|
|
| Fillimet e të mbuluarit të trupit dhe mbulesa e kokës tek femrat | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Usame Moderator
Numri i postimeve : 381 Join date : 05/06/2009
| Titulli: Fillimet e të mbuluarit të trupit dhe mbulesa e kokës tek femrat Fri Jul 31, 2009 10:24 am | |
| Fillimet e të mbuluarit të trupit dhe mbulesa e kokës tek femrat
Rreth fillimit të mbulimit të trupit të tri fetë e mëdha dhe dominuese në botë - Islami, Krishterimi dhe Hebraizmi, megjithë dallimet shumë të mëdha në shpjegime, pajtohen se dy njerëzit e parë, prindërit tanë, Ademi a.s. dhe Hava, ishin po ashtu të parët njerëz që mbuluan trupin. Rrënjët e dispozitës fetare mbi urdhërimin për t'u mbuluar dhe urrejtjen e lakuriqësisë vijnë pra që pas ndodhisë së tyre me Iblisin (i mallkuar qoftë), i cili më parë i nxiti të hanin pemën e ndaluar kur doli në shesh lakuriqësia e tyre1.
Kur lexojmë në Kur'an këtë ndodhi, mësojmë shumëçka për dhe rreth jetës së njeriut. Sikur atje pasqyrohen të fshehtat dhe të dukshmet, gjëra që do ta shoqërojnë njeriun gjatë jetës. Deri atëherë avreti (vendet e turpit) i tyre ishte i mbuluar nga një dritë (materie e ndritshme e panjohurë për ne), e cila në fakt ka qenë një lloj mbrojtjeje nga rënia e tyre në mëkate, me humbjen e së cilës u zbuluan sekretet trupore e shpirtërore e njeriu u bë lakmitar dhe i dolën në shesh dobësitë e tij. Ajetet kuranore mbi këtë temë na mësojnë se të zbuluarit njeriun e bëri zullumqar, mësojmë se shejtani përveçqë është mashtruesi më i madh, i cili mashtron me gënjeshtra në emër të këshillës, pikësëpari është nxitësi më i madh i lakuriqësisë prej së cilës do të rrjedhin të këqija të tjera dhe, gjithashtu mësojmë se njeriu lakmon pozitat e larta dhe përjetësinë. Pas këtyre shejtani do ta ketë të lehtë t'ia prish jetën njeriut dhe të realizojë qëllimin e tij kryesor, hedhjen e njeriut në zjarrin e Xhehenemit.
Mënyra e shpjegimit të ngjarjes me prindërit tanë, njëherësh sqaron urdhrin dhe dallimin rreth dispozitës fetare mbi mbulesën tek secila fe. Në Hebraizëm dhe Krishterim mbulesa kërkohet në mbështetje të sigurisë së mashkullit ndaj femrës dhe "sherreve" të saj, siç dihet, sepse ata e lënë femrën fajtore për të këqijat e kësaj bote, duke pretenduar se ajo ishte e para që kishte ngrënë pemën e ndaluar, prandaj duhet të nënshtrohet shkaku i këtij "faji"e të mos gabojë më. Ndërsa ne në Islam femrën e konsiderojmë si njërën pjesë të barabartë përbërëse dhe përgjegjëse të njerëzimit, kurse mbulesën mbrojtje të saj nga të ligat e kësaj bote.
Mbulesa në Hebraizëm
Në traditat e hershme jehude, mbulesa e femrës ka qenë urdhër fetar i pazëvendësueshëm. Të dhënat mbi parimet dhe praktikën e tyre fetare nëpër librat e rabinëve dëshmojnë se femra jehude e mbulonte kokën deri vonë. Mbulesa e kokës në Hebraizëm paraqiste mënyrën më efikase të luftës kundër lakuriqësisë dhe tradhtisë së gruas ndaj burrit, dukuri kjo e ndaluar dhe e denoncuar sipas ligjeve përkatëse të hebrenjve. Në Hebraizëm këto veprime, kur bëheshin nga femra, përveçqë konsideroheshin mëkat shumë i madh dhe tradhti ndaj burrit, ato njëherësh kishin kuptimin e tradhtisë edhe ndaj popullit të tyre, meqenëse ata veten e tyre e konsiderojnë "populli i zgjedhur". Mbi këto parime mbulesa e kokës konsiderohej ndërprerje e të gjitha rrugëve deri tek të lartpërmendura kurse mbulesa me kohë është bërë pasqyrim i grave fisnike e të devotshme. Shëmbëlltyrën e gruas së këtillë e kanë marrë nga Dhjata e vjetër, ku flitet për Rebekën, gruan e të dërguarit Isak, e cila ishte e mbuluar,2 por gjithashtu mbi personifikimin e gruas me mbulesë flitet edhe tek ngjarja me Tamarën3.
