Shpallja është lëndë e Risaletit - pejgamberllëkut. Ibni Kajjumi, duke i numëruar shkallët e Shpalljes, thotë:
Shkalla e parë: Er-ru’ja es-sadika ose të ëndërruarit e vërtetë me të cilën i fillon Shpallja Resulull-llahut a.s.
Shkalla e dytë: Shpallja të cilën Resulull-llahu a.s. e ka pranuar nga Xhibrili përmendsh, duke mos e parë atë, siç tregon vetë Resulull-llahu a.s. "fryma e engjëllit i ka dërguar mendjes sime se asnjë person nuk do të vdes përderisa nuk e harxhon nafakën e vet. Andaj, kini frikë All-llahun dhe luteni Atë në mënyrën më të bukur, dhe mos e kërkoni atë prej All-llahut me anë të ndalesave dhe mosbindjes, sepse ajo çka posedon All-llahu xh.sh. mund të fitohet vetëm me bindje."
Shkalla e tretë: Resulull-llahut a.s. i vinte engjëlli Xhibril në figurën e njeriut bisedonte me të derisa Resulull-llahu a.s. nuk e zënte përmendsh të tërë bisedën. Shpeshherë edhe as’habët e kanë parë në këtë shkallë të Shpalljes.
Shkalla e katërt: Engjëlli ndonjëherë i vinte në trajtë të kumbimit të kambanave. Kjo metodë e Shpalljes ka qenë më e vështira për Resulull-llahun a.s. sepse engjëlli e rëndonte Resulull-llahun a.s. me tërë peshën e vet, kështu që djersa ia bënte qull ballin, edhe kur dita ishte e ftohtë, e nëse ishte i hipur në deve, ajo nga pesha e madhe përulej gjer në tokë. Një herë i erdhi shpallja gjersa ishte i mbështetur në këmbën e Zejdit. Zejdi e kishte aq rëndë sa që mezi duronte.
Shkalla e pestë: Resulull-llahu a.s. e shihte Xhibrilin në formën e vërtetë, ashtu siç e ka krijuar All-llahu xh.sh. atëherë i shpjegonte Resulull-llahut a.s. çka i ka urdhëruar All-llahu. Në këtë mënyrë Resulull-llahu a.s. e ka pranuar Shpalljen vetëm dy herë. Këtë e ka përmendur Kur’ani-kerim në suren En-Nexhm.
Shkalla e gjashtë: Mënyra e drejtpërdrejtë e dërgimit të Shpalljes nga All-llahu xh.sh. gjersa ka qenë në qiej në natën e ngritjes - Lejletul-Mi’raxh, e në lidhje me namazin dhe disa gjëra të tjera.
Shkalla e shtatë: All-llahu xh.sh. drejtpërdrejtë i fliste Resulull-llahut a.s. pa ndërmjetësimin e engjëllit, siç i ka folur edhe Musait a.s., birit të Imranit. Kjo shkallë e Shpalljes ka qenë mu’xhize e Musait a.s., të cilën e ka vërtetuar Kur’ani, kurse paraqitja e saj tek Resulull-llahu a.s. ka qenë në hadithin për Isra’në, ose në lidhje me ndodhinë udhëtimin e njënetshëm të Resulull-llahut a.s. në burak, nga Meka në Kuddus në Sham.
Disa mendojnë se ekziston edhe mënyra e tetë e Shpalljes. Ky ka qenë bisedimi i drejtpërdrejtë i All-llahu xh.sh. me Resulull-llahun a.s., ballë për ballë, pa perde. Kjo mënyrë e Shpalljes është lëndë mospajtimi ndërmjet tradicionalistëve dhe trashëgimtarëve të tyre, e cila ka përfunduar me dhënien e një rezymeje në shpjegimin e shkallës së parë dhe të tetë. E vërteta është se mënyra e tetë e shpalljes është e pabazë.
shkeputur nga libri me titull:
"Nektari i vulosur i xhen-netit"
Safijurrahman elMubarekfuri