Plotësimi i shpjegimit të hadithit të shtatë
Ahkamet (rregullat) e nxjerra nga ky hadith
1- Marrëdhëniet intime gjatë muajit të Ramazanit janë nga gjërat e shëmtuara që e çojnë njeriun në shkatërrim, ngase Muhamedi salallahu alejhi ue selem u solidarizua me mendimin e atij sahabit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tha: “U shkatërrova o i Dërguar i Allahut.” E po të mos ishte ashtu, atëherë Muhamedi salallahu alejhi ue selem do ta zbuste situatën e do t’i thoshte më ngadalë, mos u merakos, nuk është çështja aq tragjike, por Muhamedi salallahu alejhi ue selem heshti dhe me këtë kuptuam se mëkati me këtë rast vërtet është shkatërrues.
2- Ai që bën marrëdhënie intime gjatë muajit të Ramazanit me qëllim ka obligim kefaren (shpagimin). Siç e kemi sqaruar më herët, ajo është sipas radhitjes, siç ka ardhur në hadith: lirimi i një robi, e nëse nuk ka mundësi, atëherë agjërimin e dy muajve pa ndërprerë, e nëse nuk mundet, atëherë ushqen 60 të varfër.
3- Shpagimi nuk bie në rast pamundësie, ngase Muhamedi salallahu alejhi ue selem nuk e liroi atë sahab nga kefarja, gjë që na jep të kuptojmë se atij sahabi i ka mbetur obligim shpagimi kurdo që të ketë mundësi ta shpaguajë.
4- Lejimi i shpagimit nga dikush tjetër, qoftë edhe nga personi i panjohur.
5- Shpaguesit dhe familjes së tij i lejohet të hajë nga ushqimi i shpagimit, i cili është bërë nijet si shpagim për të, po me kusht, nëse shpagimin për të e ka bërë dikush tjetër.
6- Ajo që na jep të kuptojmë në shikimin e parë të këtij hadithi është se robi i liruar për kefare konsiderohet si i vlefshëm sido që të jetë, besimtar apo mosbesimtar. Ky është mendimi i Ebu Hanifes.
Por ajo që është e saktë është ajo që thotë xhumhuri i detarëve, se robi që lirohet patjetër duhet të jetë musliman besimtar. Kështu që hadithi është i kushtëzuar për besimin e robit të liruar me hadithe të tjera, si për shembull hadithi mbi shpagimin e vrasjes, ku përmendet se patjetër duhet të jetë besimtar.
7- Besnikëria, fisnikëria dhe bujaria e Muhamedit salallahu alejhi ue selem, se si erdhi ai njeri i frikësuar dhe i turpëruar, por u largua i gëzuare dhe i kënaqur me ushqim për veten dhe familjen e tij.
8- Kushdo që bën mëkat, për të cilin nuk ka ndonjë dispozitë sheriatit dhe vjen i penduar dhe i mërzitur, nuk kritikohet ashpër.
Përmbledhje shpjegimesh për këtë hadith nga dijetari i njohur Ibën Tejmije
Është e vërtetuar prishja e agjërimit nga ngrënia dhe pirja si dhe marrëdhëniet intime nga argumentet e sheriatit si dhe ixhmaja e dijetarëve. Po ashtu është vërtetuar se femrat gjatë kohës së menstruacioneve dhe gjatë lehonisë nuk kanë mundësi që të agjërojnë përderisa janë në atë gjendje (edhe nëse agjëron, agjërimi në atë gjendje nuk pranohet), por mbas pastrimit i agjërojnë ato ditë kaza (si kompensim), pas muajit të Ramazanit. Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Pastroje hundën më shumë, përveç nëse je agjërueshëm.” (Atëherë me ngadalë, që të mos depërtojë uji në fyt.) Nga ky hadith kuptuam se zbritja e ujit nga hunda në fyt e prish agjërimin.
Thotë dijetari Hatab:”Nuk di që ndonjë dijetar ta kundërshtojë këtë mendim se : Kush vjell pa dashje nuk duhet ta kompensojë atë ditë , dhe se kushdo që vjell me qëllim duhet ta kompensojë, e po ashtu kushdo që ejakulon spermën pa dëshirën e tij si ai që është në gjumë nuk e prish agjërimin sipas mendimit të gjithë dijetarëve . Ejakulimi e prish agjërimin nëse është si pasojë e masturbimit e po ashtu puthjes apo përqafimit .
