Rreziku që na kanoset nga filmat vizatimorë! Bekir Halimi
Kohëve të fundit filmat vizatimorë janë përhapur shumë, brendia e tyre është e ndryshme, disa prej tyre kanë edhe defekte në fushën e besimit, e të tjerët kanë defekte në fushën e moralit, madje edhe kanë ndikim psikologjik negativ te fëmijët. Cilat mënyra duhen përdorur për të ruajtur fëmijët tanë nga këta filma vizatimorë, duke pasur parasysh varshmërinë e fëmijëve nga këto filma, dhe cilat janë alternativat e mundshme. Ju lutem më jepni përgjigje
Pyetje: Kohëve të fundit filmat vizatimorë janë përhapur shumë, brendia e tyre është e ndryshme, disa prej tyre kanë edhe defekte në fushën e besimit, e të tjerët kanë defekte në fushën e moralit, madje edhe kanë ndikim psikologjik negativ te fëmijët. Cilat mënyra duhen përdorur për të ruajtur fëmijët tanë nga këta filma vizatimorë, duke pasur parasysh varshmërinë e fëmijëve nga këto filma, dhe cilat janë alternativat e mundshme. Ju lutem më jepni përgjigje?
Përgjigje: Allahun e falënderojmë, paqja dhe bekimi qofshin mbi Muhamedin, sal-lallahu alejhi ue selem. Si përgjigje të kësaj pyetje mund të themi:
Një: S'ka dyshim se filmat vizatimorë ndikojnë shumë te fëmijët, ky ndikim vjen e shtohet me zhvillimin e teknologjisë dhe kinematografisë dhe në mungesë të elementeve të refuzimit tek fëmijët, siç janë pjekuria, logjika e zhvilluar dhe besimi i fuqishëm. Kinematografia ka arritur një nivel shumë të lartë dhe shkakton ngasje të madhe dhe të fuqishme jo vetëm te fëmijët, por edhe tek të mëdhenjtë. Nëse i pyesim ata që i kanë përcjellë këto filma vizatimorë në kohën e fëmijërisë do t’i tregojnë të gjitha ato me shumë hollësi.
Një studim i bërë nga një studiuese muslimane në vitin 2006 mbi ndikimin e filmave të vizatuar tek fëmijët mes të tjerave nxjerr në pah këto të vërteta:
Filmat vizatimorë të prodhuar nga jomyslimanët ndikojnë negativisht në besimin e fëmijëve muslimanë, për shkak se zotërojnë ide të devijuara, të cilat e luhatin besimin e fëmijëve, prandaj na duhet të bashkojmë forcat për përmirësimin e kanaleve televizive dhe satelitore për të ruajtur fëmijët tanë.
Sipas këtij studimi meshkujt e moshës tre vjeçare dhe vajzat e moshës pesë vjeçare kanë varshmëri të lartë nga televizori dhe kjo moshë është mosha më e rrezikuar nga mediet dhe ndikon negativisht në zhvillimin e fëmijës, ndërtimin e mendimeve dhe besimit të tij.
Ky studim konstaton se një përqindje e lartë e nënave nuk janë të vetëdijshme për rolin e filmave vizatimorë në mbjelljen e besimit të shëndoshë apo të gabuar, saqë 75 % e tyre nuk besojnë se filmat vizatimorë ndikojnë në formulimin e besimit tek fëmija. Kjo tregon nevojën e madhe që kemi për të rindërtuar atë që shikon fëmija jonë në ekranet televizive, meqë roli i filmave vizatimorë është shumë i madh në ndërtimin e imagjinatës së fëmijës, gjë e cila prodhon bindjet e tij, të cilat mund të jenë shumë të rrezikshme për psikologjinë e fëmijës.
Dy: Ata që kanë në dorë menaxhimin e medieve duhet të kenë frikë Allahun dhe të kontribuojnë me këtë mjet të komunikimit masiv për të mbjellë një besim të shëndoshë dhe vlera morale tek fëmijët tanë, e jo të bëhen kontribuues për shkatërrimin e shoqërive, përhapjen e imoralitetit, dhunës, abuzimit etj. Ata nuk mjaftohen me lloj-lloj serialesh dhe gjërash, që i prishin të rriturit, por kontribuojnë edhe për prishjen e fëmijëve.
Tre: Ata muslimanë që posedojnë media, ata që posedojnë studio, hoxhallarët, intelektualët, shkrimtarët, të gjithë këta duhet të kontribuojnë për të ofruar alternativa për fëmijët muslimanë, që të mos kenë nevojë për këta filma vizatimorë të rrezikshëm. Alternativa është e llojllojshme, prej tyre mund të jenë:
- Prodhimi i filmave vizatimorë me domethënie islame ose përkthimi dhe dublimi i filmave të ndryshëm vizatimorë, që kanë porosi dhe mesazhe të mira dhe në përputhje me mësimet islame.
