|
|
| Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Usame Moderator
Numri i postimeve : 381 Join date : 05/06/2009
| Titulli: Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të Wed Jul 29, 2009 4:02 am | |
| Vajza e Ebu Bekrit dhe njëkohësisht bashkëshortja më e dashur e të Dërguarit alejhi selam lindi në vitin e katërt të shpalljes. Emri i saj ishte Aishe, ndërsa mbiemri Umu Abdullah (nëna e Abdullahut), mirëpo në përgjithësi e thërrisnin “e sinqerta”. Kur nuk ke fëmijë, nuk ke as mbiemër. Të kishe mbiemër në atë kohë ishte nder i madh dhe njerëzit gjithmonë e donin një gjë të tillë. Një ditë, Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e pyeti të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “O i Dërguar i Allahut, gratë e tjera kanë mbiemër, ndërsa unë nuk kam, prandaj të lutem ma propozo një.” I Dërguari alejhi selam i tha: “Përse nuk merr mbiemrin e Umu Abdullahut?” Abdullahu ishte i biri i motrës së Aishes.
Që në fëmijëri, Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte jashtëzakonisht inteligjente. Ende vajzë, ajo ishte e këndshme, gazmore dhe kishte kujtesë fantastike. Madje, edhe kur u moshua, i mbante mend disa momente të fëmijërisë së saj të hershme. Kur ndodhi shpërngulja e të Dërguarit alejhi selam prej Mekës në Medinë, ajo ishte jo më shumë se 9 vjeçe, por historia tregon se shumë gjëra janë transmetuar pikërisht prej saj. Asnjë prej shokëve të të Dërguarit alejhi selam nuk kishte mbledhur më shumë hadithe se ajo.
I Dërguari i Allahut alejhi selam dhe Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishin deklaruar se ishin vëllezër dhe ky deklarim kishte vlerë të madhe. Martesa e të Dërguarit alejhi selam me bijën e tij këtë lidhje e bëri edhe më të fortë.
Pas vdekjes së Hatixhes, Allahu qoftë i kënaqur me të, gruaja e Othmanit, Allahu qoftë i kënaqur me të, e pyeti të Dërguarin alejhi selam nëse kishte dëshirë të martohej përsëri, për ta larguar pikëllimin. I Dërguari alejhi selam i tha asaj: “Me kë të martohem, me ndonjë të vejë, apo me të virgjër?” Ajo iu përgjigj: “Prej të dy kategorive ka. Aishja, bija e Ebu Bekrit, është e virgjër dhe Sauda, bija e Zamës, është e vejë.” Më vonë, i Dërguari alejhi selam u martua me të dyja. Para se Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, të martohej me të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ajo ishte e fejuar me një jobesimtar. Familja e të fejuarit të Aishes e prishën këtë fejesë nga shkaku se mendonin se pasi të martohej me Aishen, djali i tyre do të bëhej musliman. Në atë kohë, Aishja ishte vetëm 6 vjeçe.
Pas vendosjes në Medinë, i Dërguari alejhi selam e dërgoi Zejd ibn Harithin dhe shërbëtorin e tij Ebu Rafen për ta përcjellë Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, për në Mekë. Shoqëruesve të Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, i Dërguari alejhi selam u kishte dhënë 500 dërhemë si furnizim për atë udhëtim. Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, e sollën në Medinë pa pasur ndonjë problem gjatë rrugës, mirëpo ndryshimi i klimës ndikoi negativisht tek ajo. Ajo u sëmur dhe i ranë flokët e saj të mrekullueshme. Pasi i kaloi ajo sëmundje, ajo shtoi në peshë. Pastaj Ebu Bekri e pyeti të Dërguarin alejhi selam: “Pse nuk e merr Aishen në shtëpinë tënde, o i Dërguar i Allahut? Ceremonia martesore tanimë është bërë e ditur.” I Dërguari alejhi selam ia ktheu: “Nuk kam të holla për t’ia paguar mehrin.” Kur e dëgjoi këtë Ebu Bekri, mori 500 dërhemë dhe ia dha të Dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Ato të holla i mori i Dërguari alejhi selam dhe ia dërgoi Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila erdhi tek ai në muajin sheval të vitit të parë të hixhretit.
