Biografia e autorit të tefsirit Ibën Kethir Ky është imami i shquar Ebu-l-Fida Imadu-d-din Ismail ibën Omer ibën Kethir El-Kureshij El-Busrevij, me origjinë nga Busra, por u rrit, edukua dhe shkollua në Damask. Lindi në fshatin Mixhdel, afër qytetit të Busrës, në vitin 701 sipas hixhretit, 1302 sipas kalendarit Gregorian. Babai i tij ka qenë ligjërues i ditës së xhuma në fshatin e vetë.
Babai vdiq kur ky ishte katër vjeçar, dhe për të, në fillim, u kujdes dhe e edukoi vëllau i tij shejh Abdu-l-Vehabi, pastaj në vitin 706h, kur i kishte pesë vite, u transferua në Damask të Shamit.
MËSUESIT E IBËN KETHIRIT:
Mësime në të drejtën Islame-fikh, mori te shejh Burhanu-d-din Ibrahim ibën Abdurrahman El-Fezari, i njohur si Ibën Ferkah, i cili vdiq në vitin 729h, në Damask dëgjoi ligjërata nga Isa ibën El-Mut'am, Ahmed ibën Ebu Talib, i njohur si Ibën El-Haxhxhar, i cili vdiq në vitin 730h, nga dijetari i shquar i Shamit Behaud-din El-Kasim ibën Mudhaffer ibën A'sakir, i cili vdiq në vitin 723h, poashtu dëgjoi ligjërata edhe prej Ibën Esh-Shirazit, Is'hak ibën Jahja El-Amidijut, figura më e shquar e shkollës literariste-dhahirite, i cili vdiq në vitin 725h, Muhamed ibën Zerradit. Ai e shoqëroi dijetarin e njohur Xhemalud-din Jusuf ibën Ez-Zekij El-Miz-zi, i cili vdiq në vitin 742h. Shoqërimi me të i solli dobi të madhe në planin shkencor, dhe u martua me vajzën e tij. Mësime mori edhe nga dijetari i shquar Shejhu-l-Islam Tekijud-din Ahmed ibën Abd-l-Halim ibën Abdu-s-selam ibën Tejmijje, i cili vdiq në vitin 727h, poashtu mori mësime edhe nga dijetari i shquar, njohësi i haditheve dhe historiani i famshëm Shemsud-din Muhamed ibën Ahmed ibën Othman ibën Kajmaz Edh-Dhehebij, i cili vdiq në vitin 748h. Diplomë mori edhe nga dijetarët vijues egjiptas: Ebu Musa El-Karafi, Ebu-l-Fet'h Ed-Debusi, Ali ibën Omer Es-Sevani, etj. Imam Dhehebiju në veprën e tij "El-Muëxhemu-l-muhtas", për Ibën Kethirin, thotë: Ky është dijetari që jep fetva, hadithologu i shquar, juristi i zhdërvjelltë dhe komentuesi i cili përcolli shumë transmentime. Ai ka shkruar shumë vepra të dobishme.
Ibën Haxheri, në veprën e tij "Ed-Durer el-kamine", thotë: Është marrë me shkencën e hadithit, gjegjësisht me disciplinën e teksteve dhe transmentuesve, kishte memori të forte, ishte njohës i mire i gjërave. Shkroi shumë vepra, të cilat u perhapsën mjaftë gjatë jetës së tij, e këto i shfrytëzuan njerëzit tjerë pas vdekjes së tij.
Historiani i njohur Ebu-l-Mehasin Xhemalud-din Jusuf ibën Sejfud-din, i njohur me nofkën Ibën Teg'rij Ber'dij, në librin e tij "El-Menhelu-s-safi ve-l-musteufa ba'ëde-l-vafi", thotë: Ky është dijetari i madh Imadu-d-din Ebu-l-Fida, ka qenë gjurmues i pa lodhshëm, ka arritur dituri të shumta dhe ka lënë shumë shkrime, u dallua në veçanti në shkencën e fikhut, tefsirit dhe hadithit. Ka qenë ligjërues, përcjellës hadithesh dhe autor i shumë veprave. Ka patur njohuri të thella në fushën e hadithit, tefsirit, fikhut, gjuhës etj. Ligjëroi dhe foli për çështjet fetare deri në vdekje, Allahu e mëshiroftë, u njoh si dijetar preciz dhe analist. Arriti zenitin shkencor në Histori, Hadith dhe Tefsir.
NXËNËSIT E IBËN KETHIRIT:
Ibën Kethiri ka patur shumë nxënës, prej të cilëve do të veçonim: Ibën Haxhi, për të cilin tha: Ka qenë më i miri i hafizëve(mbamendësve) të hadithit që kemi njohur, ishte më i ditur për të metat dhe transmentuesit e haditheve, si dhe hadithet autentike dhe jo autentike. Bashkëkohanikët dhe mësuesit ia njihnin këto aftësi, e unë sa here që kam ndejtur me të, kam patur dobi.
