Negacionet e Islamit janë ato vepra të cilat, nëse muslimani i vepron, e asgjësojnë imanin dhe ia prishin veprat dhe bëhet prej banorëve të Xhehenemit. Për këtë obligohet çdo musliman dhe muslimane t’i mësojë këto negacione, përndryshe mund t’i veprojë duke mos e ditur, sikur që e shohim tek shumica, të cilët pretendojnë se janë muslimanë..
Duhet patur parasysh se ka më shumë se dhjetë negacione, por autori Allahu e mëshiroftë, i zgjodhi këto dhjetë për shkak të pajtimit global të të gjithë muslimanëve për këto negacione, ashtu siç do ta cekim dhe shpjegojmë tek çdo negacion.
Apo thuhet: Negacionet janë të shumta të cilët i kanë cekur fukahatë në kaptinën e “Felënësit” (Murtedit), por bazohen në këto dhjetë.
Hoxha Muhamed ibn Abdulwehab, Allahu e mëshiroftë thotë:
“Kush merr (bën) mes tij dhe mes Allahut ndërmjetësues, i lutë ata, kërkon shefat (ndërmjetësim) prej tyre dhe mbështetet tek ata, ka dalur prej Islamit me pajtimin e të gjithë dijetarëve”.
Ky negacion është prej negacioneve që më së shumti veprohet dhe më i rrezikshmi për njeriun, ngase shumica prej të cilëve e thërrasin veten muslimanë, kurse ai nuk e njeh Islamin e as realitetin e Islamit, kanë marrë mes tij dhe Zotit ndërmjetësues, i lusin ata për t’ua larguar vështirësitë dhe ndihmuar (shpëtuar) nga sprovat, këta janë kafira me pajtimin e të gjithë muslimanëve, ngase Allahu, subhanehu we teala, nuk i zbriti librat dhe nuk i dërgoi Pejgamberët për gjë tjetër, vetëm që të njësojet Allahu me adhurim e mos t’i bëhet shok, ortak, shirk.
Por refuzuan adhuruesit e varreve dhe morën ndërmjetësues, i pyesin dhe lusin për t’u ofruar dobi dhe për t’ua larguar dëmin, dhe e llogaritën këtë se ky është adhurimi për të cilën urdhëroi Allahu, subhanehu we teala.
Kush i kundërshton ata në këto vepra të shëmtuara, e etiketojnë se ky nuk i madhëron, nuk i respekton evlijatë dhe të devotshmit.
Këta me pretendimin e tyre të çoroditur, se nuk e lusin Allahun, subhanehu we teala, drejt-përdrejt, ngase e madhërojnë Allahun dhe thonë Allahut i nevojiten ndërmjetësues (patjetër duhet të ketë ndërmjetësues për te Allahu), ashtu siç nuk kërkohet nga mbretërit vetëm se me ndërmjetëesues, atëherë Allahu ka më shumë prioritet se mbreti!
Këta nuk kërkojnë mbrojtje prej Allahut, subhanehu we teala, por e përngjasojnë Atë me krijesën e dobët (njeriun), me këtë krahasim dhe nga kjo rrugë u futën derisa dolën prej Islamit.
Në librin e Allahut, subhanehu we teala, dhe Sunnetin e Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, ka shumë argumente të cilët e prishin dhe kundërshtojnë këtë mendim. Kush mendon rreth Kur’anit duke kërkuar udhëzim dhe për ta gjetur të vërtetën do të kuptojë se feja islame është e njohur dhe e qartë dhe se shumica e njerëzve janë injorant në (këtë) fenë e Zotit të botëve, prej këtyre argumenteve është edhe fjala e Allahut, subhanehu we teala:
“Thuaj: “Thirrni ata, të cilët i menduat për zota pos All-llahut!” Ata nuk posedojnë sa një grimcë as në qiej e as në tokë dhe as që kanë në to ndonjë pjesë, dhe Ai nuk ka prej tyre ndonjë përkrahje.