Në kohën kur lindi Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, shtëpia e Ebu Bekrit ishte ndriçuar nga drita e Islamit dhe kjo dritë kishte zënë vend në zemrën e saj. Kjo dashuri (për Islamin) u rrit edhe më shumë kur ajo u martua me të Dërguarin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Shumë ngjarje prekëse dhe interesante i kanë ndodhur asaj. Në vijim do të përmendim disa prej tyre:
Tregimi i parë është ai kur Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte me të Dërguarin alejhi selam në një karvan. Kur u bë natë, e ndalën karvanin për të pushuar. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, u largua nga karvani për nevoja të veta personale dhe e humbi qaforen e saj të çmuar. Kur e kuptoi se e kishte humbur, filloi ta kërkonte. Ndërkohë, karvani kishte vazhduar rrugën, mirëpo Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, nuk e dinte se ai nuk ishte në vendin ku e kishte lënë ajo. Ajo u mbështoll me rrobat e veta dhe priste që të vinte dikush për ta shpëtuar. Pas pak u takua me Safvan ibn Mautalin, detyra e të cilit ishte që të qëndronte pas karvanit dhe të mblidhte gjërat që mbetnin mbrapa. Kur pa Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha që ngjitet mbi devenë e tij. Afër mesditës ata iu bashkëngjitën karvanit. Kjo ngjarje u dha rast disa njerëzve që të keqkuptojnë dhe të hedhin shpifje për të. Hipokritët filluan një propagandë të djallëzuar kundër Aishes, duke e akuzuar atë për shkelje kurore. Kjo propagandë mori përmasa të hatashme, saqë i Dërguari alejhi selam u detyrua që ta dërgojë Aishen te prindërit e vet për ca kohë. Në një rast, ai tha: “Nëse Aishja është e pafajshme, Allahu i Lartësuar do ta mbrojë atë.” Kjo çështje zgjati disa ditë, derisa Allahu i Lartësuar e shfajësoi Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga kjo shpifje. Shfajësimi gjendet në suren 24. Kjo ndodhi kur i Dërguari alejhi selam shkoi te shtëpia e prindërve të saj. Ai i tha asaj se Allahu e kishte shfajësuar dhe i lexoi ajetet e kësaj sureje rreth çështjes në fjalë. Nëna e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha asaj të ngrihet e ta falënderojë të Dërguarin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Aishja ia ktheu: “Unë do të falënderoj vetëm Allahun e Lartësuar, pasi Ai më shfajësoi.”