Rabini Dr. Menachem M. Brayer (Profesor në Universitetin Yeshiva) në librin e tij "Gruaja jehude në librat e rabinëve" - thotë se ka qenë rregull për gratë jehude, kur dilnin publikisht, të vinin mbulesë koke, e cila ndonjëherë mbulonte madje tërë fytyrën, duke lënë vetëm njërin sy të lirë për të parë.4 Më pas ai citon disa thënie të dikurshme të njohura të rabinëve: "Nuk është e pëlqyeshme që bijat e Izraelit të lëvizin jashtë me koka të pambuluara", "I mallkuar qoftë mashkulli që lejon t'i duken flokët gruas së tij... gruaja që shfaq flokët e saj, sjell varfëri" etj. Mosmbulimi i kokës gjithashtu konsiderohej lakuriqësi saqë ligji i rabinëve dikur kishte ndaluar recitimin me zë të lutjeve nga gratë kokëzbuluara. Dr. Brayer gjithashtu përmend se në një periudhë të caktuar historike, nëse koka e saj ishte e pambuluar, ajo do të gjobitej deri në katërqind "zuzimë" (valutë e atëhershme) si shkelje e rendit." Mirëpo mësojmë se mbulesa e femrës jehude nuk konsiderohej vetëm shenjë modestie, ndonjëherë ajo simbolizonte për më tepër pozitën e epërsisë. Mbulesa personifikonte dinjitetin e gruas fisnike e nga familjet e ngritura e të pasura, gjithashtu ishte shenjë e nderit dhe moralit posedues të burrit të saj, pronë e të cilit ishte pothuajse tërësisht. Gruaja nga shtresa e ulët shpesh do të vinte mbulesën që të linte përshtypjen se i takonte pozitës së lartë. Vetë fakti se lavireve në shoqërinë e vjetër jehude nuk u lejohej të mbulonin flokët, tregon për vlerën e mbulesës, që ato të dalloheshin se janë të tilla, nuk lejoheshin të mbulonin flokët.
Gratë jehude në Evropë vazhduan të vinin mbulesa deri në shekullin XIX, kur jeta e tyre u përzie me kulturat laike. Lindja e shumë ideologjive gjatë shekujve të mëparshëm, të cilat patën ndikim në formimin e mentalitetit me pikëpamje materialiste, trendet e reja kulturore, zhvillimi i artit etj., e sollën njeriun evropian në një situatë që të braktiste fenë. Gjithë këto ndryshime bënë që gratë të hiqnin mbulesën e të dilnin kokëzbuluara, ndër to edhe gratë jehude të Evropës, dukuri kjo që qe përhapur më pastaj përgjithësisht tek ata. Kjo u bart më pas edhe tek popujt e tjerë, e po kështu edhe tek muslimanët. Sot shumica e grave jehude nuk i mbulojnë flokët e tyre, me përjashtim në rastet kur shkojnë në sinagogë.Disa prej tyre i qethin kokat qerose dhe pastaj vendosin paruke.
Mbulesa në krishterim
Mbulesa në Krishterimin e hershëm kishte një rol dhe rëndësi të veçantë. Në përgjithësi ekziston mendimi se në Krishterim vetëm murgeshat janë të obliguara të mbulohen dhe janë të vetmet që e bëjnë këtë gjë, mirëpo çështja nuk qëndron kështu. Në Krishterim murgeshat mbulonin kokën edhe para qindra vjetve, mirëpo krahas tyre edhe femrat e tjera e bënin po këtë, dukuri kjo që tani ndeshet në pak vende të botës, sikur në Azi, në Evropën Lindore e në Ballkan, por që tani ka mbetur e pranishme vetëm te gratë e vjetra nëpër fshatra.
