Nëse e vështrojmë jetën vetëm si segmentim të vdekjes atëherë detyrimisht do të obligohemi që të mos besojmë në ekzistencën e qenieve njerëzore në rruzullin tokësor. Krijuesi i botëve i mundësoi njeriut që të jetë pjesë e këtij segmentimi kaq të arsyeshëm i cili hynë në konturat e idesë dhe mendimit pragmatik në shoqëri. Njeriu lindi me besim të pastërt, e baballarët e bënë të krishter, jehud, ose ateist!
Qenësia e besimit ose imanit është unike, e pandashme dhe si e tillë ajo determinon qiejt dhe tokën karshi krijesave tjera që luajnë rrolin e spektatorit në skenë. Sipas Shejh Ramadan El Buti-t, të gjithë Pejgamberët e Allahut duke filluar prej te i pari e deri tek i fundit, kishin një iman! Ata thirrnin në të njejtin iman të pandryshuar ndër shekuj, dhe shpresonin e punonin në atë drejtim që të arrijnë kënaqësinë e Zotit të botëve. Ky besim në Allahun që është i pandryshueshëm sfidon pabesinë e njerëzve dhe krijesave tjera në rruzullin tokësor. Imam Ebu Hanifeja theksoi se besimi i njerëzve është i njejtë me besimin e engjujve. Ai shumë bukur sqaroi këtë element të vështirë të penetrimit logjik të njerëzve të thjeshtë. Po subjekt i temës sonë nuk është besimi në Allahun. As që synojmë ndonjëherë të futemi thellë në këtë temë të vështirë. Subjekt i temës është haxhi- kushti i pestë i Islamit. Po, nuk ka dyshim se sikur të mos kishim besim në Zotin nuk do të kishim mundësi që të realizojmë edhe këtë kusht të Islamit, i cili kusht është i obligueshëm në ato momente kur kemi mundësi financiare për ta realizuar një obligim të këtillë. Në këtë temë është folur dhe shkruar shumë!
Nuk ka dyshim se do të flitet dhe do të shkruhet ende më shumë dhe nuk do të jetë e mjaftueshme bile. Populli shqiptar në veçanti dhe krejt ummeti islam në përgjithësi e realizojnë këtë kusht të Islamit sikur që e realizojnë edhe agjërimin e Ramazanit. Besimtarët janë vëllezër, ata nuk dëmtojnë njëri-tjetrin dhe mbrojnë interesat e dinjitetin e njëri-tjetrit. Edhe pse janë vëllezër, ata kanë të drejta dhe obligime ndaj njëri-tjetrit të cilat burojnë prej Ligjëvënësit. Nëse ne kemi borxhe ndaj besimtarëve dhe shkojmë në haxh, të kryejmë këtë urdhër të Allahut, atëherë haxhi ynë nuk do të jetë i vlefshëm. Nëse ne hyjmë në borxh për të kryer këtë urdhër të Allahut, prap haxhi ynë do të na përplaset për fytyre Ditën e llogarisë. Obligimi ynë ndaj vëllaut tonë është që t`ia paguajmë borxhin çka e kemi dhe pastaj të veprojmë urdhërat e Allahut Fuqiplotë.
Ka thënë Allahu i Lartësuar në Kur`an:" Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta."(22:27)
Por, kjo thirrje nuk i drejtohet atyre të cilët lënë familjet e tyre në vështirësi të mëdha financiare dhe marrin rrugën për të shkuar në haxh. Kjo thirrje nuk iu drejtohet as atyre të cilët kanë kryer veçse këtë kusht të Islamit, në lagjen e tyre ka studenta të sinqert musliman që janë të varfur dhe kanë nevojë për pasurinë e tij, ndërsa ai shkon për të shtatën herë në haxh. Haxhi o vëllezër dhe motra nuk është udhëtim turistik, e as rrugë tregtare. Po, është e vërtet që Allahu xh.sh. dhe Resulullahi s.a.v.s. ka lejuar tregtinë gjatë periudhës së haxhit. Por, nuk është e vërtetë që synimet e haxhit fshehen në tregtinë që bëjnë tregtarët. Ekziston një parim islam i cili thekson se duhet lehtësuar e jo vështirësuar. Prandaj është e ndaluar që të vështirësohet realizimi i farzeve të Allahut xh.sh. Veprimi i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë në lidhje me këtë kusht të Islamit është shumë i padrejtë dhe në dëm të komunitetit musliman në Republikën e Maqedonisë. Kjo Bashkësi në vend që të lehtësojë realizimin e këtij kushti të Islamit, ata po vështirësojnë duke rritur çmimet e aranzhmaneve për haxh dhe duke shpallur dekrete të pabaza për gjetjen e alternativave të ndryshme nga ana e besimtarëve musliman për të kryer këtë urdhër të Allahut me kosto normale. Veprimet e këtilla të këtij komuniteti duhet që të ndalohen se janë në dëm të besimtarëve dhe besimtareve musliman në Maqedoni.