Tregimi i dytë është gjithashtu mjaft i rëndësishëm. Furnizimi me të mirat e kësaj bote nga ana e të Dërguarit alejhi selam kundrejt grave të tij ishte i pamjaftueshëm. Ushqimet që konsumonte shtëpia e të Dërguarit alejhi selam përfshinin drithërat, hurmat, etj.. Bashkëshortet e të Dërguarit alejhi selam njëzëri u ankuan tek ai për pamjaftueshmërinë e ushqimeve. Ai në këtë rast tregoi pakënaqësi. Ebu Bekri dhe Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me ta, u thanë bijave të tyre që ta ndalojnë hovin e tyre kundrejt të Dërguarit alejhi selam në lidhje me shtimin e furnizimeve ushqimore, megjithatë bashkëshortet e tjera e vazhduan atë kërkesë. Më në fund, i Dërguari alejhi selam vendosi t’i ndërpresë marrëdhëniet me gratë e veta për një muaj. Ai u largua edhe nga dhoma e tyre. Me këtë rast u krijua një rrëmujë e madhe ndër njerëz dhe ata menduan se i Dërguari alejhi selam ishte shkurorëzuar nga gratë e tij. Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kërkoi që të fliste me të Dërguarin alejhi selam dhe herën e parë nuk iu plotësua dëshira. Kërkoi edhe për të dytën herë, por as këtë herë nuk arriti të takohet me të. Për të tretën herë, më në fund, i Dërguari alejhi selam ia plotësoi dëshirën atij dhe pranoi të bisedonte me të për këtë çështje. Kur hyri Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, në dhomën e tij, e pa të shtrirë në një shtrojë të pagdhendur dhe të papërshtatshme për të qëndruar, prej së cilës të Dërguarit i kishin mbetur shenja në trupin fisnik. Enët e ngrënies ishin në tokë të shpërndara nga njëra-tjetra. Kur Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e pa këtë skenë, u pikëllua shumë dhe e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, a je ndarë nga gratë e tua?” I Dërguari alejhi selam iu përgjigj: “Jo!” Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, më pas e transmetoi këtë lajm te besimtarët. Ai muaj kishte 29 ditë dhe i Dërguari alejhi selam u kthye prej dhomës së tij, në të cilin qëndroi i izoluar. Kur u kthye te gratë e tij, Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte e para e cila u vizitua prej tij. | |
| | | Usame Moderator
Numri i postimeve : 381 Join date : 05/06/2009
| Titulli: Re: Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të Wed Jul 29, 2009 4:03 am | |
| Tregimi i tretë është ai kur i Dërguari alejhi selam i tha Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Mund të më përgjigjesh për një pyetje që do të të bëj, mirëpo pasi të konsultohesh me prindërit e tu.” Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha: “Cila është ajo pyetje?” I Dërguari alejhi selam filloi t’i lexojë ajetet: “O ti Pejgamber, thuaju grave të tua: “Në qoftë se e lakmoni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atëherë ejani, unë po ju jap furnizimin (për lëshim) dhe po ju lëshoj ashtu si është e rrugës. E nëse e doni Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, atëherë të jeni të sigurta se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë punë të mira.” (33: 28-29). Kur e dëgjoi këtë Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: “O i Dërguar i Allahut, pse më duhet t’i pyes prindërit?! Unë preferoj Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën e ardhme më shumë se komoditetet e rëndomta.” I Dërguari alejhi selam u kënaq nga përgjigjja e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i tha që këtë pyetje do t’ua bënte edhe bashkëshorteve të tjera. E bëri këtë dhe secilës që ia thoshte këtë pyetje, ia tregonte edhe atë që Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte thënë.
I Dërguari alejhi selam ndjente dashuri të madhe për Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, saqë kjo mund të vërtetohet me fjalët: “O Allah, nga gjërat që kam në kontroll gjithmonë mbaj drejtësi mes tyre (e kishte për qëllim të thoshte se ai mbante drejtësi mes grave të tij, pa e dalluar ndonjërën mbi tjetrën), por më fal për atë që është jashtë kontrollit tim (kishte për qëllim të thoshte se Aishen e dashuronte më shumë)!”
Një herë tjetër, Amr ibn el-Asi i tha: “O i Dërguar i Allahut, kë do më shumë (prej bashkëshortëve)?” I Dërguari alejhi selam iu përgjigj: “Aishen!” Amr ibn el-Asi përsëri e pyeti duke i thënë: “Por, kë do më shumë prej meshkujve?” I Dërguari alejhi selam iu përgjigj: “Ebu Bekrin!”
Edhe Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndjente po aq dashuri për të. Ndodhte që ajo zgjohej gjatë natës dhe nëse nuk e gjente të Dërguarin alejhi selam pranë saj, turbullohej. Një natë, ajo nuk e gjeti atë në shtrat, kur i doli gjumi në mesin e natës. Filloi ta kërkojë andej e këndej dhe mendoi se mos vallë kishte shkuar te njëra nga gratë e tjera, mirëpo e gjeti duke u falur. U turpërua nga ky akt dhe tha: “Prindërit e mi t’u bëfshin kurban! Unë po mendoja për diçka, e ti paske qenë i zënë me diçka tjetër.”
