Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit
Ajetet 8 – 10
8. Ka prej njerëzve që thonë: "Ne e besojmë Allahun, e besojmë edhe ditën e gjykimit”, por (në të vërtetë) ata nuk janë besimtarë.
9. Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe ata që besuan, por nuk mashtrojnë veçse vetveten dhe nuk e ndiejnë.
10. Në zemrat e tyre ka sëmundje dhe Allahu ua shton sëmundjen e tyre. Ata do të kenë një ndëshkim të dhembshëm për shkak të përgënjeshtrimit të tyre.
Shpjegimi i ajeteve
Mësoje se Nifaku është: të shfaqurit e mirësisë dhe të fshehurit në vetvete e të keqes.1)shih përkufizimin në fjalorin shqip.
Në këtë përkufizim bëjnë pjesë dy lloje: nifaku (hipokrizia). Hipokrizi e shfaqur në besim dhe hipokrizia që interpretohet në punë.
E para quhet nifak itikadij (hipokrizi në besim) dhe e dyta nifak amelij (hipokrizi në punë).
Si shembull të hipokrizisë që shfaqet në punë mund të përmendim ato që i ka cekur Profeti alejhi selam në fjalën e tij kur thotë: “Shenjat treguese të hipokritit (në punë pra), janë: kur tregon diçka dhe flet, gënjen, kur premton e thyen premtimin dhe kur atij i besohet diçka të tradhton (të zhgënjen)”...
Në një transmetim tjetër përmendet edhe një shenjë tjetër: “Kur polemizon i kalon kufijtë (ose shpërthen dhe nuk përmbahet).”
Ndërsa hipokrizia që shfaqet dhe lë gjurmë në besim është ajo që e nxjerr njeriun nga të qenurit musliman dhe është treguese e kufrit të tij.
Pra, ai që e ka këtë lloj hipokrizie është kafir / femohues, jashtë Islamit.
Është pikërisht ky lloj nifaku i cili është pasur për qëllim në këto ajete e të tjera si këto. Ky lloj nifaku nuk ka ekzistuar dhe nuk është shfaqur para emigrimit për në Medine, madje edhe pas emigrimit në Medine nuk u shfaq ky lloj nifaku, derisa ndodhi ngjarja e madhe e luftës së Bedrit ku Allahu i lartësuar, me fitoren që u dhuroi besimtarëve, shpalosi qartë dhe madhërishëm krenarinë e tyre dhe i forcoi dhe e lartësoi famën e tyre.
Ndërkohë, çdo kush prej munafikëve që jetonte në Medine, ndjeu dukshëm poshtërimin, përuljen dhe nënshtrimin. Shumë prej të poshtëruarve dhe të përbuzurve, për të ruajtur jetën, prestigjin dhe pasuritë e tyre, shfaqën Islamin dhe u shtirën se ata ishin në krahun e besimtarëve, ndërkohë që në zemrat e tyre vlonte mosbesimi dhe urrejtja.
Por, Allahu i madhëruar, për të shprehur butësinë dhe mëshirën e tij ndaj besimtarëve, ua shpalos atyre të qartë gjendjen shpirtërore të hipokritëve, dhe i pasqyron ata duke i cilësuar me cilësi dalluese, në mënyre që askush nga besimtarët të mos mashtrohet prej tyre. Ai i shfaqi cilësitë e tyre edhe për një shkak tjetër: që ata, të frenohen dhe të largohen nga shumë punë të shfrenuara dhe të poshtra që i bënin haptas dhe poshtërsisht. Thotë Allahu i madhëruar në suren Teube 64:
“Druhen hipokritet se mos zbret ndonjë sure që t’ua nxjerrë në shesh atë që kanë në zemrat e tyre...”
Allahu i madhëruar i përshkroi ata duke nxjerrë në pah esencën, themelin e hipokrizisë së tyre kur thotë :
ue minen-nasi mej-jekulu - وَمِنَ النَّاسِ مَن يَقُولُ
Ka prej njerëzve që thonë :
amen-na bil-lahi ue bil jeumil ahiri - آمَنَّا بِاللّهِ وَبِالْيَوْمِ الآخِرِ
Ne e besojmë Allahun , e besojmë edhe ditën e gjykimit.
ue ma hum bi mu’minin - وَمَا هُم بِمُؤْمِنِينَ
por (në të vërtetë) ata nuk janë besimtarë.