Njashtu është me rëndësi të kuptojmë se haxhi nuk është obligim vetëm për pleqt, por është obligim për të gjithë ata musliman dhe muslimane që kanë mundësi financiare për ta kryer këtë kusht të Islamit. Nëse në atë moment të vijnë mundësitë financiare dhe t`i e shtyen realizimin e këtij kushti Islam, atëherë vaj halli Ditën e Llogarisë për ty. Duhesh që t`i kërkosh falje Allahut xh.sh. e nuk ka dyshim se Allahu është pranues i faljes.
Pasuria me të cilën shpenzohet shkuerja jonë për në haxh duhet të jetë e pastërt. Është praktik e disa muslimanëve shqiptar të cilët shkojnë në haxh me pasuri jo të pastërt dhe si rezultat i kësaj në opinion lindin epitete të fëlliqura si haxhi "droga" ose haxhi "llopovi". Deri tek këto epitete këta njerëz kanë ardhur pasiqë nuk kanë pasur kujdes se me çfarë pasurie duhet të shkohet në haxh. Edhe pse hoxhallarët kanë folur mjaft në këtë temë, por nuk kanë arritur në asnjë rezultat. A thua pse?! Sepse Pejgamberi s.a.v.s. nuk ia ka falur xhenazen atyre njerëzve që kanë bërë mëkate të mëdha në këtë botë, ndërsa hoxhallarët tanë edhe mevlude po bëjnë tek kuvendet që i shtrojnë ato mëkatar. Kemi raste të këtilla plot në popullin tonë! Duhet të kemi parasysh se në haxh nuk shkojmë për të blerë dhe shitur sende me vlerë, ky nuk duhet të jetë qëllimi ynë! Ai tubimi vjetor i muslimanëve aty nuk është tubim tregtie, por tubim dashurie, rrespekti e organizimi të muslimanëve në nivel botëror. Nëse do të ishin të vetëdijshëm të gjithë muslimanët që shkojnë në haxh se çfarë vlere ka haxhi në Islam dhe jetën e tyre, mesiguri se konfiguracioni i globit do të ishte ndryshe seç është tash. Fatkeqësisht parimet e Islamit po i pranojnë të tjerët dhe po punojnë sipas tyre popujt tjerë, ndërsa popujt musliman kanë ngelur duke u marrë me përçarjet ndërmjet veti, vështirësimin e realizimit të farzeve të Allahut, marrjen me thashetheme e jo me hulumtime dhe shkencë, humbjen kohë në bartjen e fjalëve, e shumëçka tjetër që nuk është në pajtim me ligjet e Allahut.
Na ka treguar Abdulaziz b.Abdullah dhe tha se i ka transmetuar Ibrahim b. Sa`di nga Zuhriu, e ky nga Seib b.Musejjeb, ndërsa ky nga Ebu Hurerje, i cili ka thënë:
E kanë pyetur Pejgamberin s.a.v.s.:
"Cilat punë janë më të rëndësishme?"
"Besimi në Allahun dhe pejgamberin e Tij"- u përgjigj.
"E pas kësaj?" e pyetën përsëri?
"Lufta për hir të rrugës së Allahut"- tha ky.
"E pas kësaj?" e pyetën përsëri.
"Haxhi që kryeht sipas normave( pa gabime) dhe pranohet te Allahu".(Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe,4, Prishtinë, 1994, fq.147)
Nuk ka dyshim se haxhi i kryer sipas normave duke pasur frikë Allahun dhe duke kërkuar shpërblimin e Allahut, është i pranuar dhe është një prej punëve më të rëndësishme që i ka cek edhe Resulullahi s.a.v.s. në hadithin e tij. O Allah i Madhërishëm na mundëso që të kryejmë këtë kusht të Islamit, na forco në Islam dhe na mundëso që të vdesim në këtë rrugë. O Zoti ynë, na prano haxhin tonë, umren tonë, zekatin tonë, namazin tonë, diturinë tonë. Ne jemi robërit e Tu, e Ti je Zoti ynë! Të lutem na fal neve, na mëshiro dhe na mundëso bashkimin në të mira e të mbara. Amin!