Në lidhje me këtë, e kanë pyetur dijetarin Ibën Uthejmin: "Kohëve të fundit janë shfaqur disa filma vizatimorë, që i quajnë islamë, siç është "Çlirimi i Konstandinopojës", "Udhëtimi i paqes", "Djaloshi besimtar", i cili përmendet në suren Buruxh, apo në hadithin që e përcjell Imam Muslimi në Sahihun e tij. Këto filma vizatimorë i llogarisin si alternativë të filmave vizatimorë me ndikim negativ. Hoxhë i nderuar, cili është vendimi juaj për këto filma vizatimorë?
Ai u përgjigj: Unë mendoj se këto filma vizatimorë nuk kanë ndonjë të keqe, sepse realisht, sikurse edhe e parashtrove në pyetjen tënde, ato i mbrojnë fëmijët tanë nga gjërat e ndaluara, prandaj ajo që mund të themi më së paku, nëse marrim mendimin e ashpër është se kjo gjë është më e lehtë se filmat e tjerë vizatimorë, ato që sikurse kemi dëgjuar fusin dyshime mbi besimin, personifikojnë Zotin, Zoti na ruajt, e gjëra të tjera të ngjashme... sidoqoftë mendoj se nuk ka ndonjë të keqe në to...". (Shih: "Likaul Babil Meftuh", 127, pyetja nr. 10).
- Përzgjedhja e disa programeve kulturore dhe edukative, të cilat grumbullojnë gjërat e këndshme argëtuese dhe arsimimin. Këso programesh ka shumë. Programe që flasin për botën e oqeaneve, për botën e kafshëve etj.
- Angazhimi i fëmijëve me programe shëndetësore të dobishme, sikurse është sporti, noti dhe lojërat e tjera të lejuara. Angazhime që përfshijnë në vetvete, edhe dëfrimin, edhe përfitimin.
- Përcjellja e disa ueb faqeve të dobishme, ku ka seksione që kujdesen për fëmijët, ku paraqiten fleshe të dobishme, lojëra argëtuese, filma vizatimorë me bazë jetën e pejgamberëve, betejat islame etj.
Duhet pasur kujdes ne nuk duhet të sillemi me fëmijët tanë sikurse sillemi me të mëdhenjtë. Ne duhet t’u mundësojmë fëmijëve, që të ngopin kureshtjen e tyre, të lozin, të dëfrehen, mirëpo jo t’i lëmë ata tërësisht pa kontroll, e të bien në kundërshtime fetare. Ne duhet t’i kontrollojmë fëmijët, që mos të na shndërrohen në njerëz të prishur dhe prishës të të tjerëve, prandaj të gjithë ne duhet të mobilizohemi dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, që t’u ofrojmë fëmijëve materiale sa më të mira dhe tërheqëse.
Në lidhje me prodhimin e materialeve islame për fëmijë studimi në fjalë jep edhe disa sqarime në këtë drejtim, aty i gjejmë edhe këto sugjerime: prodhuesit e programeve për fëmijë duhet të ikin nga pamjet që shkaktojnë frikë dhe trishtim te fëmija, sepse është në një moshë ku psikologjikisht është i përgatitur të bjerë nën ndikimin e këtyre gjërave, meqë fëmija prej moshës dy vjeçare e deri në moshën pesë vjeçare frikësohet nga vetmia, nga zjarri, nga kafshët, nga gjërat imagjinuese, siç është lugati, djalli, dragoi etj. Pamja e këtyre sekuencave nga fëmijët shkakton humbje të baraspeshës psikologjike tek ata.
Këto programe sipas studimit duhet të kujdesen edhe për mbjelljen e vlerave dhe mos të japin doza të mëdha të qarjes, sepse në këtë formë ndihmojmë në ndërtimin e një personaliteti të dobët, i cili nuk mund të mbartë vështirësi. Këto vlera duhen mbjellë në korniza argëtuese dhe me ide optimiste e të lumtura.
Media për fëmijë është shkencë dhe art e nuk është hobi, prandaj duhet të kujdesemi për këtë tërësi shkencore, profesionale dhe artistike, dhe nuk duhet ta teprojmë me përdorimin e imagjinatës, sepse është një çështje shumë e rrezikshme për mendjen e fëmijës.
Katër: Veprimet që duhet të ndërmarrin prindërit për të ruajtur fëmijët nga këto sulme janë:
1- Mësoji fëmijës Kuranin dhe shfrytëzoje moshën fëmijërore për të nxënë përmendësh, sa më shumë nga Kurani.