Dijetari i shkollës juridike hanbelite, Ibën El-Imad, në veprën e tij "Shedheratu edh-dheheb fi ahbarin min edh-dheheb", thotë: Ky ka qenë njohësi i madh i haditheve i cili morin titullin hafidh në këtë shkencë, shtyllë e fesë, mbamendës i madh, pak haronte, ishte mendjemprehtë, ishte njohës edhe i gjuhës. Ibën Habibi, për të thotë: Ka dëgjuar dhe ka përmbledhur shumë, po edhe ka përpiluar shumë vepra. Ka qenë i dalluar në fetvaja, ka transmentuar shumë hadithe, fetvatë e tij u shpërndanë anembanë botës, u shquajt si dijetar preciz dhe gjurmues.
VEPRAT:
Ibën Kethiri ka shkruar shumë vepra, prej të cilave do të veçonim:
1-Vepra më madhore e tij është komenti i Kur'anit, e cila veprës konsiderohet prej komenteve më të preferuara tradicionale. Kjo vepër u botua disa here, dhe u paraqit në version shkurtuar nga disa studiues.
2-Historia, të cilën e quajti "El-Bidaje ve en-nihaje"(Fillimi dhe mbarimi), e cila u botua në 14 vëllime. Në këtë vepër i përmendi rrëfimet e të dërguarve të Allahut dhe popujve të më hershëm, biografinë e të dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit s. a. v. s. , historinë islame deri në kohën e tij, pastaj shkroi për: "Sherret, parashenjat e kijametit, ndodhitë dhe ndodhitë e botës tjetër". Këtë e pati për qëllim me mbarimin. Fillimisht u botua pjesa e quajtur "El-Bidaje"(Fillimi) e ndarë, e pastaj u botua pjesa e quajtur "En-Nihaje"(Mbarimi), e ndarë. Kjo pjesë u verifikua nga disa studiues.
3-"Et-Tekmil fi maërifeti eth-thikati ve ed-dua'fai ve-l-mexhahil", ku përmblodhi dy libra të mësuesve të tij, Mizzit dhe Dhehebijut, gjegjësisht veprat "Tehdhibu-l-kemal fi esmai er-rixhal", dhe "Mizanu-l-iëtidal fi nakdi er-rixhal", të cilave u bashkangjiti referenca të rëndësishme përkitazi me transmentuesit e hadithit.
4-"El-Hedju ve es-sunen fi ehadithi-l-mesanidi ve es-sunen", i titulluar "Xhami'u-l-mesanid", ku tuboi musnedin e imam Ahmed ibën Hanbelit, Bezzarit, Ebu Ja'la El-Musilijut dhe Ibën Ebu Shejbes bashk me gjashtë koleksionet: Sahihun e Buhariut dhe Muslimit, katër sunenet dhe i renditi në bazë të kapitujve të fikhut.
5-"Tabekatu esh-shafi'ijje", biografitë e dijetarëve të shkollës juridike shafi'ite. Ky është vëllim mesatar, dhe në të e përmendi edhe biografinë e imam Shafiut.
6-Bëri përpunimin e haditheve të veprës juridike shafi'ite "Edil-letu et-tenbih".
7-Filloi me komentimin e haditheve të koleksionit të saktë të Buhariut, por nuk e përfundoi dot.
8-Filloi të përpiloi një vepër të madhe rreth dispozitave juridike, por nuk arriti ta përfundojë. Arriti deri në kapitullin e Haxhit.
9-"Muhtesaru kitabi-l-med'hal", versioni i shkurtuar i veprës së Bejhekijut "El-Med'hal"(Hyrja). Pjesa më e madhe e saj nuk është botuar.
10-E shkurtoi veprën e Ibën Salahut "Ulumu-l-hadith", të cilën e titulloi "Muhtesaru ulumi-l-hadith"(Versioni i shkurtuar i shkencave të hadithit). Këtë vepër e botoi hadithologu i njohur i Egjiptit shejh Ahmed Muhamed Shakir, Allahu e mëshiroftë, bashkë me një koment. Komenti u titullua: "El-Bahithu-l-hathith fi sherhi muhtesari ulumi-l-hadith". Kjo vepër u botua disa here.
11-"Es-siretu-n-nebevijje", jetëshkrimi pejgamberik, i cili u botua në version të zgjeruar në veprën e historisë "El-Bidaje", dhe në version të shkurtuar e ndarë. Të dy versionet janë botuar.
12-Traktat mbi xhihadin të cilin e titulloi: "El-Ixhtihad fi talebi-l-xhihad". Libri pësoi disa botime.
VDEKJA:
Dijetari i shquar Ibën Haxher El-Askalani, Allahu e mëshiroftë, thotë: Në fund të jetës së tij u verbua. Vdiq në Damask në vitin 774 të hixhretit-1373 sipas kalendarit Gregorian.
Allahu e mbuloftë me mëshirën e Tij të gjërë dhe e vendostë në xhenetet e gjëra të Tij.