Dashuria e saj për të Dërguarin alejhi selam mund të matet edhe duke u bazuar në faktin që petku në të cilin i Dërguari alejhi selam kishte vdekur, më pas u ruajt nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, në një vend të sigurt.
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte tetëmbëdhjetë vjeçe kur i Dërguari alejhi selam ndërroi jetë. Ai qëndroi 13 ditë i sëmurë. Gjatë kësaj periudhe, ai qëndroi 8 ditë me Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndërsa me gratë e tjera qëndroi 5 ditë. Ai po ashtu vdiq në dhomën e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj. Pas vdekjes së tij, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ajo jetoi edhe 48 vite si e vejë.
Dy vite më vonë, Ebu Bekri, prijësi i parë i muslimanëve, iu bashkëngjit të Dërguarit alejhi selam në parajsë, kështu që Aishja, krahas asaj që ishte e vejë, tani mbeti edhe jetime. Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, u varros afër të Dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Në atë kohë, ajo ishte vetëm 20 vjeçe. Pas tij, prijës u zgjedh Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili caktoi nga një shumë prej 10.000 dërhemësh për bashkëshortet e të Dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kurse për Aishen caktoi 12.000 dërhemë. Duke e sqaruar veprimin e vet, ai tha se Aishja ishte më e dashura për të Dërguarin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, prandaj meritonte më shumë.
Në kohën kur Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte afër vdekjes, ai dërgoi të birin tek Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, me kërkesën që t’i jepte leje atij (Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të) për t’u varrosur pranë të Dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Aishja i tha: “E pata zgjedhur atë vend për vete, por do ta bëj atë për Omerin.”
Edhe pse Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, i kishte dhënë leje Omerit që të varrosej pranë të Dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, prapëseprapë Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, në testamentin e tij i kishte thënë të birit: “Dërgoje kufomën time te dera e Aishes, nëse pranon që të varrosem aty, mirë, përndryshe dërgomë aty ku janë varrezat e muslimanëve!”
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e lejoi që të varrosej në atë vend ku ishin marrë vesh me Omerin, Allahu qoftë i kënaqur me të, para se ai të vdiste. Tani i Dërguari, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, Ebu Bekri dhe Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me ta, u varrosën në të njëjtën dhomë (vend). Ky akt argumenton shpirtgjerësinë dhe natyrën e saj të mirë.
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte e dobët gjatë kohës kur ishte më e re, mirëpo më vonë shtoi në peshë. Ajo kishte një çehre të çelur dhe ishte femër shumë e bukur. Veshja e saj e preferuar ishte këmisha e kuqe dhe fustani i zi. Ajo ishte e kënaqur, edhe pse në jetën e saj ka pasur vetëm atë fustan, të cilin e ka larë dhe e ka veshur... Ajo ishte një ndjekëse e vërtetë e sheriatit. Ajo i këshillonte fëmijët të bënin punë të mira dhe i këshillonte të ishin modestë e të druajtur. Ajo gjithashtu kujdesej shumë për mbulesën e saj.
Një ditë Is’haku, i cili ishte i verbër, erdhi për ta vizituar, kurse ajo e mbështolli veten me një mbështjellëse. Kur e kuptoi këtë Is’haku, i tha: “Përse mbështillesh, kur unë nuk mund të të shoh?” Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, pa hezitim iu përgjigj: “Unë të shoh, nëse ti nuk mund të më shohësh.” Ajo asnjëherë nuk qe lakmitare dhe gjithmonë i bënte ballë jetës së vështirë. Transmetohet se një herë ka thënë: “Pas vdekjes së të Dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thuajse kurrë nuk u ngopa. E kurdoherë që e bëja këtë, më rridhnin lotët.” Kur u pyet për shkakun, ajo tha: “Sepse e dija që i Dërguari alejhi selam deri në vdekjen e tij nuk kishte ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë.”