2- Edukoje fëmijën që ta dojë Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, shokët e tij fisnikë, duke iu lexuar biografinë e tyre në forma të përshtatshme për moshën e vogël.
3- Mësoja disa gjëra nga besimi i pastër Islam në formë të thjeshtë dhe të lehtë, aq sa mund ta kuptojë mendja e fëmijës, sikurse është fakti se Allahu është Një, se Atë duhet ta duam, prej Tij duhet të shpresojmë, Atij duhet t’i frikësohemi, Ai është Krijuesi, Furnizuesi etj.
4- T’i edukojmë të mohojnë të keqen, ta urrejnë atë, sikurse është gënjeshtra, vjedhja, spiunimi etj., si dhe ta duan të mirën dhe ta përhapin atë.
Pra, këto do të kishin qenë disa veprime, që duhet t’i ketë parasysh çdo prind që dëshiron të mbrojë fëmijën e vet nga rënia nën ndikimin dhe varshmërinë e filmave vizatimorë apo programeve të tjera për fëmijë, të cilët kanë ndikim negativ në edukimin e tyre.
Para së gjithash na duhet të theksojmë brengën që duhet të ketë çdo prind për edukimin sa më të mirë të fëmijëve të vet, zjarrin që duhet të ketë në zemër dhe që nuk duhet ta lërë rehat aspak, derisa të arrijë suksesin në edukimin e fëmijëve të vet. Allahu e di më së miri.
Pyetje: Në kohët e fundit jemi dëshmitarë të përhapjes së një libri dhe filmi vizatimor me të njëjtin titull Hari Poter. I është bërë një reklamë e madhe këtij filmi dhe thuajse ka depërtuar në çdo shtëpi. Si t'ia bëjmë?
Përgjigje: Allahun e falënderojmë, paqja dhe bekimi qofshin mbi Muhamedin, sal-lallahu alejhi ue selem.
Një: filmat vizatimorë modern janë përvjedhur në mendjen e të vegjëlve dhe të mëdhenjve, fatkeqësisht. Ato kanë arritur të bëhen edhe filma të vërtetë për shkak të pranimit shumë të ngrohtë nga miliona njerëz. Shumë njerëz janë bërë të varur nga ndodhitë e këtyre filmave dhe personaliteteve që figurojnë në këto filma. Pjesa dërrmuese e këtyre filmave në brendësinë e tyre kanë besime të ndryshme, që i kundërvihen besimit Islam, i sjellin në dyshim premisat dhe besimet islame, përhapin sjellje të çoroditura, kanë brenda tyre tregime dashurie dhe epshi.
Prania e këtyre filmave vizatimorë në shtëpitë e muslimanëve dhe kalimi i një kohe të madhe i fëmijëve muslimanë duke i shikuar është një fatkeqësi e madhe.
Dy: Nga tregimet që kanë sjellë fitne të madhe në botë është edhe romani Hari Poter i autores Xhoan Kethlin Rouling, që në përmbajtjen e vet ka personazhin Hari Poter i lindur nga dy prindër magjistarë, të cilët i ka vrarë një magjistar i keq, mirëpo nuk ka arritur të vrasë edhe djalin e tyre Hari Poter, e kur ky djalosh mbush të njëmbëdhjetat e kupton se edhe vetë është magjistar. Pastaj vazhdon vargu i ndodhive që kanë të bëjnë me magjitë, besëtytnitë dhe imagjinatën. Janë shitur me miliona kopje dhe është përkthyer edhe në mbi gjashtëdhjetë gjuhë të botës. Defektet që shfaq ky roman dhe që janë në kundërshtim me rregullat e Fesë Islame janë këto:
- Tregimi ofron si shembull për një të ri Hari Poterin, d.m.th. një magjistar, kurse Feja Islame paraqet një shembull tjetër, i cili është në kundërshtim të plotë me këtë shembull.
- Ata në mungesë të personaliteteve të dobishme dhe për të mbushur boshllëkun e brendshëm që kanë shpikin heronj si Supermeni, Betmeni, Herkuli, për të zbavitur fëmijët dhe për t’u ofruar personalitete që ndryshojnë botën dhe shembin kodrat në mënyrë shumë të shpejtë dhe të lehtë. Kjo tregon paaftësinë e tyre për të ofruar shembuj të vërtetë dhe realë, të cilët duhet të tërheqin fëmijët e tyre.
- Ofrohet magjistari si shpëtimtar nga të gjitha vështirësitë e pakalueshme dhe problemet e pazgjidhshme, kurse magjistari për një çast me një fjalë magjike e zgjidh problemin, gjë e cila padyshim krijon te fëmija një defekt të madh në fushën e besimit, sepse vetëm Allahu është Ai që në Dorën e Tij është zgjidhja e të gjitha problemeve dhe kalimi i të gjitha vështirësive.
