Jemi në prag të muajit të bekuar të Ramazanit. Megjithëse kanë mbetur edhe pak ditë për të parë Hënën e Re, përgatitjet veç më kanë filluar për të pritur këtë mik të madh dhe të dashur. Era e lehtë dhe fisnikëruese e këtij muaji ka filluar t’i lëshojë krahët e saj mbi besimtarët, që t’i bëjë më të devotshëm dhe më bujarë. Melekët zbresin në tokë, shejtanët prangosen, dyert e Xhennetit hapen kurse dyert e Xhehennemit mbyllen. Lëshohet një zë nga qielli, zë të cilin e dëgjon zemra e besimtarit, dhe thotë: O ti që do të mirën, nxito kah ato! O ti që e do të keqen, ndalu!
Vepra më madhështore që ngriti prestigjin dhe vlerën e këtij muaji ishte zbritja e Kur’anit: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)”. (Bekare, 185)
Në bazë të kësaj ndodhie, muaji i Ramazanit quhet edhe muaj i Kur’anit. Ditët e tij nuk guxon të na kalojnë pa lexuar fjalët, këshillat dhe udhëzimet e tij. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të, çdo Ramazan e lexonte tërë Kur’anin para Xhibrilit, kurse vitin e fundit të jetës së tij e lexoi dy herë. Kjo gjë mbeti traditë të cilën e ndoqën njerëzit e mirë.
Prej adhurimeve më madhështore që kryhen në këtë muaj është dhënia e iftareve. Për këtë vepër na foli vetë i Dërguari i All-llahut, i cili na stimuloi duke përmendur shpërblimin e madh të All-llahut. Ai tha: “Kush i jep iftar një agjëruesit, fiton të mira sa ai, pa iu pakësuar (agjëruesit) shpërblimi”. (Tirmidhiu, Ibën Maxhe, hadithi është i vërtetë)
Shpirti i besimtarit fisnikërohet edhe më tepër në këtë muaj, jeton me fjalët e All-llahut dhe Pejgamberit, bëhet i zellshëm dhe i dobishëm për të tjerët. Ai është i vetëdijshëm se All-llahu i Madhëruar ia kompenson shpenzuesit “e çka do që t'u jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t'u kompensohet në mënyrë të plotë duke mos u dëmtuar ju”. (Bekare, 272), siç është përmenduar edhe në hadith: “Shpenzo që të shpenzoj për ty”. Po ashtu Pejgamberi, lavdërimi dhe shpëtimi i All-llahut qoftë mbi të, thotë: “Derisa një njeri ecte ne një hapësirë, dëgjoi një zë që vinte nga një re: ujite kopshtin e filanit, pastaj ajo re lëvizi derisa lëshoi ujin mbi një tokë të djegur nga nxehtësia dhe ja, kur pashë ujin të mbledhur në një gropë. Ky njeri përcolli renë dhe kur arriti te vendi në të cilin ishte lëshuar uji pa një njeri i cili po mundohej të depozitoj ujin dhe i tha: O rob i All-llahut, si e ke emrin? Ai ia përmendi emrin që e kishte dëgjuar prej resë, pastaj i tha: Përse më pyet për emrin tim? Iu përgjigj: unë dëgjova një zë në renë e cila e lëshoi ujin, thoshte: Ujite kopshtin e filanit duke përmendur emrin tënd, për këtë dëshiroj të dij se ç'vepron me këtë kopsht? U përgjigj: Pra, pasi e kërkove këtë gjë po të tregoj se prodhimin që fitoj nga kjo tokë, një të tretën e saj e jap lëmoshë, me një të tretën ushqehem unë dhe familja ime, kurse një të tretën e kthej përsëri në këtë tokë”. (Transmeton Muslimi)
All-llahu, subhanehu ve teala, ia shumëfishon pasurinë shpenzuesit: “Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e All-llahut është si një kokërr prej të cilës mbijnë shtatë kallinj, ndërsa në secilin kalli ka nga njëqind kokrra. All-llahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, All-llahu është Bujar i Madh, i di qëllimet”. (Bekare, 261)
Shpenzuesi shpreh frikën e tij prej zjarrit të Xhehennemit: “Frikojuni prej zjarrit qoftë edhe me gjysmë hurme”. (Transmeton Buhariu)
Gjëja më e mirë më të cilën njeriu mjekohet është lëmosha: “Mjekoni të sëmurit tuaj me lëmoshë”. (Transmeton Bejhakiu)
Shpenzimi i pasurisë është mbrojtje e saj: “Mbroni pasuritë tuaja me zekat”. (Transmeton Bejhakiu)
Bujaria është prej cilësive më të lavdëruara tek All-llahu, subhanehu ve teala, “All-llahu është i Mirë dhe e do të mirën, i Pastër dhe e do pastërtinë, Bujar dhe e do bujarinë”. (Transmeton Tirmidhiu i cili thotë: ky hadith është garib, kurse Halid ibën Iljas është i dobët)
Dora e cila jep është më e mirë se dora e cila merr: “Dora e lartë është më e mirë se dora e poshtme”. (Transmeton Muslimi)
Ai që i jep tridhjetë iftare i dyfishohen të mirat në këtë muaj. Këtë shans të madh të parët tanë e shfrytëzonin në mënyrë më të mirë. Ata e dinin vlerën e shpërndarjes së ushqimit sidomos në muajin e Ramazanit. Njëri prej tyre kishte thënë: “T’i thërras dhjetë shokë të mi për të ngrënë një ushqim që ua ka ëndja është më e dashur për mua se sa t’i liroj dhjetë robër”.
Ebu Sivar Adeviu thotë: “Ishin disa burra të fisit Adij që kurrë nuk bënin iftar të vetëm. Nëse gjenin ndonjë që do të ushqehej me ta e bënin atë, e nëse jo, merrnin ushqimin me vete dhe dilnin në xhami”.
Si rrjedhojë e këtij ibadeti dalin shumë ibadete tjera, siç janë: dashuria mes dhuruesit të iftareve dhe agjëruesve, pastaj kjo gjë me lejen e All-llahut bëhet shkak për të hyrë në Xhennet, siç ka thënë Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e All-llahut qoftë mbi të: “Nuk do të hyni në Xhennet deri sa të besoni, e nuk keni besuar përderisa të duheni mes vete”. (Muslimi)
Agim Bekiri