Dr.Muhamed El-ivedij:”Thotë Zoti në Kuran:”Allahu nuk ngurron të japë shembull mushkonjën ose diçka më të vogël se ajo…” (Bekare: 26)
Ky ajet iu shpall Profetit a.s si pasojë e talljes së hebrenjve se Kurani merret me insekte dhe krijesa të vogla. Sipas jush dhe nën dritën e studimeve shkencore, përse Zoti e përmend veçanërisht mushkonjën?”
Dr. Sabri Demirdash:”Studiuesit që kanë studiuar anatominë dhe fiziologjinë e mushkonjës, e kanë përshkruar atë si një mrekulli më vete. Shkaku i shpalljes së ajetit të mësipërm, ashtu siç e theksove dhe ti, është se kur Zoti përmendi në Kuran disa të vërteta mbi disa insekte si bleta, miza, merimanga dhe milingona, hebrenjtë filluan të tallen me Kuranin. Ç’qenka ky libër me burim nga Zoti që merret me insekte?! Edhe poetët arabë nuk i përmendin në vjershat e tyre këto insekte, pasi janë të pështira, kurse Kurani i Muhamedit është i mbushur me emrat e këtyre insekteve!
Këtyre përbuzjeve dhe talljeve, Zoti u dha përgjigje në ajetin e mësipërm. Ngurrimi që përmendet në ajetin e mësipërm, është pavendosmëria për të bërë diçka dhe mungesa e vendosmërisë, si rezultat i diçkaje të ndodhur. Zoti e mohon diçka të tillë për veten e Tij dhe pohon që është i gatshëm të sjellë çfarëdo lloj shembulli, në të cilin ka dobi. Kurse fjalët “ose diçka më të madhe se ajo” nënkuptojnë diçka më të vogël dhe më të imët se mushkonja. Këtë kuptim, e nxjerrim nga vetë konteksti i ajetit. Nëse hebrenjtë u tallën për insekte më të mëdha, Zoti u thotë që Ne nuk ngurrojmë të sjellim shembull as mushkonjën që është më e vogël dhe as krijesa të tjera që janë më të vogla se mushkonja. Sa më e vogël të jetë madhësia e një produkti, aq më fuqishëm e tregon madhështinë dhe mjeshtërinë e prodhuesit. Produkte si kompjuteri, radioja, televizori, celulari etj… në vitet e para të prodhimit ishin të një madhesie dhe përmasash shumë më të mëdha seç i gjejmë sot.
Dr.Muhamed El-ivedij:”U kam dëgjuar të pohoni se mushkonja arrin të bëjë dallime mes një beduini dhe një të civilizuari, mes një qytetari dhe një fshatari, mes një burri dhe një gruaje. Me të vërtetë që kjo është diçka e çuditshme. Dhe kam lexuar në një artikull tuajin që mushkonja pickon më së shumti gratë.”
Dr. Sabri Demirdash:”Më e veçantë se kjo është se vetëm mushkonja femër pickon, kurse mashkulli jo. Mashkulli i mushkonjës ushqehet me nektarin e bimëve.”
Dr.Muhamed El-ivedij:”Atëherë kuptojmë që mashkulli i mushkonjës është paqësor, kurse femra agresore. Pyetja që lind është:”Ku qëndron forca dhe energjia e mushkonjës?”
Dr. Sabri Demirdash:”Forca e saj qëndron në çdo pikë të fizikut të saj. Unë dua të bëj një replikë të shkurtër me të gjithë ata që tallen me faktet dhe ajetet e Kuranit famëlartë. Thotë Zoti në Kuran:”Allahu do të tallet me ata dhe do t’i lërë një kohë të gjatë që të bredhin verbërisht në mendjemadhësinë e tyre. Pikërisht këta janë ata që kanë këmbyer udhëzimin me humbjen, kështu që tregtia atyre nuk u solli kurrfarë dobie dhe as nuk ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë.” (Bekare: 15-16)
Unë u them atyre që tallen me këto shembuj në Kuran, që secili prej nesh kemi dy sy. Kurse mushkonja ka mbi njëmijë sy. Ajo ka dy palë sy të përbërë dhe të gjithë sytë e insekteve janë të tillë. Kurse merimanga i ka sytë e thjeshtë, ngaqë nuk është insekt. Ajo mund të ketë gjashtë sy, katër, dy ose mund të jetë e verbër. Kurse sytë e mushkonjës përbëhen nga qindra sy të tjerë të vegjël shumë funksionalë, me qëllim që të garantojë një shikim sa më të qartë natën.
Diçka tjetër e veçantë është se mushkonja ka tre zemra. Një zemër qëndrore dhe dy të tjera anësore. Hunda e mushkonjës përbëhet nga shtatë pjesë dhe çdo pjesë ka thikat e saj prerëse. Ajo ka dhe një sistem si ai infrared, me atë të cilit dallon dhe zbulon prenë e saj me ngjyrë vjollcë. Nëse milingona e gjente prenë me antë të erës, mushkonja e gjen prenë me anë të ngjyrës. Me ta nuhatur prenë, ajo turret dhe e pickon. Ndonjëherë ajo gabon dhe përpiqet të pickojë sipër rrobave.”