Transmeton Tirmidhiu nga Muadh ibn Xhebeli, se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Ki frikë Allahun kudo që je, pasoje te keqen me një të mirë, ajo e fshin atë (të keqen), dhe (komuniko) sillu me njerëzit me moral të mirë.” Tirmidhiu.
Ky hadith ka përfshirë tri porosi me të cilat rregullohet dhe drejtohet e gjithë çështja e fesë dhe dynjasë. Sa i përket frikës ndaj Allahut, ajo synon devotshmërinë, e cila realizohet duke i respektuar urdhrat e Allahut dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij, duke e përmendur dhe mos harruar, duke falënderuar e mos mohuar, duke qenë mirënjohës në lumturi e vështirësi, në gëzim e në pikëllim, ashtu sikurse e meriton Fytyra e Tij. I Lartësuar dhe i Fuqishëm është Ai!
Kurse sa i përket të drejtave të robërve, e para e tyre është drejtësia ndaj vetvetes, duke i realizuar qëllimet dhe kërkesat trupore në mbikëqyrjen e Allahut të Lartësuar, duke i lënë mëkatet dhe duke ikur prej tyre, por ndërkohë duke i pasuar ato me vepra të mira dhe lutje ndaj Krijuesit.
Fjala e Pejgamberit alejhi selam “Ki frikë Allahun kudo që je” është udhëzim profetik që drejton dhe ngre ambiciet e çdo muslimani, gjithashtu është mburojë që e mbron nga çdo e keqe. E, devotshmëria është rruga e shpëtimit.
Kuptimet e devotshmërisë (frikës) ndaj Allahut
Fjala “takwa”, devotshmëri, është përmendur në Kuran me kuptime të ndryshme, ndër to edhe me kuptimin e frikës ndaj Allahut. Thotë Allahu i Lartësuar: “O ju që keni besuar! Plotësoni detyrimin ndaj Allahut dhe kijeni frikë Atë edhe flisni të vërtetën.” (El-Ahzab, 70)
E frika e Allahut nuk mund të arrihet vetëm se me njohjen e Tij. Thotë Allahu i Lartësuar: “Vërtet ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robërit e Tij janë dijetarët…” (El-Fatir, 28)
Për këtë arsye, ai i cili e njeh Allahun nuk i bën mëkat Atij. E, kush i frikësohet Atij, i merr dhe vepron arsyet për ta ruajtur veten, e gjithashtu në të njëjtën kohë njerëzit janë të siguruar nga Ai. Ndër kuptimet e devotshmërisë është mbikëqyrja dhe kontrolli i plotë nga ana e Allahut. Thotë Allahu i Lartësuar: “…atëherë pa dyshim që Allahu është kurdoherë Gjithëvëzhgues i robërve të Vet.” (El-Fatir, 45)
Njeriu duhet ta dijë se Allahu e sheh kudo që është dhe di çdo gjë që ai vepron haptazi dhe fshehurazi, regjistron çdo punë të mirë dhe të keqe, prandaj muslimani i mençur nuk heziton aspak të largohet nga çdo gjë që është në kundërshtim me parimet e fesë.
E ndonjëherë fjala devotshmëri ka kuptimin ruajtje dhe mbrojtje nga hidhërimi i Allahut dhe dënimi i Tij. Thotë Allahu i Lartësuar: “O njerëz! Adhuroni Zotin tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat).” (El-Bekare, 21). Gjithashtu thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe shpëtoji ata nga e keqja! Atë që Ti e shpëton nga e keqja atë ditë, Ti e ke mëshiruar; e ky, me të vërtetë, është shpëtimi i madh!” (Gafir, 9)
Devotshmëria është shkallë-shkallë; kryesorja e saj është besimi në Allahun e Lartësuar, se Ai është një, nuk i ngjason askush, Ai as nuk lind, as nuk është i lindur, i Përhershmi i Pafillim dhe i Pambarim. Thotë Allahu i Lartësuar: “Ai është Një, i Cili meriton që njerëzit t’i frikësohen dhe t’i përmbushin Atij detyrimin duke mos marrë të adhuruar tjetër përveç Atij, dhe Ai është Një i Cili fal shumë (gjynahet dhe askush tjetër).” (El-Muddethir, 56) Gjithashtu, thotë Pejgamberi alejhi selam: “Gjëja më e rëndë që peshon në Ditën e Kiametit është devotshmëria dhe morali (edukata e mirë).”