Dhe ndërmjetësimi nuk bën dobi te Ai, përveç i atij të cilit i jep leje, e kur hiqet frika nga zemrat e tyre (të ndërmjetësuesve), ata thonë: “Cka tha Zoti juaj!” (rreth shefatit). Ata (engjëjt e lartë) thonë: “Të vërtetën!” (u dha leje). Ai është më i larti, më i madhi.” (Sebe, 22-23)
“Thuaj: “Ftoni ata, të cilët i menduat (zota) pos Atij, e ata nuk mund ta heqin prej jush mjerimin, as nuk mund ta mënjanojnë”. Të tillët (zotat) që këta po lusin (pos Zotit), vetë ata (zotat e tyre) kërkojnë afrimin (te Zoti i vërtetë), shpresojnë në mëshirën e Tij dhe i frikësohen dënimit të Tij. Vërtet, dënimit të Zotit tënd është për t’iu ruajtur.” (Isra, 56-57)
“Dhe mos lut tjetërkë pos All-llahut, ndonjë (idhull) që nuk të sjellë as dobi as dëm, e nëse e bën atë, dije se i ke bërë padrejt vetvetes. Nëse All-llahu të provon me ndonjë të keqe, atë s’mund ta largojë kush pos Tij, po nëse dëshiron të japë ndonjë të mirë, s’ka kush që mund ta pengojë dhuntinë e Tij. E shpërblen me të atë që do nga robtë e Tij. Ai falë dhe mëshiron shumë.” (Junus, 106-107)
“Po nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt e tokën, sigurisht ata do të thonë: “All-llahu!” Ti thuaju: “Më tregoni pra, për ata që i adhuroni pos All-llahut, nëse All-llahu më godet mua me ndonjë të keqe, a mund ta largojnë ata atë të keqe, ose nëse All-llahu dëshiron ndonjë të mirë ndaj meje, a mund ta pengojnë ata të mirën e Tij?” Thuaju: “Mua më mjafton All-llahu. Vetëm Atij i mbështeten të mbështeturit”.” (Zumer, 38)
Në Kur’an ka edhe më shumë argumente që aludojnë në obligimin e sinqeritetit në adhurim dhe që mos të miren ndërmjetësues mes Allahut, subhanehu we teala, dhe mes robërve të Tij:
“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (Bekare, 186)
Po ashtu edhe Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, kur mes tjerash i është thënë: “Çka të dëshirojë Allahu dhe ti”, ai, sal’allahu alejhi we selem, ka reaguar: “Më bëre ortak me Allahun, subhanehu we teala! Thuaj: Çka don (vetëm) Allahu”, ngase “dhe” aludon barazim, kurse Allahu, subhanehu we teala, është veçuar me njëshmëri (uluhijet), duhet të veçohet me adhurim, e mos të barazohet me askënd prej krijesave në kërkimin e dobësisë dhe largimin e dëmit.
Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, thotë: “Kujdesu për fenë e Allahut, Allahu do të kujdeset për ty. Kujdesu për fenë e Allahut, Allahun do ta gjesh para teje. Kur të kërkosh kërko prej Allahut. Nëse kërkon ndihmë, kërko prej Allahut. Dije, sikur tërë populli të tubohet që të ndihmojë me diç, nuk do të ndihmonin, përveç atë që e ka caktuar Allahu”.
Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Pasi që besimtari e di se Allahu, subhanehu we teala, është Zot i çdo sendi dhe Pronar i saj, ai nuk i përgenjështron shkaqet që i krijoi Allahu, ashtu siç e bëri shiun shkak për ringjallje dhe kultivim.
Allahu, subhanehu we teala, thotë:
“Eshtë fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon All-llahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhapë në te nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente.” (Bekare, 164)
Po ashtu siç e bëri Diellin dhe Hënën shkak për atë çka krijon (kultivohen), gjithashtu ndërmjetësimi dhe lutja janë shkak për atë send çka janë bërë p.sh. namazi i muslimanëve mbi xhenazen është shkak me të cilin Allahu e mëshiron robin dhe i shpërblen falësit e këtij namazi”.
Por, sa i takon shkaqeve duhet t’i dijmë tre gjërat e para:
1. Shkaku vetjak, nuk pamëvarësohet, por duhet me këtë të ketë edhe shkaqe tjera, nga kjo kuptojmë se ka edhe pengesa nëse Allahu nuk i kompleton shkaqet, dhe i largon pengesat, atëherë nuk do të arrihet qëllimi. Çka don Allahu, subhanehu we teala, bëhet edhe pse njerëzit nuk dëshirojnë, dhe çka dëshirojnë njerëzit nuk realizohet vetëm se çka don Allahu.
2. Nuk lejohet të besohet se ndonjë gjë është shkak vetëm se me dituri, kush konfirmon ndonjë gjë se është shkak me padituri, apo është në kundërshtim me fenë islame ky është kusht i kotë, sikur që dikush mendon se të zotuarit është shkak për të larguar ndonjë dëm apo për të fituar dhe arritur ndonjë mirësi.
Transmetohet nga Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem se e ka ndaluar të zotuarit (angazhim me anë të betimit) duke thënë ai betim nuk sjell dobi në vepra, ai thjeshtë bën që personi i varfër të shpenzojë.
3. Prej çështjeve të fesë asgjë nuk guxon të miret si shkak vetëm nëse janë prej Islamit legjislativ, ngase në çështjet e adhurimit duhet të ndalemi (abstenojmë).
Nuk i lejohet njeriut t’i bëj ortak Allahut duke lutur dikë tjetër edhe nëse mendon se ky është shkak për të fituar disa gjëra personale.