Urdhri për mbulesën e kokës në Krishterim rrënjët i ka te Bibla, më konkretisht te Dhjata e re. Shën Pali, të cilin të krishterët e kuptojnë dhe e besojnë si themelues të Krishterimit, mban një qëndrim tejet të veçantë ndaj femrës dhe konsideron se ajo medoemos duhet të mbulojë kokën. Ai ka paraqitur disa qëndrime shumë interesante për mbulesën, lexo: Edhe çdo grua që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar. Sepse, në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t'ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet.5 Në këtë rast mendojmë se për fjalën e lartpërmendur profetizim, kuptimi më i përafërt është si vijon: të qenët besimtare dhe praktikuese e fesë së krishtere, që në të kundërtën nënkupton të qenët mosbesimtare, përndryshe e lirë (mohuese) nga dispozitat fetare. Pra, siç shihet, në këtë rast rreth mbulesës Bibla flet drejtpërsëdrejti ndërsa kjo nuk është e tëra.
Shën Pali konsideronte se mbulesa e femrës paraqet shenjën e autoritetit të mashkullit, i cili është imazhi dhe lavdia e Zotit mbi femrën, e cila qe krijuar prej dhe për mashkullin, - e tëra kjo sipas Biblës. Por, megjithëkëtë, kur e lexojmë këtë libër vërejmë se marrëdhëniet bashkëshortore dhe veprimet e tanishme të femrave të krishtera nuk kanë të ngjarë aspak me librin e tyre. Ato sipas librit, janë të obliguara të kenë qëndrim krejt tjetërfare nga ç'shohim e dëgjojmë sot tek ata. Në raportet bashkëshortore në mënyrë kategorike feja e krishterë kërkon që gruaja t'i nënshtrohet burrit; këto i gjejmë në shumë vende në Bibël. Lexo: Ju bashkëshorte, u jini të nënshtruara bashkëshortëve tuaj, ashtu si ka hije në Zotin...6 dhe: Gjithashtu dhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj...7
Shën Tertuliani, në librin e tij të famshëm " Për të mbuluarit e virgjëreshave", shkruante, "O ju zonjusha, ju vini mbulesat kur dilni jashtë në rrugë, ato duhet t'i vini edhe kur jeni në kishë, ju i vini ato kur jeni në mes të të huajve, pra atëherë vini edhe kur jeni mes vëllezërve...8 Në disa vende të dominuara dhe të udhëhequra nga besimtarët krishterë, siç janë amishët dhe menonitët, gratë e tyre ende mbajnë mbulesat e kokës. Arsyeja e të mbuluarit, siç është thënë nga paria e tyre kishtare, është se: "Të mbuluarit e kokës është simbol i nënshtrimit të gruas ndaj burrit dhe Zotit", bazuar siç thamë në thëniet e Shën Palit në Dhjatën e re. Ndërsa në kuptim të përgjithshëm tani mund të konstatohet se mbulesa e kokës për femrat e reja në Krishterim është një gjë tërësisht e papranuar. S'do harruar se në Krishterim sinonim i femrës së devotshme është nëna e Isait a.s. Meriemja (Maria), e cila natyrisht ishte e mbuluar, gjë të cilën të krishterët nuk e mohojnë; për më tepër ata mburren me këtë dhe kudo në pikturimet e tyre atë e paraqesin të mbuluar.
Sipas dispozitave fetare krishtere, duket qartazi se femra nuk bën të dalë e lakuriquar, nuk i lejohet të bëjë prostitucion dhe përveç kësaj ajo pra është e obliguar të mbulojë kokën. Në Bibël, në një citat nga Dhjata e re, të krishterëve u thuhet: „Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi!"
