Allahu na ka zbritur dhjetë netë nga më të begatat që eksiztojnë, dhe në to ka zbritur begati të madhe. Këto netë kanë vlera të mëdha, prandaj Pejgamberi alejhi selam në këto ditë e shtonte së tepërmi adhurimin dhe punët e mira. Nga Aishja transmetohet : “Pejgamberi alejhi selam, këto ditë, i shtonte punët e mira më shumë se ditët e tjera.” [Transmeton Muslimi]
Ajo thotë: “Kur hynte dhjetëditëshi i fundit, Pejgamberi alejhi selam shtrëngonte izarin, falte namaz gjithë natën dhe për këtë zgjonte edhe pjesëtarët e familjes.” [Transmeton Buhari dhe Muslimi]
Ajo thotë: “Pejgamberi e përziente njëzetëditëshin e fundit me namaz nate dhe me gjumë, por kur hynte dhjetëditëshi, nuk flinte, por shtrëngonte izarin.” [Transmeton Ahmedi]
Nëpërmjet këtyre haditheve del në pah vlera e këtyre ditëve, sepse edhe Pejgamberi alejhi selam u ka kushtuar rëndësi atyre, duke shtuar në këto ditë punët e mira. Ai rrinte tërë natën zgjuar duke falur namaz, duke lexuarKur’an e duke bërë dhikër.
Këtë e bënte për madhështinë dhe rëndësinë e këtyre ditëve dhe për të kërkuar Natën e Kadrit, në të cilën kush falet me besim dhe duke llogaritur sevapin, i falen të gjitha gjynahet e mëparshme. Mënyra se si Pejgamberi alejhi selam i shfrytëzonte këto ditë, me namaz, dhikër e adhurim, tregon se ato janë një rast i volitshëm. Ndaj edhe besimtari i mençur nuk e lë këtë rast t’i shpëtojë, si atij, ashtu edhe familjes së tij.
Ato janë disa netë të pakëta, mund të ndodhë që gjatë adhurimit në këto netë të ndjesh shijen e pendimit dhe të sinqeritetit, e kështu fiton Dunjanë dhe Ahiretin. Është për të ardhur keq kur shikon se si shumë muslimanë, këto ditë të begata i kalojnë me gjëra që nuk u sjellin dobi. Rrinë deri natën vonë duke bërë muhabet, dhe kur vjen koha për të falur namaz nate, flenë, duke u shpëtuar në këtë formë një sevap mjaft i madh, të cilin nuk mund ta gjejnë më gjatë atij viti. Nuk ka dyshim se ata i vë në lojë shejtani, i cili është betuar të largojë njerëzit nga bindja e Allahut. Allahu i thotë shejtanit: “Sepse, ti ndaj robërve të Mi (të sinqertë) nuk ke kurrfarë force (as fizike e as mendore), përveç atyre të humburve që të vijnë nga pas.” [Hixhr, 42]
Ai që është i mençur nuk e ndjek rrugën e shejtanit, i cili i ka dalë si kundërshtar Allahut, kjo është në kundërshtim me logjikën e shëndoshë. Allahu thotë: “Vallë në vendin Tim do ta merrni për mik atë (shejtanin) dhe pasardhësit e tij, ndërkohë që ata janë armiqtë tuaj? Sa këmbim i shëmtuar është ai që bëjnë jobesimtarët.” [Kehf, 50]
“Shejtani është armiku juaj, ndaj edhe ju konsiderojeni atë si armik, ai e thërret grupin e tij vetëm sa për t’i bërë banues të zjarri.“ [Fatir, 6]
Nga të veçantat e këtyre dhjetë ditëve është se në to Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka bërë edhe Itikaf. Itikaf do të thotë: “Të qëndrosh në xhami për t’u veçuar në adhurimin e Allahut.” Itikafi është prej sunneteve të bazuara në Kur’an dhe në hadithe të sakta. Aishja transmeton se: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem bënte Itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, derisa ndërroi jetë. Më pas në xhami bënin Itikaf gratë e tij.” [Transmeton Buhari dhe Muslimi]
Pejgamberi alejhi selam bënte Itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, derisa ndërroi jetë.