Për të devotshmit ka garanci nga ana e Allahut se ata nuk do t’i kaplojë mërzia, as brenga, as pikëllimi e as nuk do të kenë ngushticë në jetën e tyre. Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe kushdo që ka frikë Allahun dhe përmbush detyrimin ndaj Tij, Ai do të sjellë rrugë për të për të dalë (nga çdo vështirësi).” (Et-Talak, 2). Gjithashtu thotë: “Dhe kushdo që mbështetet e vë shpresat tek Allahu, atëherë Ai do t’i mjaftojë atij plotësisht. Pa dyshim që Allahu do t’ia përmbushë qëllimin atij.” (Et-Talak, 4)
Fjala e Pejgamberit alejhi selam, “pasoje të keqen me një të mirë, ajo e fshin atë”, është shenjë që sado të jetë njeriu lakmues i devotshmërisë, i përmbushjeve dhe i obligimeve ndaj Allahut dhe i pasimit të Sunetit të Pejgamberit alejhi selam, prapëseprapë ballafaqohet dhe rrëshqet për shkak të epshit të tij, i cili synon bërjen e veprave të këqija nga ana e tij. Pra, ishte nga mirësia e Allahut- dhe Ai është i pasur- ndaj robërive të Tij që ua la të hapur derën e pranimit të pendimit, nëse robërit u largohen mëkateve të tyre duke përmendur Allahun dhe duke kërkuar falje të mirëfilltë nga Ai. Thotë Allahu i Lartësuar: “...për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre- e kush i fal gjynahet përveç Allahut? –dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran, 135). Gjithashtu thotë Allahu i Lartësuar: “Thuaj: "O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i fal të gjitha mëkatet, Ai është që shumë fal dhe është mëshirues!" (Ez-Zumer, 53)
Ashtu, pra, siç paralajmëron Allahu, se të mirat i fshijnë të këqijat, Allahu i Lartësuar thotë: “Fale namazin në mëngjes e në mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud, 114)
Fjala e Pejgamberit alejhi selam, “(komuniko) sillu me njerëzit me edukatë të mirë” është vërejtje se cilësia më e rëndësishme në devotshmëri është morali, edukata e mirë. Pra, është shtyllë e madhe e devotshmërisë, bile devotshmëria nuk plotësohet veçse me të. Për këtë, Pejgamberi alejhi selam ka veçuar hadithe të shumta sa i përket moralit (edukimit). Bie poshtë pra teoria e disa njerëzve, të cilët mendojnë se devotshmëria është të kryesh vetëm obligimet e Allahut e asgjë tjetër; të tillët mendojnë se të kryesh obligimin ndaj Allahut e ke arritur shkallën e përsosmërisë në devotshmëri!
Kurani i Shenjtë e ka shpjeguar dhe e ka sqaruar këtë duke thënë: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!" (El-A’raf, 199). Gjithashtu këtë e vërteton edhe këshilla e engjëllit Xhibril, kur i tha Pejgamberit alejhi selam: “Allahu po të urdhëron të mbash lidhje me ata që nuk të vizitojnë, t’i japësh atij që s’të japë dhe të falësh atë që të bën padrejtësi.”
Me këtë po e mbyll temën me fjalët e Muhamedit alejhi selam: “Me të vërtetë jam dërguar për t’i përmbushur virtytet e moralit.” Dhe: “Besimtari më i mirë dhe më i ploti me iman është ai që ka moralin më të mirë.”