Dekadenca e hierarkisë fetare krishtere, e shkaktuar nga paaftësia e saj për t'iu përgjigjur pyetjeve kyçe të kohës9, pastaj pamundësia e zgjidhjes së problemeve të ndryshme jetësore etj. u bënë shkak për lindjen e shumë rrymave dhe ideologjive gjatë shekujve XV - XIX, siç ishin empirzimi, racionalizmi, iluminizmi e deri tek darvinizmi, që ishte bazë e filozofisë materialiste, të cilat dalngadalë shkaktuan ndarjen e tërësishme të kishës nga shteti e të njeriut nga feja. Njeriu atëherë filloi të mendonte se feja është vetëm ngarkesë e panevojshme dhe një obligim i kryer pa nevojë, ndaj dhe zbatimi i urdhrave të tyre fetarë filloi të zbehej deri tek rënia në mosbesim. Tani gjendja ka shkuar deri atje saqë, sipas statistikave të tanishme, del se niveli i besimit përgjithësisht në botë ka rënë shumë, por ai është i ulët veçanërisht tek të krishterët. P.sh. vetëm 34 % e italianëve, 25 % e austriakëve, 24 % e sllovenëve apo 10 % e suedezëve mendojnë se feja është me rëndësi për jetën e tyre10. Për të mos e zgjatur më shumë në lidhje me këtë, si mund të pritet që femra e krishterë të zbatojë urdhrat fetarë kur besimi ka rënë deri në këtë shkallë e lëre më të mbulojë kokën.
Kritikat dhe sulmet e tyre ndaj Islamit, ndaj pozitës së femrës në fenë tonë e në veçanti ndaj mbulesës, janë të padrejta e të paarsyeshme; për më tepër duke mosrespektuar dispozitat e veta fetare, ata thërrasin që as ne të mos i respektojmë tonat. | |
| | | Usame Moderator
Numri i postimeve : 381 Join date : 05/06/2009
| Titulli: Re: Fillimet e të mbuluarit të trupit dhe mbulesa e kokës tek femrat Fri Jul 31, 2009 10:24 am | |
| Mbulesa e kokës - Hixhabi në Islam
Feja islame i ka dhënë rëndësi të veçantë pozitës së femrës, duke e mbrojtur fillimisht si gjini njerëzore dhe duke e vënë në pozitën e barabartë përballë Krijuesit dhe ligjit islam. Të shumta janë ajetet kuranore, ku All-llahu i Plotfuqishëm urdhëron barazinë, drejtësinë dhe mbrojtjen ligjore të femrës. Modestia në veshje dhe sjellje sipas përmasave të caktuara, është rregull islam, të cilit duhet t'i përmbahen të dy gjinitë. Në këtë prizëm kufizimet në veshje dhe urdhërimi për mbulim përbëjnë një nga mënyrat e ruajtjes dhe mbrojtjes së nderit dhe pozitës së femrës. Përveçqë janë mbrojtje nga shejtani, këta gjithashtu janë faktorë që zhdukin dukuritë negative nga vetja e saj, dhe mbrojtje nga bashkëjetuesi mashkull, pra mbulesa nuk është kufizim i të drejtave të saj, por mbrojtje nga poshtërimi dhe nënçmimi që mund t'i bëhet. Hixhabi apo mbulesa e kokës, është mënyra më e sigurt për ndërprerjen e të gjitha formave të lakuriqësisë, është kështu sepse mbulesa nuk nënkupton vetëm mbulimin e flokëve, ajo është përmbyllje e çdo zbulimi tjetër. Do të ishte shumë e palogjikshme të mbuloheshin flokët e të zbuloheshin gjoksi, barku apo këmbët, zbulimi i të cilave nxit në amoralitet përplot pasoja të tjera. Pra, mbulesa e kohës si paraprijëse për të mbuluar pjesët e tjera të trupit është mbrojtje e femrës në këtë botë mashtruese, njëherësh është mbrojtje edhe e vetë mashkullit për të mos rënë në të ndaluarat. Libri ynë i shenjtë, Kur'ani, na e sqaron këtë çështje më mirë se çfarëdo tjetër: "Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, se kjo është më e pastër për ta... Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme, le të vënë shamitë mbi kraharorin e tyre...". (En Nurë, 30-31)
Kur'ani na mëson gjithashtu se mbulesa islame e femrës eviton të ligat e rrugaçëve, sharjet e ngacmimet në rrugë, është shpëtim i nderit të saj, vajza me mbulesë është mollë e ndaluar për të degjeneruarit11. Në këtë mënyrë femra eviton rreziqet e jashtme, por si qëndron puna me shtytjet e brendshme negative të saj?
