Shembujt kuranorë kanë trajtuar shumë çështje të cilat e përfshijnë njeriun në këtë jetë, si çështjet e kufrit dhe të imanit, besimit dhe dyfytyrësisë, udhëzimit dhe humbjes, dijes dhe injorancës, të dobishmes dhe të dëmshmes, pasurisë dhe varfërisë, çështje të kësaj bote dhe të botës tjetër si dhe shumë çështje të tjera. Ndër çështjet të cilat i kanë trajtuar shembujt kuranor është edhe çështja e së vërtetës dhe e së kotës. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai e lëshon ujin (shiun) nga qielli e sipas madhësisë së tyre rrjedhin përroska, kurse vala bart mbi vete shkumë të fryrë lart. Shkuma e ngjashme është edhe ajo kur shkrihet (metali) në zjarr për të përfituar ndonjë stoli ose ndonjë mjet. Kështu, Allahu sqaron shembullin e të së vërtetës dhe të pavërtetës. Për sa i përket shkumës (së ujit apo të metaleve), ajo hidhet si mbeturinë, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve, ajo mbetet në tokë. Kësisoj Allahu i sjell shembujt." (Ra'd, 17)
Ky ajet kuranor përgjithësisht sqaron se ajo që është e vërtetë dhe që do të mbetet në këtë botë dhe me të cilën do të kenë dobi njerëzit është e vërteta. Dhe krahas kësaj, çdo gjë në kundërshtim me këtë nga llojet e të pavërtetës nuk ka vlerë e as peshë dhe shumë shpejt do të zhduket e shuhet. Ky ajet ka përfshirë dy shembuj të cilët tregojnë se e vërteta është ngadhënjimtare në fund. Ajo është fjalë ndarëse në betejën e kësaj bote, ndërsa e kota dhe e pavërteta është humbëse dhe e mposhtur. Shembulli i parë është fjala e Allahut të Lartësuar: "Ai e lëshon ujin (shiun) nga qielli e sipas madhësisë së tyre rrjedhin përroska, kurse vala bart mbi vete shkumë të fryrë lart ", shembull të cilin e sjell me shiun, të cilin e zbret Allahu nga qielli për të mbushur lumenjtë, të cilët krijojnë vërshim të vrullshëm i cili bart me vete çdo gjë prej rrugës, kashtë, fletë, mbeturina dhe çdo gjë tjetër që nuk ka vlerë në realitet. Më pas këto vërshime në sipërfaqen e tyre formojnë një shkumë të bardhë në formë të flluskave që shumë shpejt e humbin formën dhe zhduket ngjyra e tyre. Mbetet vetëm uji nga i cili njerëzit kanë dobi, i furnizon lumenj i ushqen burimet dhe bart me vete dobi e të mira.
Shembulli i dytë është fjala e Allahut të Lartësuar: "Shkuma e ngjashme është edhe ajo kur shkrihet (metali) në zjarr për të përfituar ndonjë stoli ose ndonjë mjet", shembull të cilin e sjell për zjarrin të cilit i ekspozohen metalet e ndryshme, ndër to ari dhe argjendi me qëllim të largimit të të këqijave të tyre. kur i paraqiten zjarrit këto metale në sipërfaqe mbetet një shtresë e lëngët e ngjashme me shkumën e bardhë që shfaqet në sipërfaqen e ujit, mirëpo shumë shpejt shuhet dhe zhduket andej e këndej, ndërsa mbetet esenca e metalit origjinal, prej të cilit njerëzit kanë dobi dhe prodhojnë sendet e tyre dhe ndihmohen në kryerjen e nevojave të tyre. Kështu është edhe e vërteta me të pavërtetën në këtë botë.
E pavërteta mund të shfaqet dhe të lartësohet e të paraqitet si e vërtetë, mirëpo ajo i ngjan asaj shkume të bardhë që shfaqet në sipërfaqen e ujit të dhe të metalit të shkrirë, që shumë shpejt shuhet dhe zhduket pa i kushtuar vëmendje askush. Derisa e vërteta, edhe pse dikujt mund t’i duke se është zhdukur, shuar apo ka vdekur, mirëpo ajo në fund mbetet ashtu siç mbetet uji që e ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe ashtu siç mbetet metali safi (i pastër) të cilin e shfrytëzojnë njerëzit për nevojat e tyre.
