Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç Allahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
"O ju që keni besuar, keni frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!" (Ali Imran: 102)
"O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikqyrës mbi ju." (En-Nisa:1)
"O ju besimtarë, keni frikë Allahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh." (El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë - udhëzimi i Muhammedit sal-lallahu alejhi ue selem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid'at dhe çdo bid'at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr...
O ju muslimanë!
Kjo tokë mbi të cilën jetojmë është një prej begative madhështore të Allahut, subhanehu ue teala, mbi të jetojmë dhe në brendësinë e saj i varrosim të vdekurit.
Allahu, subhanehu ue teala, thotë:
“A nuk bëmë Ne tokën që në gjirin e vet mban, të gjallë dhe të vdekur?” (El Murselat, 25-26)
“Prej asaj (tokës) Ne u krijuam ju, e ju do t'ju kthejmë përsëri në të, e prej saj do t'ju nxjerrim edhe një herë.” (Ta-Ha: 55)
“Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja.” (El Mulk: 15)
Ajetët në këtë kuptim janë të shumtë.
Allahu me urtësinë e tij në brendësinë e tokës vendos gjitha gjërat e duhur për mbijetesën e njeriut, e bekoi atë dhe caktoi korrën e saj. Pastaj e bëri të përqendrueshme, të palëvizshme me kodrat e saj duke ia mundësuar njeriut që mbi të ndërton vendbanimet e tij.
Por në disa raste Allahu këtë tokë aq të qëndrueshme e bën ushtar prej ushtrive të Tij, lejon lëvizjen dhe zgjerimin e saj duke shkaktuar tërmete katastofale, duke i frikësuar disa nga robërit e tij si dhe për të edukuar tjerët. Qoftë i lartësuar Ai ushtritë e të cilit nuk i din askush.
Në këto ditë Japonia dhe bota përjetuan një termet shkatërrues që pas vete la, rrënoja, të vdekur, të zhdukur, të zhvendosur dhe shkatërrime vlera e të cilave përcaktohen në miliarda.
Çdoherë që muslimani ballafaqohet me ndodhi të tilla duhet të ulet të mediton dhe të merr mësime…
Qëndrimi i tillë i muslimanit buron nga besimi i tij sipas të cilit, ai në pajtim me botëkuptimin islam, i analizon ndodhitë në botë. Ai me këtë qëndrim dallon nga ithtarët e materializmit të cilët ndodhitë përreth tyre i analizojnë me parimet dhe metodologjinë e ideologjisë materialiste që e përcakton botëkuptimin e tyre.
Për dallim nga ata besimtari me zemrën e tij vazhdimisht është i lidhur me Allahun, falënderon për mirësitë që ia dhuron Allahu dhe është i vetëdijshëm se fatkeqësitë që e godasin janë fryt i asaj që kanë punuar duart e tij, edhe pse Allahu shumë prej dënimeve të merituara i fal…
Ai e di se tërë universi me njerëzit dhe xhinët, me qiejt dhe tokat, me yjet dhe planetët, me krijesat e njohura dhe të panjohura janë nën sundimin e Allahut i cili me krijesat e tij vepron sipas vullnetit të Tij universal. Askush e asgjë nuk mundet t’i kundërvihet caktimit të Allahut.
Besimtari me besimin e tij e din se çdo gjë e cila ndodhë, e këndshmja dhe pakëndshmja, tërmetet, vullkanet, furtunat, vërshimet, eklipset ndodhin me caktimin e Allahut dhe me urtësinë e Tij të cilën dëshiron që t’ua përçon njerëzve.
Besimtari e din se ajo që i ka ndodhur nuk ka mundur që të mos ndodhë, kurse ajo që nuk ka ndodhur nuk ka mund të ndodhe dhe e din se obligimi i tij gjatë fatkeqësive është durimi, shpresa për shpërblim tek Allahu, pendimi dhe kthimi tek Allahu…
Besimtari çdoherë ndikohet nga argumentet kozmologjike që i sheh me sytë e tij, këto argumente ia përkujtojnë Allahun, ngjallin zemrën, ripërtërijnë imanin, e lidhin njeriun me Allahun. Behet njeri i cili e përkujton dhe falënderon Atë.