Rëndom jemi mësuar të themi e të dëgjojmë se duhet mbrojtur nga të tjerët, nga agresiviteti i të tjerëve, nga sjellja e rrezikshme dhe e dëmshme e të tjerëve e ndonjëherë vërtet shumë rrallë edhe nga vetvetja. Në të vërtetë një pjesë e madhe e rreziqeve vijnë nga vetja jonë, nga mënyra se si e përjetojmë veten, dëshirat tona, synimet tona, ndërsa si u qasemi atyre dhe sa kemi arsye në sendërtimin e tyre, rrallë jemi të vetëdijshëm. Në këtë qasje rëndësia e kujdesit ndaj shtytjeve të brendshme negative, lakmisë, e më pastaj luftimi i komplekseve të ndryshme negative dhe kujdesi ndaj të tjerëve, njeriun e sjell në pozitën e njohësit të vetvetes dhe rrethit në përgjithësi. Duke kuptuar situatat e rrezikshme, femra e mbuluar organizon mbrojtjen e saj. Kompleksiviteti i botës në të cilën jeton, është i atillë, saqë vetëm një numër i vogël i atyre pa mbulesë mund të jenë të sigurta ndaj rreziqeve. Në një botë potencialisht me intriga e mashtrime, mbulesa për femrën është e vetmja formulë që e zgjidh problemin. Mbulesa e femrës muslimane është mbi çdo gjë shprehje e sinqeritetit të besimit të saj, Islam, në të cilin përmblidhen morali i pastër, karakteri i fuqishëm dhe krenaria e lartë, - virtyte këto të muslimanes së vërtetë.
Përmes Hixhabit femra tregon kuptimin e qenies së saj, siguron lumturinë e përbotshme. Derisa të tjerat i kuptojnë paratë për identititet të botës, luksin si bazë të lumturisë, bukurinë dhe llastisjen - arsye për të jetuar, për femrat e mbuluara këto gjëra paraqesin një gjumë të rëndë me ëndrra plot duke e ditur se kjo botë s'është gjë tjetër veçse mundësi mashtrimi e sprovë për njeriun. Do të jetë femra më e paditur ajo që mendon se ka ardhur në këtë botë për dëfrim e kënaqësi. Ndërsa vajza e udhëzuar mbetet gjithmonë e njëjtë, pa marrë parasysh situatat. Ajo është e pathyeshme si në varfëri ashtu edhe kur jeton në pasuri nga të mirat që All-llahu i ka dhuruar. Femra e mbuluar, e nënshtruar vetëm ndaj Krijuesit, duke pasur parasysh se për veprimin e harameve ndëshkohet, kurse me zbatimin e urdhrave dhe kryerjen e obligimeve, shpërblehet, vazhdon të qëndrojë e patundur ndaj sfidave dhe të ligave që i paraqiten gjatë jetës së saj. Ajo hyn në grupin e atyre ndaj të cilëve shejtani kishte thënë se nuk ka forcë për t'i mashtruar: "Përveç robëve të Tu, të cilët i ke bërë të sinqertë." (El-Hixhr 40). Pra, është ky besimi i sinqert e më pas hixhabi.
Përfundim
Ka shumë njerëz, sikur tham, që nuk e kuptojnë rëndësinë e mbulesës. Argumenti ynë se mbulesa është mbrojtje e femrës për ta është pa bazë, sepse, sipas tyre, mjafton emancipimi për të evituar të ligat që mund të godasin femrën. Ne këtu do të krahasojmë dy argumente, për të kërkuar atë të vërtetin.