Dashuria e saj ndaj të Dërguarit alejhi selam mund të parafytyrohet edhe nga një ngjarje tjetër. Një herë, ajo u grind me Abdullah ibn Zubejrin dhe u betua se asnjëherë nuk do t’i fliste atij. Abdullahu u pendua dhe i kërkoi falje. Familjarët nga nëna e të Dërguarit alejhi selam iu lutën asaj që ta pranonte faljen e Abdullahut. Në këtë rast ajo qau dhe tha: “Ju jeni familjarët e të Dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, prandaj i nënshtrohem kësaj këshille.” Kjo nënkupton shkelje të betimit të saj, kështu që ajo liroi 40 robër si kefaret (shpagim në rast të shkeljes së betimit). | |
| | | Usame Moderator
Numri i postimeve : 381 Join date : 05/06/2009
| Titulli: Re: Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të Wed Jul 29, 2009 4:03 am | |
| Një herë, Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, po agjëronte dhe kishte vetëm një copë bukë për të bërë iftar. Një lypës erdhi tek ajo dhe i kërkoi diçka për t’i dhënë. Ajo ia dha atë copë buke dhe pastaj bëri iftar me ujë. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, falte shumë. Ajo nuk kishte armiqësi, madje as edhe ndaj armiqve të vet. Vëllai i saj, Muhamed ibn Ebu Bekri, ishte vrarë nga Muaviu, por ajo ia fali atij. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregonte vëmendje për çdo person. Një herë erdhi një lypës dhe ajo i tha të shkonte. Një ditë tjetër erdhi një udhëtar i veshur mirë dhe i tha se ishte i uritur. Ajo i ofroi ushqim dhe ujë. Njerëzve nuk u pëlqeu ky ndryshim sjelljesh. Ajo e sqaroi këtë qëndrim duke thënë: “I Dërguari alejhi selam ka thënë se njerëzit duhen trajtuar në bazë të rangut dhe meritave të tyre.” Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte zemërgjerë dhe e mëshirshme. Ebu Zubejri i dërgoi asaj 100.000 dërhemë si dhuratë. Atë ditë ajo po agjëronte. Paratë që mori nga Ebu Zubejri menjëherë ua shpërndau të varfërve. Në mbrëmje, në kohën e iftarit, shërbëtorja e saj i tha: “Oj nënë e besimtarëve, pse nuk i ruajte të paktën disa të holla për të blerë pak ushqim për iftarin tënd?” Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, iu përgjigj: “Përse nuk ma kujtove në atë kohë?” (Nuk ka menduar për vete, por e ka parë të arsyeshme që ato të holla t’ua shpërndajë menjëherë të varfërve, sh.p.) Në luftën e Hendekut muslimanët ishin të rrethuar nga të gjitha anët prej jobesimtarëve. Rreziku prej sabotimit nga ana e çifutëve të Medinës ishte gjithashtu i pashmangshëm, por Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e vështronte terrenin e hendekut pa pasur aspak frikë. Përveç kësaj, edhe në luftën e Uhudit ajo u jepte ushtarëve ujë dhe mjekonte të plagosurit. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte shumë virtyte të mira. Si rezultat i këtyre virtyteve, ajo konsiderohej si njeriu më i mirë prej shoqëruesve të të Dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Ajo dallohej për dituri, inteligjencë dhe miqësinë më të ngushtë me të Dërguarin alejhi selam, përveç babait të saj (Ebu Bekrit). Historia njeh shumë ngjarje që e argumentojnë superioritetin e saj ndaj të tjerëve. Një ditë, ajo u tha të pranishmëve: “Unë kam 10 cilësi, të cilat më japin përparësi ndaj grave të tjera të të Dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: 1) Unë jam femra e vetme e virgjër që jam martuar me të Dërguarin alejhi selam. 