Allahu, subhanehu ue teala, thotë: "Nëse Allahu të godet me ndonjë të keqe, s'ka kush që ta largojë atë pos Tij, e nëse të dhuron ndonjë të mirë, duhet ditur se Ai është i gjithëfuqishëm për çdo send. Ai është mbizotërues ndaj robërve të Tij. Ai e di hollësisht punën e Tij dhe të robërve të Vet". (Enam: 17-18).
Të gjitha fetë dhe të gjithë pejgamberët kanë treguar pozicionin negativ, që kanë magjistarët në shoqëritë ku ata jetojnë, kjo dëshmohet edhe sot në shumë shoqëri, mirëpo këto tregime krijojnë një pasqyrë tjetër për magjistarët, saqë secili të dëshirojë të bëhet magjistar!!
- Perëndimi e zhvillon jetën e vet duke patë si epiqendër njeriun, përfitimin dhe dobitë e tij, kurse Feja Islame na mëson se epiqendra e mendimit të njerëzve duhet të jetë arritja e kënaqësisë së Allahut. Respektimi i Allahut është epiqendra e jetës së njeriut. Këtë na e mëson Allahu, Famëmadh, kur thotë: "Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve". (Enam: 162).
Tregimi i Hari Poterit na ofron një personazh, i cili i bën të gjitha ato mrekulli në bazë të magjisë dhe për t’u sjellë njerëzve përfitime, kurse asnjëherë nuk mund të jetë legjitime madje as legale largimi i të keqes me të keqe.
- Tregimi në thelb trishton dhe shkakton llahtari në mendjen e fëmijëve, meqë paraqet imagjinata djallëzore, qarkullimin e tyre në kanalizime, tualete, vende të ndyra, etj., gjithmonë sipas romanit, kurse natyra e pastër e njeriut e refuzon një jetë të këtillë dhe i largon fëmijët nga këto pamje trishtuese dhe tmerruese për ata. Kjo mund të kuptohet edhe si një parapërgatitje për të arritur me njerëzit deri tek adhurimi i djallit.
- Ky roman e paraqet magjistarin, si një njeri, i cili mund të ngjallë dhe vdesë dikë. Ky është një defekt i qartë në formulimin psikologjik dhe ideologjik të fëmijëve tanë, të cilët Kurani Fisnik i mëson se: "Zoti që më krijoi, Ai më udhëzon mua. Dhe Ai që më ushqen dhe më jep të pijë. Dhe kur të sëmurem Ai më shëron, Ai më bën të vdesë e mandej më ngjall, Ai tek i cili kam shpresë se do të m'i falë mëkatet e mia në Ditën e Gjykimit". (Shuara: 78- 82).
- Perëndimi nuk e edukon fëmijën që t’ia mbushë zemrën me dashuri ndaj Allahut dhe dëshirën për ta adhuruar Atë, por kujdeset për ta argëtuar dhe për ta befasuar me gjëra të çuditshme, prandaj edhe shohim se ato rriten si materialistë dhe si pragmatistë dhe të shkujdesur ndaj gjërave shpirtërore, larg prej çështjeve të zemrës dhe të vërtetave të gjithësisë.
Tre: Ligji Islam i ndalon librat e fallit dhe të magjisë, kurse ky vendim nuk bën dallim mes leximit dhe shikimit, meqë filmi është realizim praktik i asaj që shënohet në libër. Të gjithë dijetarët muslimanë ua kanë ndaluar muslimanëve leximin e librave që flasin për mënyrën si bëhet magjia dhe mësimin e magjisë, sepse magjia e shpie njeriun në mosbesim.
Si përmbledhje e tërë kësaj mund të themi, se nuk i lejohet muslimanit të blejë romanin Hari Poter e as shikimin e filmit vizatimor me të njëjtin emër, për shkak të ndikimit të madh që mund të ketë në besimin dhe sjelljen e atij që e shikon këtë film vizatimor apo e lexon atë roman.
Shtojcë: Në këtë përgjigje kemi sjellë si shembull filmin vizatimor me emër Hari Poter, mirëpo ka edhe shumë filma të tjerë vizatimorë që kanë të njëjtat defekte, ndoshta edhe më të rrezikshme për mendjen dhe besimin e fëmijës. Për këtë shkak çdo prindër duhet të jetë shumë i kujdesshëm në lidhje me këtë temë dhe duhet të zotërojë kulturë të gjerë në këtë drejtim dhe të dijë se për çfarë bëhet fjalë në filmat vizatimorë, që i ofrohen fëmijëve tanë nëpër kanalet televizive, satelitore apo kabllovike, madje edhe nëpërmjet dvd-ve. Allahu e di më së miri.