Tërmeti është një prej argumenteve të fuqisë hyjnore.
Allahu, subhanehu ue teala, thotë:
“Fenomenet natyrore që shkatërrojnë, Ne nuk i dërgojmë për tjetër vetëm për frikësim.” (El- Isra: 59).
“Thuaj: Ai ka fuqi (t'ju shpëtojë, por edhe) t'ju sjellë dënim prej së larti ose prej së poshti nën këmbët tuaja apo t'ju ndajë në grupe e ta luftoni njëri-tjetrin. Shih se si i sqarojmë faktet në mënyrë që të kuptojnë.” (El En’am: 65).
Muxhahidi thotë: “Dënimi që vjen prej së larti është britma e tmerrshme (sajha) ose gurëzimi kurse dënimi që vjen prej poshtë është tërmeti dhe hasf (kur toka hapët dhe gëlltit atë që është mbi të)”
Nga kjo kuptuam se tërmetet shkatërrues ndodhin me caktimin e Allahut dhe ato në disa raste janë dënim siç ka ndodhur me popullin e Themudit:
“Ata e therën deven dhe me kryelartësi shkelën dispozitën e Zotit të tyre dhe thanë: "O Salih, sillna atë me çka na u kërcënove, nëse je prej të dërguarve". Atëherë ata përjetuan tërmetin dhe u gdhinë në shtëpitë e tyre kufoma të ngrira.” (El A’raf, 77-78)
Sheukaniu, rahimehull-llah, fjalën dridhje të tokës e ka komentuar me fjalën tërmet.
Edhe sharrimi i tokës është një prej katastrofave me anë të cilës Allahu i frikëson njerëzit. Si pasojë e saj ndodhë që një pjesë e tërë e tokës të zhduket në brendësinë e saj…
“A mos janë të sigurt ata që përgatitën kurthe, se Allahu nuk do t'i trandë ata me tokën, ose nuk do t'u vijë atyre dënimi kah nuk e mendojnë?” (En Nahl, 45)
“Edhe Karunin, Faraonin dhe Hamanin. Atyre Musai u solli fakte por ata treguan mendjemadhësi, ndaj nuk mundën t'i shpëtojnë dënimit. Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i sharruam në tokë dhe disa i përmbytëm në ujë. Allahu nuk u bëri atyre ndonjë të padrejtë, por ata vetes së tyre i bënë padrejtë.” (El-Ankebut: 39- 40).
“A u garantuat ju prej Atij që është në qiell, që të mos ju shafit (të mos u lëshojë) toka kur të dridhet.” (El Mulk, 16)
O ju muslimanë, këto tërmete dhe katastrofa janë argument i fuqisë së Fuqiplotit dhe argument i dobësisë së sunduesve kryelartë të tokës.
Si të mos janë këto argumente kur në to shohim se si Allahu për disa sekonda shkatërron qindra mijëra shtëpi dhe vdesin qindra mijëra njerëz.
A thua vallë çfarë do të jetë tërmeti në ditën kur do të thinjen fëmijët (Dita e gjykimit).
Tërmeti i asaj dite do t’i shndërron kodrat dhe malet në lesh të shprishur, toka do rrafshohet pa banesa dhe banorë…
Në atë tërmet toka dhe malet e saj do të përplasen njëra me tjetrën.
Duhet ta dimë se ata që shpëtojnë nga tërmetet e kësaj bote nuk do shpëtojnë nga tërmeti i kijametit.
“O ju njerëz, ruajuni dënimit nga Zoti juaj, sepse dridhja pranë katastrofës së kijametit është një llahtari e madhe. Atë ditë, kur ta përjetoni atë, secila gjidhënëse braktis atë që ka për gjiri dhe secila shtatzënë e hedh para kohe barrën e vet, ndërsa njerëzit duken të dehur, po ata nuk janë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.”
