Përballë vetvetes
Mr. Ejup Haziri
Jeni duke qëndruar në kinema dhe në çdo moment pritni që filmi -për të cilin jeni ardhur- të ia fillon, shikon sallën e kinemasë e cila është e stërmbushur me njerëz që kanë ardhur për të njëjtin qëllim. Sytë e tyre i janë drejtuar aparatit kinematografik dhe me ëndje të madhe presin fillimin e filmit. Vjen edhe çasti i caktuar dhe në ekran dalin skenat e para të atij filmi. Si do të ndihesh nëse krejt papritmas ja fillon filmi që do të elaboronte një pjesë të jetës sate që ndokush ka bërë përgjime pa dijen tënde? Duke filluar filmi, fillojnë edhe skandalet, marrëzitë dhe mëkatet tua të vazhdueshme! Shikon ekranin e zmadhuar dhe ja e sheh veten, sodit mendjen se a je në ëndërr apo ajo që e sheh është realitet e jo fantazi, fshin sytë se mos vallë ato pamje janë imagjinata, por gabon posa t’i hapësh sytë ngase skenat skandaloze mbesin të njëjta, dhe tashmë bindesh se personi në aparatin kinematografik je pikërisht ti e jo ndokush tjetër. Shikon përreth vetit sa në të djathtë e sa në të majtë, dhe ja që gjithë sytë e tyre janë drejtuar kah ti. Ul kokën poshtë nga turpi, fytyra të skuqet, trupi të dridhet nga ajo që sheh, zemërimi të kaplon, ndërsa pulsi i zemrës sate sa vjen e shtohet. të gjitha ato që i sheh janë veprimet tua, që ndoshta në momentin e veprimit ke konsideruar veten të guximshëm e ndoshta edhe revolucionar. Sheh padrejtësitë tua karshi të dëmtuarve, zhytjen tënde në nderet e njerëzve, bartjen e gënjeshtrës, përgojimet, premtimet e thyera, mashtrimet e kota, mëkatet e ndryshme, sheh gjithçka madje edhe imtësitë më të vogla, por të tëra këto skena nuk janë të ekzagjeruara, por një realitet i vërtetuar me fakte e dëshmi që tronditin rëndë ndërgjegjen tënde, saqë fjalët sado të fuqishme që janë ato prapëseprapë nuk mund ta shprehin gjendjen e atyre çasteve. Shikon poshtë dhe lutesh që të të hapet toka dhe ti të fundosesh në brendësinë e saj. Ndien se toka të është ngushtuar ani pse ajo është mjaftë e gjerë. Ngrit kokën lart dhe lutesh që Zoti të ta merr shpirtin para se të turpërohesh dhe të poshtërohesh para gjithë asaj turme njerëzish. Por, për çudi, as toka nuk hapet e as qielli nuk të bie sipër, e as vdekja nuk ngjan edhe pse ti me ngulm e kërkon atë.
Gjërat që dikur ishin në dorën tënde, tashmë janë në dorën e ndokujt tjetër dhe fatkeqësisht fuqia jote për të stopuar skandalet e tua janë tentativa të kota dhe krejtësisht të pavlera. A do të ngrihesh para gjithë atyre njerëzve dhe ta lëshosh sallën e kinemasë apo do të vazhdosh ashtu i turpëruar dhe tepër i dëshpëruar duke shikuar marrëzitë skandaloze të jetës sate? Nëse ngrihesh padyshim se gjithë ata shikimin e tyre do ta drejtojnë karshi teje, e nëse mbetesh aty, atëherë poshtërimi veç vjen e shtohet. Sigurisht që asnjëra prej këtyre nuk do të duket ndonjë zgjidhje, madje që të dyja të duken si një ekuacion algjebrik, por para vetit s’ke ndonjë rrugëdalje tjetër.
Shikon orën dhe mendon se akrepat janë ndalur në tërësi dhe se ajo fare nuk lëviz. Koha të duket e gjatë dhe ato inserte filmi të duken sikurse ti je ulur aty me vite e ndoshta edhe me dekada.
Shqetësimet e brendshme janë të papërshkruara. Brenga, mundime, mërzitje e madhe, ngushtime të tepërta, hall e siklete, janë vetëm disa prej atyre që do të shoqërojnë në ato momente të vështira dhe kritike.
Mendon se si do të vjen fundi, por fundi është larg, dhe për të arritur deri tek fundi, duhet kohë dhe durim të madh në përballimin e atyre shqetësimeve të mëdha.
Ky ishte një përfytyrim dhe figurë imagjinare, e cila mund të ndodh edhe në realitet, por që ky përfytyrim imagjinar i ngjan një ditës tjetër që është realitet dhe pasqyrim real.
Ajo është dita kur pas ringjalljes do të qëndrojmë përballë Zotit në mënyrë që të japim llogari për vetveten tonë, do të jetë e gatshme çdo gjë që e kemi vepruar sa ishim gjallë. Do të na paraqitet edhe libri i llogarisë së përpiktë. Lexo se çka thotë i Plotfuqishmi: “Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!”[1]
Vallë, paramendoje këtë situatë, i ndalur me gjithë njerëzimin, shikon në të djathtë e fundi i njerëzve fare nuk shihet, shikon në të majtë e gjendja është e njëjtë si në anën tjetër. Dielli të është afruar mbi kokë, djersët mbulojnë këmbët tua, shikimi yt është shumë i mprehtë, shpresa sa vjen e zbehet, shpëtimi kushtëzohet nga libri i dhuruar ose nga mëshira e falur e Krijuesit tënd. Para vetit ke librin tënd që është regjistruar çdo detaj i jetës sate. Nuk mund të besosh se tërë ajo që ke vepruar është regjistruar, por nuk mund t’i mohosh faktet. Sheh se asgjë nuk është shtuar, një llogari e drejtë. Lexon librin tënd, apo më mirë të themi lexon marrëzitë tua, ndalesh pranë mëkateve, gabimeve dhe marrëzive tua në jetën e kaluar. Mezi fryma del e gjuha shqipton, fytyra të skuqet kur kalon pranë të këqijave që ke vepruar, këmbët të dridhen dhe mezi të mbajnë, por leximin e atij libri duhet vazhduar.
Çuditesh kur sheh para vetit njerëz të shumtë, që qëndrojnë pranë teje, gjithë ata kërkojnë dëmshpërblim nga ti. O Zot! Si ma vështirësojnë gjendjen! Por, ndoshta ke harruar se edhe ti ua ke vështirësuar ndokujt gjendjen. Këta të ardhurit janë ata që ti u ke bërë padrejtësi në jetën tënde; ke bërë shpifje, ke nëpërkëmbë nderin, ke gënjyer, ke bartur fjalë, ke bërë këtë e atë, andaj ata tani kërkojnë dëmshpërblim prej teje. Si do t’ia bësh këtij halli? Çka do t’u japësh atyre në ato momente kritike? Do t’ua japësh të mirat tua nëse të mjaftojnë për gjithë ata, e nëse nuk mjaftojnë, atëherë do ua marrësh atyre të këqijat. Vaj halli për llogarinë tënde të asaj dite të tmerrshme, sa ditë e gjatë dhe sa e vështirë do të jetë! Dhashtë Zoti të mos jemi prej atyre që atë ditë do të tmerrohen: “Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.”[2]