All-llahu I Madhërishëm në shumë vende në Kur’an e përmend sëmundjen e zemrës dhe shërimin e saj, si dhe pejgamberi a.s. e ka përmendur në shumë hadithe. Prej ajeteve po veçojmë: “Në zemrat e tyre kanë sëmundje, e All-llahu u shton sëmundje edhe më shumë” .194 “E ata që në zemrat e tyre kanë sëmundje, i sheh se ngarendin te ta (për miqësi)” .195 “Dhe shëron zemrat e njerëzve besimtarë. Dhe Ai mënjanon brengat nga zemrat e tyre” .196 “Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra)” .197 “Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët” .198 “Thuaj: Ai është për besimtarët udhëzues e shërues” .199 “Andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij” .200 “Po nëse hipokritët dhe ata që kanë zemra të sëmura, dhe ata që përhapin gënjeshtra në Medine, nuk ndalen, Ne do të bëjmë që ti të dominosh mbi ta” .201 “Kur hipokritët dhe ata që në zemrat e tyre kishin sëmundje, thoshin: “All-llahu dhe i dërguari Tij, nuk na premtuan tjetër vetëm se mashtrim!”.202
Ndërsa pejgamberi a.s. ka thënë: “E pse nuk kanë pyetur pasi s’e kanë ditur, sepse shërimi i paqartësisë është të pyeturit” .203
Sa e ka përmendur All-llahu sëmundjen e zemrës dhe shërimin e saj, aq e ka përmendur edhe vdekjen e saj, gjallërinë, dëgjimin, shikimin, të menduarit, shurdhërinë, pamundësinë për të folur, si dhe verbërimin e saj. Mirëpo qëllimin e kemi që t’i njohim sëmundjet e zemrës, e sëmundja është dy llojesh: prishja e ndjenjave dhe prishja e lëvizjeve të natyrshme dhe çdo gjë që ka të bëjë me to për nga aspekti i dëshirës. Humbja e njërës prej këtyre dyjave shkakton dhimbje dhe mundim. Ashtu si shkaktohet kënaqësia dhe mirësia me ndjenjat dhe lëvizjet e natyrshme të shëndosha, ashtu ndodhë edhe me prishjen e tyre, pra shkaktohet dhimbje dhe mundim. Andaj, fjala “begati” (ni’met) rrjedh nga fjala “të mira” (neim), e këtu përfshihet çdo gjë në të cilën ka kënaqësi dhe begati me të cilën All-llahu i ka begatuar robërit e Tij. All-llahu I Madhërishëm thotë: “Në atë ditë do të pyeteni për të mirat (e dynjasë)” .204
D.m.th. do të pyeteni për falënderimin ndaj tyre (të mirave). Shkaku i kënaqësisë është ndjesia e volisë, ndërsa shkaku i dhimbjes është ndjesia e jo-rehatisë, dhe kënaqësia dhe dhimbja nuk janë vetë ndjenjat, por ato janë rezultat, fryt apo qëllim i tyre.
Kënaqësia dhe dhembja e zemrës janë më të rënda se kënaqësia dhe dhembja e trupit, këtu e kam për qëllim kënaqësinë dhe dhembjen shpirtërore – edhe pse edhe zemrës i ndodh që të sëmuret për nga aspekti fizik, siç është rasti edhe me organet tjera, e kjo është tjetër gjë.
Andaj sëmundja e zemrës dhe shërimi i saj janë më të mëdha sesa sëmundja e trupit dhe shërimi i tij, kështu që ndonjëherë ndodh që ajo të jetë e sëmurë nga sëmundje të dyshimeve, siç thotë All-llahu I Madhërishëm: “Andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij” .205
Po ashtu siç ka shkruar edhe Haraitiu një libër me titull “Sëmundjet e zemrës nga epshet”. Në zemrat e hipokritëve, sëmundja është e kësaj natyre. Po ashtu e kësaj natyre është edhe për nga aspekti i prishjes së bindjeve dhe prishjes së dëshirave. Kështu që atij të cilit i është bërë ndonjë padrejtësi, në zemrën e tij ekziston dhembja e zullumit që ia ka bërë tjetri, e kur ta fitojë hakun e tij, atëherë i shërohet zemra. All-llahu I Madhërishëm thotë: “Dhe shëron zemrat e njerëzve besimtarë. Dhe Ai mënjanon brengat nga zemrat e tyre” .206
Pra, nëse i hiqet mundimi dhe i jepet e drejta, atëherë mënjanohet brenga. Ashtu siç mosdëgjimi dhe mosfolja janë sëmundje për njeriun, po ashtu edhe mosdëgjimi dhe mosnjohja e zemrës së tij të vërtetën nga e kota, është një sëmundje edhe më e dhimbshme. Po ashtu edhe i sëmuri siç e konsideron rehatinë, mirëqenien dhe gëzimin si një gjë të madhe, ashtu edhe mes pamjes së të vërtetës me anë të zemrës dhe pamjes së të vërtetës me anë të syve të ballit ka një dallim shumë të madh të cilin nuk mund ta dijë askush pos All-llahut, I Cili thotë: “E kush është më i humbur se ai që duke mos pasur fakt prej All-llahut, ndjek epshin e vet?” .207 Në një ajet tjetër thotë: “Por, pa ndonjë fakt të dijes, ata shkuan pas dëshirave të epshit të vet” .208
Ashtu siç trupi është jashtë drejtimit kur merr diçka pa ia propozuar mjeku, dhe për shkak të dobësisë së njohurisë dhe forcës së zemrës nuk është në gjendje të dijë dhe të dojë atë që i bën dobi, po ashtu edhe njerëzit janë injorantë që i bëjnë zullum vetes, kështu që çdonjëri shpejton pas asaj që ia dëshiron epshi, dhe e braktis atë që ia urren shpirti nga ajo që nuk i bën dobi atij, e kjo pastaj i shkakton dhembje dhe dënim, ose në këtë botë, ose në botën tjetër ku dënimi është edhe më i madh.
___________________________
194.Kaptina El-Bekare, ajeti 10.
195.Kaptina El-Maide, ajeti 52.
196.Kaptina Et-Tevbe, ajeti 14, 15.
197.Kaptina Junus, ajeti 57.
198.Kaptina El-Isra, ajeti 82.
199.Kaptina Fussilet, ajeti 44.
200.Kaptina El-Ehzab, ajeti 32.
201.Kaptina El-Ehzab, ajeti 60.
202.Kaptina El-Ehzab, ajeti 12
203.Transmetojnë Ahmedi, Ebu Davudi, Ibn Maxhe, Darimiu dhe Darekutniu.
204.Kaptina Et-Tekathur, ajeti 8.
205.Kaptina El-Ehzab, ajeti 32.
206.Kaptina Et-Tevbe, ajeti 14, 15.
207.Kaptina El-Kasas, ajeti 50.
208.Kaptina Err-Rrum, ajeti 29.
Shejhul-Islam Tekijjud-din Ahmed Ibn Tejmijje
Teuhid.net