Argumenti i tyre është se edukimi, sjellja civilizuese dhe vetëpërmbajtja a vetëkontrolli, - të gjitha këto të përmbledhura në fjalën emancipim, janë mbrojtja më e mirë. Ne do t'u themi atyre: këto fjalë tingëllojnë ëmbël por nuk mjaftojnë! Nëse civilizimi mjafton si mbrojtje, atëherë pse femra në botën e sotme të civilizuar nuk guxon të lëvizë natën e vetmuar nëpër rrugë, ndonjëherë madje as ditën? Nëse edukimi që ata e mendojnë është zgjidhje, atëherë pse gjithandej në Evropë dhe botë ekzistojnë kolegje vetëm për meshkuj dhe të tjera vetëm për femra? Nëse vetëpërmbajtja e menduar, është zgjidhje, atëherë pse gjithandej dhe tek ne nëpër vendet e punës ka amoralitet? Po pastaj, sa e sa dhunime ndodhin çdo ditë në botë? Këtë, pakkush është që e di! Pse ky emancipim nuk po arrin t'i emancipojë të degjeneruarit, të cilët i ngacmojnë vajzat dhe gratë nëpër rrugë e vende të tjera. Dikush do të na thoshte se ato vetë janë fajtore, sepse po e bëjnë hapin e parë provokues me lakuriqësinë e tyre. Kjo s'do koment! Emancipimi i lartpërmendur nuk arriti t'i emancipojë as ato, aspak. Me fjalën emancipim kuptojmë qytetërimin, ngritjen kulturore, zhvillimin e intelektit të njeriut, ngritjen morale e edukative të tij, por me këtë fjalë kurrnjëherë nuk bën të kuptojmë dëgjenerimin, qoftë në dukje, në të folur apo në sjellje, nga cilado gjini. Një gjë e kemi shumë të qartë: nëse të rinjtë vazhdojnë me këto trende "emancipuese", atëherë femra do të jetë ajo që do ta paguajë çmimin më të shtrenjtë.
Sot si kurrë më parë, theksohet emancipimi. Të shumtë janë ata që po veprojnë e me plot gojën emancipim për femrën tonë po ia mësojnë artin, muzikën, modën e çfarë jo tjetër! Nën hijen e këtij emancipimi ata drejtpërsëdrejti po e sulmojnë fenë islame, me qëllim që ta përdhosin moralin islam, ndërsa si reagim ndaj kësaj ata do të thonë se janë veçse duke i dhënë të drejtat femrës sonë. Ky lloj emancipimi e civilizimi nuk është tjetër veçse fjalë boshe e mashtrim, ndaj nuk na duhet fare. Në një hadith, i Dërguari i All-llahut, Muhammedi s.a.v.s. ka thënë: "Do ta ndiqni rrugën e atyre që kanë qenë para jush pëllëmbë pas pëllëmbe, hap pas hapi, madje sikur ata të hyjnë në vrimë të hardhucës, ju (edhe atje) do t'i ndiqni". Ne duhet të kemi kujdes që të mos hyjmë në këtë grup, por si duhet të veprohet?
Duhet të veprohet drejt një kulture më modeste, më edukative dhe më arsimore, pra drejt një emancipimi të mirëfilltë. Nuk bën të harxhojmë për veshjen më tepër sesa për libra; para se të ulemi në kafiteri, duhet të mendojmë për varfërinë që ka kapluar më tepër se gjysmën e popullatës kosovare, e mbi të gjitha para se të argëtohemi duhet të adhurojmë All-llahun xh.sh., i Cili nuk na ka krijuar për lojë e dëfrim por që ta njohim dhe t'i shprehim adhurim Atij. Shumë herë është thënë se civilizimi i shoqërisë qëndron mbi edukimin e femrës; kjo duhet të përsëritet papra, deri atëherë kur do ta kuptojmë se vërtet është ashtu. Mbulesa islame e kokës në këtë rast ka kuptim më domethënës. Ajo është mbrojtje e femrës prej faktorëve decivilizues. Atë e mbron nga cytjet e djallit të mallkuar, e mbronë nga epshi i vet, e mbron nga rrugaçët, e mbron nga ai koleg që se meriton as të flitet me të, e mbronë sepse i duhet mbrojtja edhe nga ndonjë profesor. Me vënien e mbulesës vihet mburoja dhe kodi i mirësjelljes që nuk bën të thyhet assesi. Atëherë në kokën e femrës mbillet bindja e urrejtjes ndaj të ligave, ndërsa në kokën e mashkullit mbillet bindja se ajo nuk bën të ngacmohet. Emancipimin e vërtetë na e mëson vetëm Kur'ani: "Nuk ka dyshim se për myslimanët e myslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqert e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, shumë-përmendësit e All-llahut e shumë-përmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh." (El Ahzabë, 35).