Allahun e lusim që të na japë durim në momentin e katastrofës, të na e mundëson të marrim mësim e Ai me të vërtetë ka mundësi ta bëj atë…
E thash atë që e dëgjuat dhe kërkoj falje prej Allahut për mua dhe gjithë muslimanët Ai me të vërtetë falë gabimet dhe mëshiron pa masë.
Hutbeja e dytë
O ju muslimanë!
Kini frikë Allahun dhe analizoni gjendjen tuaj duke e krahasuar me atë që ndodh rreth juve. Ju jetoni në begatitë e Allahut, të shëndoshë dhe të sigurt në vendin e juaj. A thua vallë e keni falënderuar Allahun për këto begati, kurse Allahu falënderuesve u ka premtuar akoma më shumë:
“Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: "Nëse falënderoni, do t'ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s'ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!” (Ibrahim, 7)
Allahu me anë të këtyre ndodhive do që ju të merrni mësim, të pendoheni.
I lumtur është ai që pendohet dhe ka dështuar ai që nuk merr mësim dhe vazhdon në mëkate.
Në Librin e Allahu dhe Sunnetin e të Dërguarit mësojmë se këto katastrofa që i godasin robërit janë për shkak të mëkateve që i bëjnë si dhe janë caktim i Allahut.
“Kur duam të shkatërrojmë ndonjë vend (popull), i urdhërojmë pasanikët (parinë) e atyhit (të jenë në rrugë), e ata kundërshtojnë; atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë krejtësisht.” (El Isra, 17)
Imran ibën Husajni, radijallahu anhu, rrëfen: I dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: Në këtë ummet do të ketë sharrim (hasf), shndërrim në formë (mes’h) dhe dënim me gurë prej qiellit (kadhf). Njëri prej muslimanëve tha: Kur do të ndodhë kjo? I Dërguari u përgjigj: Kur të paraqiten vallëzimet (e pamoralshme), përhapen instrumentet muzikore dhe konsumimi i alkoolit”
Kur Ajshja, radijallahu anha, e ka pyetur: A do të shkatërrohemi kur në mesin tonë akoma do të ketë njerëz të mirë? Tha: Po, kur të shtohet e fëlliqura. (Tirmidhiu).
Një vend prej vendeve që ekzistonte dikur në këtë Tokë të gjerë, banorët e saj i bën padrejtësi vetës dhe Allahu i dënoi:
“E sa vendbanime që përbuzën jetën e vet Ne i kemi shkatërruar, e ja, ato janë shtëpitë e tyre, që pas tyre ato pak kohë janë banuar prej dikujt dhe Ne ishim trashëgues të tyre.” (Kasas, 58)
Popullin e Nuhit e shkatërroi tufani, Adin furtuna, Themudin britma e fortë, popullin e Lutit e dënoi me gurë dhe i prapësoi shtëpitë e tyre:
“Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i sharruam në tokë dhe disa i përmbytëm në ujë. Allahu nuk u bëri atyre ndonjë të padrejtë, por ata vetes së tyre i bënë padrejtë.” (Ankebut, 40)
Ky është përfundimi i mëkatit e dënimi i Allahut nuk është larg zullumqarëve.
Në çdo vend ku janë përhapur mëkatet është shijuar dënimi i Allahut dhe është parë poshtërimi dhe shkatërrimi i tyre.
Mosgoditja e disave nuk do të thotë se Allahu harron e as që ata janë më të mirë se tjerët. Ndoshta Allahu e ka vonuar dënimin e tyre që ata të marrin mësim ose i ka dënuar me luftëra, shkatërrim të ekonomisë dhe dënimet e tjera.
Allahun e lusim me emrat e tij të bukur dhe cilësitë e Tij të lartë të na përforcon me fjalë të fortë (shehadetin) në këtë jetë dhe në jetën pas saj, t’i mbron muslimanët nga tërmetet dhe sprovat, nga sprovat e dukshme dhe ato të fshehurat.
Ato që i dëgjojmë dhe shohim bëri mësim për neve dhe tjerët, bëre shkak që ata t’i kthehen Allahut, Librit të Tij dhe Sunnetit të të Dërguarit. Ai me të vërtetë dëgjon çdo lutje dhe u përgjigjet atyre…
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut…