.”
13. Të ballafaqohesh me vetveten për shkak të lënies së namazit të natës. Vetëballafaqimi është virtyt i të mirëve dhe symbol i njerëzve të sinqertë. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç`ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” (El-Hashr,18)
Imam ibën Kajimi ka thënë: “Nëse robi është përgjegjës për të gjitha, madje edhe për të shikuarit, për të dëgjuarit dhe për zemrën, pra ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.”(El-Isra,36)
Atëherë nevojitet që të vetëllogaritet para se të shqyrtohet llogaria e tij.”
Namazi i natës është adhurim që e lidh zemrën e njeriut për Allahun xh.sh. Ai e bën zemrën të forte që t`i përballojë sprovat kalimtare të jetës, të mund nefsin në çastet kur zërat nuk dëgjohen, kur syte flenë dhe kur ata që janë në gjumë rrotullohen nëpër shtretër.
Kjo është arsyeja që namazi i natës është masë e qëllimit të sinqertë dhe virtyt i shpirtrave të mëdhenj. Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar dhe i ka veçuar prej të tjerëve me fjalët: “(A jobesimtari e ka gjendjen më të mirë) Apo ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde, duke qëndruar në këmbë, i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet? Thuaj “A janë të barabartë atë që dine dhe ata që nuk dine?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.” (Ez-Zumer:9).
Namazi i natës është sunet i fortë, në kryerjen e të cilit ka thirrur i Dërguari, salallahu alejhi ve selem: “Kryeni namazin e natës, sepse ai është praktitë e njerëzve të mire para jush, shkas që ti afroheni Zotit tuaj dhe që t`ju falen mëkatet. Namazi i natës e ndalon të keqën dhe e largon sëmundjen prej trupit.” (Tirmidhiu dhe Ahmedi)
I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Namazi më i mire pas namazeve të obliguara është namazi i natës.”
I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, e ka falur namazin e natës. Pra nuk e ka lënë as gjatë udhëtimit e as kur ishte në shtëpi. Falej si udhëheqës i bijve të Ademit derisa i ënjteshin këmbët, edhe pse i ishin falur të gjitha mëkatet. Kur ia përmendën këtë, ai tha: “Vallë, a nuk duhet të jem rob falënderues?” Mutefekun alejhi
Në këtë mënyrë kanë vepruar edhe paraardhësit tanë të mire. Ebu Derda r.a ka thënë: “Falni dy reqate në errësirën e natës për shkak të errësirës së varrit.”
Ahmed ibën Harbi ka thënë: “Çuditem me njeriun, i cili e di se Xheneti stoliset mbi të, Zjarri ndizet nën të, ndërsa ai flenë ndërmjet tyre.”
Omer ibën Dherri (kur shihte se errësohej) thoshte: “Erdhi nata dhe ajo e ka frikërespektin e vet, ndërsa me shumë kemi nevojë që t`i frikësohemi Allahut.”
Fudajl ibën Ijadi ka thënë: “Kam hasur në njerëz që kanë pasur turp prej Allahut në errësirën e natës për shkak të gjumit të gjatë.” Pastaj ulej në krah, e kur lëvizte thoshte: “Kjo nuk është për ty,” Ngrihu dhe merr pjesën e ahiretit.”
Hasan El-Basriu: “Nuk dime vepër që është më e rëndë sesa zbutja e natës dhe ndarja e pasurisë.” I kanë thënë: “Pse ata që falen natën kanë fytyra më të bukura se të gjithë njerëzit tjerë?” Ai tha: “Ngase janë vetmuar me Mëshiruesin dhe Ai i ka veshur me dritën e Tij”
Gratë e paraardhësve të mire janë përpjekur që të falin namazin e natës, duke iu nënshtruar Allahut xh.sh. Tani pyesim: Ku janë grate e sotit në kryerjen e këtij adhurimi?! Urve ibën Ez-Zubejri ka thënë: “Shkova një ditë te Ajsheja r.a që t`i jape selam dhe e takova duke u falur. Ajo lexonte ajetin e Allahut të Lartësuar: “E Allahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit të erës (flakës) së nxehtë të zjarrit.” (Tur,27)
Kështu, pashë se si e përsëritë këtë ajet dhe qante. Në atë mënyrë e prita, ndërsa u bezdisa duke pritur. Pastaj shkova për nevojat e mia në treg. Kur u ktheva, ajo dukej sikur për të parën herë e përsëriste këtë ajet dhe qante.”
Transmetohet se Enes ibën Malikur r.a ka thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Më ka thënë Xhibrili: “Vizitoje Hafsën, ajo shumë agjëron dhe shumë falet.” (Hakimi, Saliihul-xhamia,4227)
Një ndër grate në mesin e tabiineve ishte edhe Muadha El-Adevija.
Ajo në natën e martesës ishte falur me burrin e saj Sil ibën Eshjemin deri në mëngjes. Në betejë ia kishin vrarë burrin dhe djalin, kështu mungesën e tyre ajo e kishte zëvendësuar me shoqërim të Zotit xh.sh., e kam fjalën, falej tërë natën me përulësi, kurse ditën flinte.
Kur kotej në namazin e natës, thoshte: “Shpirti im, gjumi është para teje.” Habina El-Adevija pasi e falte namazin e jacisë, shkonte në kulmin e shtëpisë, e veshte këmishën dhe shaminë, e thoshte: “Zoti im, yjet janë paraqitur, syte e njerëzve kanë fjetur, të gjithë sunduesit i kanë mbyllur dyert e portave të tyre, ndërsa vetëm dyert e Tua janë të hapura. Secili është vetmuar me të dashurin e tij, e unë po qëndroj këtu para Teje.”
Pastaj ngrihet që të falë namaz dhe me zë të ulët i lutej Zotit deri në orët e agimit. Kur afrohej agimi e thotshtë këtë lutje: “Zoti im shkoi nata dhe erdhi ditë e re. E mjera unë, më ke pranuar këtë natë – që t`ia urojë vetvetes apo më ke refuzuar – që t`i shpreh ngushëllim vetvetes.” Një natë
bashkëshortja e Habin El-Axhemiut, Amra ishte falur në kohën kur burri i saj ishte duke fjetur. Kështu, kur u afrua koha e agimit, ai ende ishte duke fjetur. Atëherë, ajo e zgjoi duke i thënë: “Zgjohu zotëria im. Nata iku dhe erdhi ditë e re. Para teje është rrugë e gjatë, ndërsa furnizimi mungon. Karavanët e të mirëve shkuan para nesh, kurse ngelëm pas.”
E lusim Allahun që të na ndihmojë për të përmendur Atë, që të falënderojmë dhe që vetëm Atë të adhurojmë. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin, Muhamedin (salallahu alejhi ve selem).
M.S.M
Teuhid.net