Për këtë shkak nuk adhurohet Allahu me bidate të cilat janë në kundërshtim me fenë edhe nëse mendon se është mirë për të. Ndodh që shejtanët ta ndihmojnë njeriun në disa qëllime të tij nëse i bën Allahut shok, ortak, ndodh që njeriu mund të arrijë me kufër dhe mëkate disa qëllime të tij, megjithatë nuk i lejohet kjo.
Ngase dëmi i kësaj është më i madh se dobia të cilën e fiton. Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, u dërgua për të arritur në dobi të kompletuara, dhe për ta asgjësuar dëmin dhe zvogëluar. Atë të cilën e ka urdhëruar Allahu është dobi dhe çka e ka ndaluar është dëm.
Mushrikët në kohët e lashta dhe të kohës sonë kanë rënë në shirk të madh duke u ngjitur në bishtin (bazuar) e ndërmjetësimit, ashtu siç e ka cekur Allahu, subhanehu we teala, në librin e Tij.
Ndërmjetësimin të cilin mushrikët (idhujtarët) mendojnë se do të kenë dobi në Ditën e Gjykimit nuk do të ekzistojë ashtu siç e ka asgjësuar dhe e ka quajtur të kotë Kur’ani në disa ajete të tij:
“Në fe nuk ka dhunë. Eshtë sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson të pavërtetat e i beson All-llahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. All-llahu është dëgjues i dijshëm.” (Bekare, 256)
“Ti tërhiqju vërejtjen me këtë (Kur’an) atyre që i frikësohen tubimit para Zotit të tyre, në mënyrë që të ruhen, sepse pos Tij nuk do të ketë as mbrojtës as ndërmjetës.” (El-En’am, 51)
Këtë shefat të cilën e shfuqizoi dhe zhvlerësoi Kur’ani është ajo e cila kërkohet prej dikuj tjetër, ngase Allahu subhanehu we teala e ka cekur ndërmjetësimin në disa ajete të librit të Tij të shenjtë. Allahu, subhanehu we teala, thotë:
“All-llahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij. Ai është mbikqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm. Atë nuk e kap as kotja as gjumë, gjithçka ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij, e di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen, nga ajo që Ai di, tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar, Kursija e Tij (dija-sundimi) përfshijnë qiejt dhe tokën. Kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë, Ai është më i larti, më i madhi.” (Bekare, 255)
“Ai (All-llahu) e di çka vepruan më parë dhe çka do të veprojnë, dhe ata nuk përpiqen të ndihmojnë pos për atë me të cilin është i kënaqur Ai, e ata nga frika prej tij janë të kujdesshëm.” (El-Enbija, 28)
“Thuaj: “I tërë shefaati (ndërmjetësimi) i takon vetëm All-llahut, i Tij është pushteti i qiejve dhe i tokës, e më vonë vetëm te Ai ktheheni”. (Zumer, 44)
“E sa engjëj ka që janë në qiej, e që ndërmjetësimi i tyre nuk bën dobi asgjë, vetëm pasi që All-llahu të japë leje për atë që dëshiron dhe që është i kënaqur për të.” (En-Nexhm, 26)
Nga kjo që cekëm aludon se shefati (ndërmjetësimi) është dy lloj:
1. Ndërmjetësimi i shfuqizuar dhe i zhvlerësuar (jo valid), ai që kërkohet nga dikush tjetër pos Allahut.
2. Shefati (ndërmjetësim) i konfirmuar (valid), ai që kërkohet prej Allahut dhe është e veçantë vetëm për pasuesit e teuhidit të njëshmërisë dhe sinqeritetit, dhe pas kësaj është e kushtëzuar me dy kushte:
Një: T’ia lejojë Allahu ndërmjetësimin ashtu siç Allahu, subhanehu we teala, thotë:
“All-llahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij. Ai është mbikqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm. Atë nuk e kap as kotja as gjumë, gjithçka ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij, e di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen, nga ajo që Ai di, tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar, Kursija e Tij (dija-sundimi) përfshijnë qiejt dhe tokën. Kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë, Ai është më i larti, më i madhi.” (Bekare, 255)
Dy: Të jetë Allahu i kënaqur për të ndërmjetësuarin.
“Ai (All-llahu) e di çka vepruan më parë dhe çka do të veprojnë, dhe ata nuk përpiqen të ndihmojnë pos për atë me të cilin është i kënaqur Ai, e ata nga frika prej tij janë të kujdesshëm.” (El-Enbija, 28)
Të jetë i kënaqur me fjalët e tij dhe veprat e tij. Kurse idhujtarëve, veprat e tyre do të bëhen pluhur dhe hi, nuk ka ndërmjetësim për ta, do të veprohet me ta me të kundërtën e qëllimit, ngase kush e shpejton ndonjë gjë para se t’i vjen koha do të dënohet me mosarritje.
Sulejman el-Ulwan