Falenderimet janë për Allahun, Zotin e botëve, ndërsa paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin tonë Muhamedin [alejhiselam], shokët e tij dhe mbi ata që e pasojnë atë me mirësi deri në Ditën e Fundit.
Fjala La Ilahe Il-la Allah nënkupton se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.
Fjala La Ilahe Il-la Allah ka vlera të larta dhe mirësi të shumta që i kanë përmendur dijetarët, ndërsa ne do t’i përmendim shkurtimisht disa prej tyre:
1. Kjo është fjala më e mirë që e kanë thënë të dërguarit .
Transmeton Tirmidhiu nga Amr Ibn El-Asi [Zoti qoftë i kënaqur me të] se i Dërguari [alejhiselam] ka thënë: “Lutja më e mirë është lutja në Arafat dhe fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe të dërguarit është fjala La Ilahe Il-la Allah...”.
Gjithashtu transmeton Xhabir Ibni Abdilah se e ka dëgjuar të Dërguarin [alejhiselam] duke thënë: “Dhikri më i mirë është La Ilahe Il-la Allah”. [Ibni Maxheh].
2. Për hirë të fjalës La Ilahe Il-la Allah, All-llahu i ka krijuar të gjitha krijesat.
Allahu thotë ne librin e Tij: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë”.
3. Për hirë të saj, Allahu i ka dërguar të Dërguarit dhe i ka zbritur librat.
Allahu thotë në librin e Tij : “Me urdhërin e Tij, ia zbret engjëjt me shpallje atij që Ai dëshiron nga robërit e vet (duke thënë) t’ua tërhiqni vërejtjen (t’i njoftoni) se nuk ka të adhuruar (Zot) tjetër vetëm Unë, pra të më keni frikë”. Gjithashtu All-llahu thotë: “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm All-llahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” Por, pati nga ata që All-llahu e udhëzoi dhe pati nga ata që ishte i gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve?
Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni!”. Ibni Kethiri ne komentin e këtij ajeti thotë: Çdo të dërguar e ka dërguar Allahu që të thërret në adhurimin e Allahut dhe mos t’i shoqëroj Atij askënd në adhurim.
4. Kjo fjalë është e para që obligohemi ta mësojmë.
Allah ne Kur’an thotë: “Dije se nuk ka zot tjetër pos All-llahut, kërko falje për mëkatin tënd, për të besimtarëve e të besimtareve, All-llahu e di për lëvizjet tuaja (për veprat) dhe për vendin tuaj”. Nga Ibni Abasi transmetohet se i Dërguari [alejhiselam] i ka thënë Muadhit kur e ka përcjell për në Jemen: “Ti do të shkosh te një popull që janë ithtar të librit (krishterë) kur të arrish te ata le të jetë gjëja e parë që i thërret në të, të dëshmojnë që nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut, dhe se Muhamedi [alejhiselam] është i dërguar i Allahut. [Buhariu].
5. Fjala La Ilahe Il-la Allah është fjalë e devotshmërisë.
Allahu thotë: “... po All-llahu dhuroi qetësimin e Vet ndaj të dërguarit të vet dhe ndaj besimtarëve dhe për ata zgjodhi fjalën e devotshmërisë (fjalën:La Ilahe Il-la Allah), pse ata ishin më me meritë për të dhe më të zotët e saj, e All-llahu është i gjithëdijshëm për çdo send”. Transmeton Ubej Ibni Ka’bi se i Dërguari [alejhiselam] ka thënë se fjala e devotshmërisë e përmendur në ajet ka për qellim fjalën La Ilahe Il-la Allah.
Ndërsa Ibni Abasi në komentin e këtij ajeti thotë: Fjala e devotshmërisë është dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se kjo fjalë është koka e devotshmërisë.
6. Fjala La Ilahe Il-la Allah është fjala e mirë që e ka përmendur Allahu ne Kur’an.
Allahu thotë: “A nuk ke kuptuar se si All-llahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, E që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frutin e vet në çdo kohë. All-llahu pra u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë”. Thotë Ibni Abasi në komentin e këtij ajeti fjala e mirë është dëshmia La Ilahe Il-la Allah, ndërsa pema e mirë është besimtari.
7. Fjala La Ilahe Il-la Allah u siguron besimtarëve zotërimin e tokës në këtë botë dhe shpëtimin nga zjarri i xhehenemit në botën tjetër.
Allahu ne Kur’an thotë: “Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit”.
8. Për hirë të kësaj fjale e ka obliguar Allahu xhihadin (luftën ndaj pabesimtarëve).
Thotë Allahu në Kur’an: “Luftoni ata (idhujtarët) derisa të zhduket propagandimi i idhujtarëve dhe derisa të aplikohet feja vetëm për All-llahun. E në qoftëse ndalen (nga propaganda dhe lufta), atëherë lëreni armiqësinë, përveç atyre që janë zullumqarë.”
Gjithashtu thotë: “Luftoni ata që nuk besojnë All-llahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar (haram) atë që e ndaloi All-llahu dhe i dërguari i Tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa ta japin xhizjen në dorë e duke qenë të mposhtur”. Dhe gjithashtu thotë: “Luftoni të gjithë idhujtarët pa dallim, siç ju luftojnë ata juve pa dallim, e dijeni se All-llahu është me ata që ruhen (të këqijave)”.
Shkroi: Shejh Salah Nexhib Ed-dak
Përktheu: Gazmend Bajraktari