Sepse ata shprehin me fjalë diçka që nuk ekziston në zemrat e tyre (besimin). Por, Allahu i madhëruar i demaskon me përgënjeshtrimin e këtij pretendimi kur thotë: Ue ma hum bi mu’minin - Dhe ata nuk janë besimtarë, sepse besimi i vërtetë që të bën të meritosh këtë emër (besimtar) është ai besim, në të cilin zemra dhe gjuha janë në përputhje të plotë. Ky pretendim bosh nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje e kotë për të mashtruar Allahun e madhëruar dhe besimtarët që e adhurojnë Atë.
juhadiunell-llahe uel-ledhine amenu - يُخَادِعُونَ اللّهَ وَالَّذِينَ آمَنُوا
Ata (përpiqen të) mashtrojnë Allahun dhe ata që besuan.
Muhadea / (mashtrimi) ështëvepra e hipokritit. Pra, është të shfaqurit e diçkaje dhe fshehja e diçkaje tjetër, për të mashtruar tjetrin dhe për të arritur qëllimet e tij kundrejt të mashtruarit. Kjo, pra, është sjellja e munafikëve kundrejt Allahut të lartësuar dhe adhuruesve të tij besimtarë. Por, për çudi, ky mashtrim dhe kjo hipokrizi u kthye kundër tyre.
ue ma jehdeune il-la enfusehum - وَمَا يَخْدَعُونَ إِلاَّ أَنفُسَهُم
Por nuk mashtrojnë veçse vetveten
ue ma jeshurun - وَمَا يَشْعُرُونَ
dhe nuk e ndiejnë.
Vërtet, kjo është e çuditshme, se këta të këtillë, zakonisht, ose do të kenë sukses me hipokrizinë dhe mashtrimet e tyre, duke arritur atë që donin, ose do të dalin jeka-jek, as për ta, as kundër tyre. Por në të vërtetë kjo nuk ndodh me ata që përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët. Dëmet e mashtrimit dhe të hipokrizisë, rëndojnë dhe godasin pikërisht vepruesit e tyre. Ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse thurin kurthe dhe mashtrime për të dëmtuar vetveten. Allahu i madhëruar kurrë nuk mund të dëmtohet nga kurthet dhe mashtrimet e tyre. Edhe ndaj adhuruesve të tij besimtarë, kurthet e tyre mashtruese nuk kanë asnjë lloj ndikimi a dëmi. Fakti që hipokritet shfaqin besimin (për të mashtruar), kjo nuk i dëmton dhe nuk i mashtron aspak besimtarët. Edhe pse me këtë hile ata mund të ruajnë të pa prekur pasuritë e tyre dhe të shpëtojnë kokën, ata kurrsesi nuk mund t'i shpëtojnë jetës së poshtëruar që përjetojnë në shpirtrat e tyre. Nuk mund t'i shpëtojnë dëshpërimit dhe përuljes që shijojnë si shkak i krenarisë, i forcës dhe i suksesit që përjetojnë besimtarët në mënyrë të vazhdueshme.
Pastaj, në jetën tjetër, të pasosur, për ta është rezervuar një ndëshkim i ashpër, i dhembshëm dhe befasues, për shkak të përgënjeshtrimit, mohimit dhe poshtërsisë së tyre. Por për shkak të injorancës dhe mendjelehtësisë së tyre, ata nuk e ndiejnë këtë kërcënim.
Fi kulubihim meradun - فِي قُلُوبِهِم مَّرَضٌ
Fe zadehumull-llahu merada - فَزَادَهُمُ اللّهُ مَرَضاً
Ne zemrat e tyre ka sëmundje
dhe Allahu ua shton sëmundjen e tyre
Sëmundja që është synuar në këtë ajet, është pikërisht sëmundja e mëdyshjeve, e dyshimit dhe hipokrizisë. Dije se zemra është e predispozuar dhe e ekspozuar të goditet nga dy lloj sëmundjesh, të cilat e nxjerrin atë nga natyra e vet dhe pastërtia e natyrshmërisë:
1. Sëmundja e dyshimeve të kota që të çojnë teposhtë në humbje, dhe
2. sëmundja e epsheve, dëshirave dhe pasioneve të poshtra, të shfrenuara.
