Admin Administratore
Numri i postimeve : 846 Join date : 03/06/2009 Age : 40
| Titulli: Vlera e dhjetë ditëve të Dhul-hixhes Thu Nov 19, 2009 12:46 pm | |
| Vlera e dhjetë ditëve të Dhul-hixhes Lavdërimi i takon vetëm Allahut, bekimi dhe paqja qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka të dërguar.
Nga begatitë e Allahut ndaj robërve të Tij është edhe caktimi i disa sezoneve për vepra të mira, ku ata i shtojnë këto vepra gjatë këtyre ditëve, bëjnë gara në këtë që të afrohen te Zoti i tyre. I lumtur konsiderohet ai që përfiton gjatë këtyre sezoneve dhe nuk lejon që t`i kalojnë kot. Nga këto sezone me vlerë janë dhjetëditëshi i parë i dhulhixhes. Për këto ditë Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka dëshmuar se janë më me vlerë se çdo ditë tjetër dhe ai ka nxitur për bërjen e veprave të mira gjatë këtyre ditëve. Ajo që e shton edhe më shumë vlerën është se Allahu i Lartësuar është betuar në këto dhjetë ditë. Vetëm kjo na mjafton të kuptojmë madhërinë e këtyre ditëve, për shkak se i Madhëruari nuk betohet vetëm se në diçka të madhe.
E tërë kjo është shkas që nga besimtari të kërkohet ta jap mundin gjatë këtyre ditëve, t`i shpeshtojë veprat e mira dhe të kuptojë formën e saktë të pritjes dhe shfrytëzimit të tyre. Në vazhdim do të sqarojmë vlerën e dhjetëditëshit të parë të dhuldixhes, vlerën e veprave gjatë këtyre ditëve dhe cilat vepra janë të preferuara të praktikohen.
Lusim Allahun e Lartësuar të na japë sukses të përfitojmë gjatë këtyre ditëve dhe të na ndihmojë në shfrytëzimin e tyre, ashtu si Ai është i kënaqur me ne!
Me çfarë duhet të pritet dhjetëditëshi i parë i dhulhixhes?
Është e zakonshme që besimtari të jetë në pritje të sezoneve të përgjithshme, nga këto edhe dhjetëditëshin e parë të dhulhixhës me këto gjëra:
1. Pendim të sinqertë.
Kërkohet nga muslimani që të jetë në pritje të këtyre ditëve me pendim të sinqertë dhe me vendosshmëri se do t'i kthehet Allahut, për shkak se me pendim robi arrinë shpëtimin në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: "… Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim." (Nur, 31)
2. Vendosshmëria serioze për shfrytëzimin e këtyre ditëve.
Është e nevojshme për muslimanin të jetë i kujdesshëm që këto ditë t`i kalojë me thënie dhe vepra të mira. Kush mundohet për diçka, Allahu i ndihmon atij dhe do t`ia sigurojë shkaqet që do t'i ndihmojnë në kryerjen e këtyre veprave. Ai që është i sinqertë me Allahun edhe Allahu do të jetë i sinqertë me të. Allahu i Lartësuar thotë: "E ata, të cilët kanë dhënë mundin për hir Tonë, Ne, me siguri do t'i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e besimtarëve." (Ankebut, 69)
3. Largimi nga mëkatet.
Sikurse që veprat e mira janë shkaktarë për afrimin ndaj Allahut, gjithashtu edhe mëkatet janë shkaktarë për largimin nga Allahu dhe distancim nga mëshira e Tij. Është shumë e mundur që njeriu të ndalohet nga rahmeti i Allahut, për shkak të mëkatit që e vepron, prandaj nëse ke ëndje për mëshirë, falje të mëkateve dhe shpëtim nga zjarri i xhehenemit ki kujdes nga mëkatet gjatë këtyre ditëve dhe ditëve të tjera. Ai i cili e kupton se çfarë kërkon, nuk i duket e rëndë çkado që sakrifikon.
Prandaj, vëlla i dashur, ki kujdes në shfrytëzimin e këtyre ditëve, mundohu që t`i presësh sa më mirë dhe të mos kalojnë ashtu e të pendohesh, atëherë kur pendimi nuk ka dobi.
Vlera e dhjetëditëshit të parë të dhulhixhes
1. Allahu i Lartësuar është betuar në këto dhjetë ditë.
Kur Allahu betohet në diçka, kjo aludon në madhërinë e saj dhe vlerën që ka, për shkak se i Madhërishmi nuk betohet vetëm se në diçka të madhe. Allahu i Lartësuar thotë: "Pasha agimin! Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun!" (Fexhr, 1-3)
Dhjetë netët për të cilët Allahu betohet këtu janë dhjetë të dhulhixhës, ky është mendimi i shumicës së komentatorëve të Kuranit; Ibën Kethiri thotë se kjo është e sakta.
2. Këto ditë janë ato ditët që Allahu i quan të njohura dhe në të cilat është caktuar dhikri (përkujtimi i Allahut).
Allahu i Lartësuar thotë: " …Dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (të njohura), (në shenjë falenderimi) dhe për atë që i ka furnizuar me kafshë…" (Haxh, 28). Shumica e dijetarëve thonë se ditët e caktuara (të njohura) janë dhjetë ditët e para të dhulhixhës; nga ata që kanë thënë kështu janë: Ibën Omeri dhe Ibën Abasi.
3. Resulullahu (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka dëshmuar se këto ditë janë më të vlefshmet se të gjitha ditët e tjera.
Transmetohet nga Xhabiri se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: "Ditët më të mira në këtë botë janë dhjetë ditët e dhulhixhes." Dikush pyeti: "A e nuk arrin këtë vlerë xhihadi në rrugën e Allahut?" Ai tha: "Nuk e arrin këtë vlerë as xhihadi në rrugën e Allahut, përveç atij që i bie fytyra në dhe (bie shehid)." (Transmeton Bezari, Ibën Hibani dhe Shejh Albani e cilëson të saktë)
4. Në këtë dhjetëditësh ndodhet edhe dita e Arafatit.
Dita e Arafatit është dita e haxhit të madh, dita e faljes së mëkateve, dita e shpëtimit nga zjarri. Në këto dhjetë ditë të dhulhixhes po të mos ishte vetëm se kjo ditë do të mjaftonte për ngritjen e vlerës së këtyre dhjetë ditëve. Për vlerën e ditës së Arafatit kemi sqaruar kur kemi folur për haxhin.
5. Në këto dhjetë ditë gjendet edhe dita e nahrit.
Kjo ditë është më e vlefshme se të gjitha të tjerat te disa dijetarë, madje më e vlefshme edhe se dita e Arafatit. Resulullahu (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Dita më e madhe tek Allahu është dita e nahrit, pastaj dita e ballafaqimit me armikun." (Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu dhe e cilëson Albani si të saktë)
6. Në këto ditë përmblidhen ibadetet më të rëndësishme.
Hafidh Ibën Haxheri thotë: "Ajo që nënkuptohet këtu si shkaku i veçimit të këtyre ditëve është se në këto ditë mblidhen adhurimet më të rëndësishme: namazi, agjërimi, sadakaja, haxhi, kurse ditëve të tjera nuk ndodh ky bashkim."
Përktheu: Alaudin Abazi | |
|