Mbulesa islame, në dallim nga mbulesa sipas traditës krishtere, nuk është shenjë e autoritetit të mashkullit mbi femrën dhe as është shenjë e nënshtrimit të femrës ndaj mashkullit. Mbulesa islame, në dallim nga mbulesa në traditën jehude, nuk është shenjë salltanati dhe epërsie e disa femrave e as mbrojtje e gjenezës së kombeve, sepse Islami të gjithë popujt i sheh si një bashkësi njerëzore e jo ndryshe. Mbulesa islame është vetëm shenjë modestie, me qëllim të mbrojtjes së femrës. Në Islam mësohet se më mirë është të jesh i sigurt sesa i mashtruar e i mjerë. Ç'është e vërteta, shqetësimi në Kur'an për mbrojtjen e femrës dhe pozitën e saj, është i tillë që mashkulli i cili bën akuza të rrejshme ndaj femrës së pafajshme, do të ndëshkohet rreptë. Femra në Islam ka të drejtën e shkollimit, ka të drejtat e saj si vajzë, si grua dhe si nënë etj. Në Kur'anin e pastër e famëlartë ka një kaptinë të veçantë kushtuar pozitës së gruas, është ajo surja En-Nisa. Në këtë kaptinë dijetarët konstatojnë se Allahu i Madhërishëm e ka zbritur qartazi doktrinën mbi barazinë gjinore. Femra muslimane e mbuluar, është plotësisht e vetëdijshme për pozitën në të cilën e ka vënë Krijuesi, prandaj me urtësi dhe dinjitet fetar e moral i kryen obligimet personale, familjare dhe ato shoqërore.
Ata që proklamojnë lakuriqësi apo kundërshtarët e mbulesës pasi ia arritën qëllimit me femrat e krishtera dhe hebreje, veprimin e kanë drejtuar nga femra muslimane, sepse ata lakuriqësinë ua dëshirojnë të gjithave, pa dallim. Në Kur'anin e pastër All-llahu xh.sh. thotë; "Ata dëshirojnë që edhe ju të mos besoni sikurse nuk besuan vetë, dhe të bëheni të njëjtë..." (En-Nisaë, 89) Me bindje të plotë themi se mbulesa nuk ka mundësi zëvendësimi.
Do ta përmbyllim këtë shkrim me një pjesë nga libri "Pse islami", të dijetarit të madh Dr. Jusuf El Kardavi, i cili thotë sa vijon: "Në qoftë se All-llahu i ka quajtur ehli-kitabët pabesimtarë, të padrejtë dhe mëkatarë, për shkak se ata nuk patën gjykuar sipas Tevratit (Dhjatës së vjetër) dhe Ungjillit (Dhjatës së re), atëherë ai që lë anash e nuk e përfillë Kur'anin dhe nuk gjykon sipas asaj që ka zbritur All-llahu xh.sh., a thua është mëkatar më i vogël se ata?! A thua Kur'ani është me vlerë më të vogël se shpalljet e mëparshme, kështu që mospërfillja dhe mohimi i tij të jenë mëkat më i vogël? Përgjigjja është: Gjithsesi JO. Madje, a thua Zoti i Madhërishëm mat me dy njësi matëse?! Dhe, po qe se hebrenjtë dhe të krishterët e braktisin librin e tyre e janë pabesimtarë e mëkatarë, a thua muslimanëve, nëse braktisin librin e tyre dhe e hedhin atë pas shpine, do t'u falet gabimi i tillë?! JO, Gjithsesi JO". | |
| | | | Fillimet e të mbuluarit të trupit dhe mbulesa e kokës tek femrat | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |
|