E pra, mohimi i Zotit, mosbesimi, hipokrizia, dyshimet dhe shpikjet në fe, të gjitha janë simptoma të sëmundjes së dyshimeve të kota. Ndërsa imoraliteti, dëshirat dhe tendencat drejt shfrenimit, animi dhe preferenca e gjynaheve dhe veprimi i tyre, janë simptoma të sëmundjes së epsheve dhe pasioneve të shfrenuara. Sikurse thotë Allahu i lartësuar, kur këshillon gratë e Profetit alejhi selam që të jenë të ruajtura dhe të kujdesshme në shfaqjen apo fjalët e tyre që: “Të mos joshet ai që në zemrën e tij ka sëmundje.” Ahzab, 32. Edhe këtu, është fjala për sëmundjen e epsheve të shfrenuara dhe imoralitetit.
Ai, të cilin Allahu i madhëruar e ruajti nga këto dy sëmundje, përfitoi dy gjëra:
1. Siguri të plotë dhe besim të pa tundur;
2. Durim kundrejt çdo poshtërsie dhe gjynahu.
Këto dy cilësi e ruajnë zemrën të shëndetshme dhe të pa prekur.
Fjala e Allahu të madhëruar rreth munafikinëve:
Fi kulubihim- meradun - Në zemrat e tyre ka sëmundje
fe zadehumull-llahu merada - dhe Allahu ua shton sëmundjen e tyre, na jep të kuptojmë një urtësi të madhe të Allahut të madhëruar në aspektin e përcaktimit të gjynaheve që do të bëjnë gjynahqarët. Ajo që domosdoshmërish duhet të kuptohet është fakti që këto gjynahe që ata bëjnë janë të përcaktuara nga Zoti i madhëruar si pasojë e gjynaheve paraardhëse që ata bënë. Pra këdo që merr guximin të kalojë kufijtë, Allahu i lartësuar e sprovon me gjynahe të tjera të mëvonshme të cilat meritojnë ndëshkimin e Tij, sikurse thotë i lartësuari në Enam 110, 111: “Ne ua rrotullojmë, (largojmë) zemrat dhe vështrimet e tyre (prej besimit) ashtu sikurse ata nuk e besuan atë (Kuranin) për herë të parë (kur iu paraqit) dhe i lemë ata të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre për të kaluar kufijtë. Edhe sikur t'u dërgonim atyre engjëjt, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte; por shumica e tyre janë të paditur. "
Dhe thotë ne suren Saf, 5: "... dhe kur ata u shmangën (nga e vërteta), Allahu ua largoi Zemrat e tyre (nga besimi). Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull që kalon kufijtë (të pa bindur, të pa nënshtruar)."
Dhe thotë në Teube, 75 -78: ”Ka nga ata (hipokritë) që kanë bërë besëlidhjen me Allahun, duke thënë: ‘Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, sigurisht që do të japim lëmoshë dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë!’ Por kur Ai u dha atyre nga dhuntitë e veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën, duke u larguar. Prandaj, Ai ua lidhi hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin e dhënë Allahut. Ata e kishin zakon gënjeshtrën. Vallë, a nuk e dinë ata se Allahu i di të fshehtat e tyre edhe bisedat e fshehta?! Në të vërtetë, Allahu është Ai që i di të gjitha fshehtësitë.”
Në Teube, 124-126: "Kur shpallet ndonjë sure, disa prej atyre (që kanë dyshim dhe hipokrizi) thonë: ‘Kujt prej jush ia shtoi besimin kjo sure?’ Për sa u përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin dhe ata gëzohen. E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e veta, ajo ua shton edhe më shumë dyshimin që kanë dhe ata vdesin si mohues. Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë një ose dy herë e megjithatë as nuk pendohen, as nuk përkujtojnë?!”
Kështu pra, ndëshkimi i poshtërsisë është, ndër të tjera, poshtërsia tjetër që vjen pas saj. Ashtu sikundër edhe prej shpërblimit të së mirës, ndër të tjera, është e mira tjetër që vjen pas saj. Thotë i madhëruari: "Dhe atyre që u udhëzuan, Allahu ua shton udhëzimin". Ndërsa ndëshkimi që i pret në jetën tjetër.....
Ue lehum adhabun elimun - وَلَهُم عَذَابٌ أَلِيمٌ
bima kanu jekdhibun - بِمَا كَانُوا يَكْذِبُونَ
Ata do të kenë një ndëshkim të dhembshëm
për shkak të përgënjeshtrimit të tyre.