2) Unë jam e vetmja që të dy prindërit i kam pasur prej migruesve për shkak të Islamit. 3) Unë isha ajo që Allahu i Lartësuar drejtpërsëdrejti më justifikoi dhe dëshmoi pafajësinë time kur u akuzova për diçka që nuk e kisha bërë. 4) Unë u zgjodha prej Xhibrilit alejhi selam që të personifikohesha nga ai dhe ai (Xhibrili a.s.) në atë formë shkoi tek i Dërguari alejhi selam dhe i propozoi që të martohej me mua. 5) Unë shpesh qëndroja para të Dërguarit alejhi selam kur ai falte namaz. 6) Unë isha në prani të të Dërguarit alejhi selam kur atij i vinte shpallja. 7) Unë, për dallim nga të tjerat, lahesha së bashku me të Dërguarin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Unë isha e fundit që do të vizitohesha nga i Dërguari alejhi selam para se të ndërronte jetë. 9) Unë isha ajo që e mbajta trupin e tij në gjoksin tim, kur shpirti i tij tanimë kishte dalë prej trupit. 10) Unë u nderova që trupi i tij të varrosej në dhomën time. Ka shumë hadithe të të Dërguarit alejhi selam dhe libra të shumtë që vërtetojnë se s’ka pasur asnjë grua të të Dërguarit alejhi selam me aq shumë virtyte sa Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj. I Dërguari alejhi selam ka thënë: “Aishja është superiore ndaj grave të tjera sikurse tharidi (një lloj gjelle që bëhet në Arabi) është superior ndaj ushqimeve të tjera.” Një njeri prej gjeneratës pas të Dërguarit alejhi selam ka thënë: “I kam parë shumë shokë të të Dërguarit alejhi selam që e pyetnin Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, për çështje të rëndësishme të fesë.” Imam Zuhri thoshte: “Dituria e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, është më e mirë sesa gjithë dituria e tërë grave të të Dërguarit alejhi selam dhe e tërë muslimanëve të tjerë.” Një herë, Ebu Musa Ehrari ka thënë: “Ne që ishim në prani të të Dërguarit alejhi selam vetëm një herë, asnjëherë nuk hezitonim ta pyesnim Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, për çështje fetare dhe ajo me përpikmëri na jepte përgjigje dhe na udhëzonte.” Urve ibn Zubejri thoshte: “Ajo ishte superiore në logjikën fetare, në mjekësi dhe në poezi. Ajo kishte kujtesë të mrekullueshme.” Ebu Selma ibn Abdurrahman ibn Aufi thoshte: “S’kam parë dijetar më të mirë të Sunetit të të Dërguarit alejhi selam sesa Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj. Ajo e dinte interpretimin e shpalljes hyjnore dhe të ajeteve kuranore.” Një citat i Ata ibn Rebah thotë: “Aishja ishte dijetare e mrekullueshme dhe mendimtare e shquar.” Një herë, Muaviu, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte pyetur: “Kush është dijetari më i madh i kohës sonë?” Të pranishmit i thanë: “Ti je ai, o i nderuar!” Muaviu, Allahu qoftë i kënaqur me të, pastaj u tha: “A mund të betoheni për këtë që po thoni?” Njëri prej tyre tha: “Jo, pasi nuk është askush më i mirë sesa Aishja.” Pa dyshim që Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte bashkëshortja më e dashur tek i Dërguari alejhi selam dhe u mundua të përfitonte sa më shumë dituri dhe udhëzim prej tij. Kishte edhe të tjera gra të të Dërguarit alejhi selam që kishin afërsi të ngjashme me Aishen, por asnjë prej tyre nuk mund t’i interpretonte gjërat më mirë se ajo. Ajo mund të depërtonte në thellësinë e problemeve aty për aty, kurse të tjerët nuk mundeshin. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte një logjikë të thellë. Është i njohur mendimi që njerëzit sa më të aftë të jenë në aspektin mendor, janë më të prirur për ateizëm e mosbesim dhe si rezultat i racionalizimit të çdo problemi, ata bëhen pre e teorive të ndryshme botërore. Megjithëkëtë, edhe pse Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte një person me intelekt të rrallë, kishte më së shumti dituri në jurisprudencën islame dhe kultivonte shumë dashuri për Islamin. Koncepti i ndotur i Islamit, që mbretëronte në atë kohë në Arabinë Saudite, ishte i plot paragjykime të fëlliqura. Njerëzit e thjeshtë mbanin hajmali për t’u mbrojtur prej belave dhe për të zgjidhur problemet. Gratë e asaj kohe i praktikonin me zell këto punë. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, i urrente paragjykimet, duke u bazuar në atë se vetëm Allahu i Lartësuar ka të drejtë ta dënojë apo shpërblejë dikë. Ajo luftonte pa u përkulur kundër këtyre ligësive shoqërore. Një herë ajo pa një brisk rroje pranë shtratit të një fëmije. U hidhërua shumë dhe e ndaloi atë duke thënë: “I Dërguari alejhi selam ishte kundër të gjitha hajmalive!” Kjo ngjarje i jep hov për ecje përpara orientimit përparues të Islamit. Vetëm injorantët bëhen pre e këtyre paragjykimeve, pasi këto paragjykime muslimanin e çojnë madje deri në mosbesim. Muslimani i vërtetë beson se çdo e mirë apo e keqe mund të ndodhë vetëm me lejen e Allahut të Lartësuar. Gratë duhet të jenë më të kujdesshmet dhe nuk duhet t’u dorëzohen këtyre ligësive. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka transmetuar më tepër se 2250 hadithe. Jeta e saj zgjati 63 vite. Gjatë jetës së saj nuk është shënuar diku që ajo ka bërë ndonjë lajkë. Ajo i urrente lajkat dhe lajkatarët. Në kohën kur ishte e sëmurë nga sëmundja e fundit (prej së cilës edhe ndërroi jetë), Abdullah ibn Abasi i kërkoi leje që ta vizitonte, mirëpo ajo refuzoi, sepse e dinte që ai do ta lavdëronte atë. Me insistimin e nipave të saj, ajo e lejoi Abdullahun që ta vizitonte. Me të hyrë Abdullahu në shtëpi të saj, ai filloi të thotë lëvdata, por ajo i tha: “O ibn Abas, më lër të qetë dhe mos u mundo të bësh kësi punësh! Betohem në Allahun, se më shumë do të doja të kisha qenë gur.” Madhështia e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, mund të njihet nga fakti se çdoherë që dikush e vizitonte gjatë sëmundjes fatale të saj, ajo thoshte: “Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, mirë po ndihem.” Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndërroi jetë gjatë udhëheqjes së Muaviut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në muajin Ramazan. Atë natë fenerë të panumërt ishin ndezur në qytetin e Medinës dhe kishte tepër gra nëpër rrugë. Një i huaj e pyeti Ubejd ibn Kumejrin: “Kush është lënduar nga vdekja e Aishes?” Ai iu përgjigj: “Të gjithë ata që e konsiderojnë atë nënë. E ajo ishte Nëna e gjithë besimtarëve.” Në testamentin që kishte lënë, kishte thënë se dëshironte të varrosej në atë natë që kishte vdekur, kështu që atë natë, menjëherë pasi vdiq, u varros. Ebu Hurejra ishte ai që ia fali namazin e xhenazes, ndërsa Abdullah ibn Muhammed ibn Abdurrahmani dhe Abdullah ibn Abdurrahmani e lëshuan trupin e saj në varr. Allahu qoftë i kënaqur prej Aishes! Allahu qoftë i kënaqur me të dhe na bashkoftë me të në xhenetin Firdeus! | |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të | |
| |
| | | | Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |
|