Krahas asaj që përmendëm në ajetin kuranor, ekziston një aspekt tjetër ilustrimit me shembull, që kanë theksuar disa dijetarë e ajo është uji të cilin e ka sjell Allahu ka për qëllim dijen dhe udhëzimin që i dërgon Allahu i Lartësuar robërve të Vet përmes të Dërguarve, Lajmëtarëve dhe dijetarëve. Kështu që njerëzit marrin hisen e tyre aq sa u lehtëson dhe i ndihmon Allahu ata. Prandaj, elementet e ngjashmërisë në këtë ajet- sipas këtij qëndrimi të dijetarëve-janë këto: Me ujë nënkuptohet dija dhe udhëzimi, me lumenj nënkuptohen zemrat që pranojnë dije dhe udhëzim, ndërsa madhësia që rrjedhin përroskat nënkuptohet hisja e zemrave në pranimin e asaj dije. Me shkumë dhe metalet nënkuptohet e kota, dyshimet, të pavërtetat dhe epshet që e godasin njeriun. Ndërsa uji i pastër që mbetet pas shkuarjes së vërshimit, dhe metali i pastër pas shkrirjes në zjarr nënkuptohet e vërteta e cila mbetet për gjithnjë, për faktin se prej cilësive dhe karakteristikave të saj është qëndrueshmëria.
Taberaniu transmeton nga ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, thënien e tij rreth këtij ajeti. Ai thotë: "Ky është një shembull të cilin e ka sjell Allahu i Lartësuar, ku zemrat e bartin atë në sasi të bindjes dhe dyshimit të tyre. puna dhe vepra nuk sjell dobi me dyshimin ndërsa me bindje Allahu u sjell dobi të zotëve të saj. Për sa i përket shkumës (së ujit apo të metaleve), ajo hidhet si mbeturinë, ka për qëllim dyshimin, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve, ajo mbetet në tokë" ka për qëllim bindjen ashtu siç bëhet metali pas shkrirjes në zjarr, merret i pastër ndërsa ndryshku i tij mbetet në zjarr. Kështu Allahu i Lartësuar e pranon bindjen dhe e lë dyshimin.
Në këtë kontekst është transmetuar edhe një hadith i të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë: “Shembulli që Allahu më dërgoi me dije dhe udhëzim është si shembulli i shiut që bie në tokë, ku një pjesë e mirë e saj e pranon shiun dhe mbijnë mbi të bimë të shumta. Ka prej saj që thahet e mban ujin dhe Allahu me të u jep dobi njerëzve, të cilët pinë, ujisin, mbjellin. Pjesa tjetër nuk e mban ujin dhe as nuk mbin bimë. Kjo është si shembulli i atij që kupton fenë e Allahut dhe i bën dobi ajo me të cilën Allahu më dërgoi, mëson për vete dhe mëson të tjerët dhe shembulli i atij që nuk ngre kokën me këtë, nuk e pranon udhëzimin e Allahut me të cilin u dërgova.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Prej këtij shembulli në këtë ajet mësojmë disa mësime, prej të cilave përmendim:
1- Fundi i takon besimtarëve dhe se e vërteta do të ngadhënjejë pa pikë dyshimi, edhe pse realiteti dëshmon për të kundërtën e kësaj. Kurse e pavërteta do të zhduket edhe pse ndonjë ditë e mbart flamurin lart.
2- Vepra e mirë është ajo e cila do t’i mbetet vepruesit dhe vetëm prej saj mund të shpresohet e mira dhe dobia në këtë botë dhe në botën tjetër, ndërsa vepra e keqe shkon dhe nuk do t’i sjell asnjë dobi vepruesit të saj.
3-Dija dhe udhëzimi i sjell dobi besimtarit në këtë botë, ndërsa dyshimi dhe e kota nuk sjellin kurrfarë dobie.
Në fund thotë ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë: "Kush nuk i kupton këto dy shembuj, nuk i mediton dhe nuk mëson se çfarë kanë për qëllim nuk konsiderohet prej të zotëve të tyre".
Ndërsa dikush prej të parëve kishte thënë: "Kur lexoja një shembull në Kuran dhe nuk e kuptoja, qaja për veten time, për faktin se Allahu i Lartësuar thotë: "Por ata nuk i kupton kush, përveç dijetarëve."