Është e vërtetuar me argumentet nga Kurani dhe Suneti se kushdo që bën ndonjë ndalesë nga harresa apo duke gabuar, Allahu i Lartësuar nuk e merr në përgjegjësi për të. Madje konsiderohet sikur mos të kishte bërë fare, si dhe nuk i shkruhet mëkat për të, e po ashtu nuk ia prish ibadetin ( adhurimin) e tij. Agjëruesi nëse ha ose pi apo bën marrëdhënie intime nga harresa apo gabimisht, në këtë rast nuk duhet ta kompensojë atë ditë , e ky është mendim i një grupi të dijetarëve të selefit ( të parëve ) si dhe dijetarëve halef ( të mëvonshëm).
Kurse përdorimi i “kohlit” (bojë për sytë), injeksionet si dhe pikat që merren në rast nevoje në kanalin e urinës, klizma, mjekimin e plagëve qe mbërrin në brendësi të kokës si dhe plagë të thella në trup duke i lyer me melhem.
Këto janë disa gjëra për të cilat ka ihtilaf (kundërthënie) tek dijetarët. Prej tyre kanë mendime se agjërimi nuk prishet me asnjë nga këto, e ka prej tyre që agjërimin e konsiderojnë të prishur me të gjitha këto.
E ajo çka është më e saktë është se agjërimi nuk prishet me asnjërën nga këto duke u nisur nga ajo se agjërimi është nga feja e muslimanëve, që ka nevojë ta njohë atë te dijetarët si dhe njerëzit e rëndomtë, e nëse do të ishin këto gjëra të ndaluara nga Allahu i Lartësuar si dhe Muhamedi salallahu alejhi ue selem për agjëruesin do ta prishnin agjërimin e tij. Atëherë shpjegimi për këto gjëra do të ishte obligim për Muhamedin salallahu alejhi ue selem, e po ti kishte përmendur atëherë do ti dinin edhe sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe do t’ia përcillnin umetit sikurse na kanë transmetuar fenë në tërësi. Mbasi nuk e ka transmetuar asnjëri nga dijetarët nga Muhamedi sal Allahu alejhi ue selem asnjë hadith sahih apo qoftë edhe i dobët kjo na jep të kuptojmë se Muhamedi sal Allahu alejhi ue selem nuk ka përmendur asgjë për këto, kurse hadithi për “kohl” (bojë për sytë) është i dobët.
E ata që mendojnë se këto gjëra prishin agjërimin nuk kanë argumentim nga bazat e para të sheriatit, por vetëm kijasin (analogjinë). Argumenti më i fortë i tyre është hadithi: “Shpëlaje hundën më shumë (gjatë abdestit), përveç nëse je agjërushëm.” Ky kijas është i pabazë për shkak se ai i cili gjatë abdestit lan hundën shumë dhe e thith ujin me frymëmarrje edhe më shumë, atëherë atij uji i zbret në fyt e m pas në brendësi te trupit e në këtë rast është njësoj si të kishte pirë ujë me gojë; ai e ushqen trupin e tij me atë ujë si dhe e largon etjen. Por edhe po të mos kishte argument bazë për këtë, do të kuptohej nga mendja e shëndoshë, ngase kjo konsiderohet pirje dhe është e ditur se agjëruesit i është ndaluar ngrënia dhe pirja, ngase ajo është shkaktare për forcimin e tij. Kurse përdorimi i kohlit (bojës për sytë), i klizmës, i pikave që merren në rast nevoje në kanalin e urinës, mjekimi i plagëve me melhem në brendësi të kokës si dhe në plagë të thella kudo në trup dhe injeksionet nuk e prishin agjërimin ngase nuk e ushqejnë trupin.
Kurse marrëdhëniet intime janë prej epsheve kryesore dhe u është dhënë i njëjti trajtim sikurse ngrënia dhe pirja. Allahu i Lartësuar në hadith kudsij thotë: “Robi i Im i lë epshet e tij dhe ushqimin vetëm për Mua.” Largimi i njeriut nga epshet e tij është ibadet (adhurim) që bëhet me qëllim për të arritur shpërblim. Duke u nisur nga kjo, pra nxjerrja e spermës është lloj shfryrje e epshit dhe duke pasur parasysh se agjëruesit i është ndaluar të konsumojë atë që e forcon dhe e ushqen, si ngrënia e pirja, e po ashtu i është ndaluar që të lirojë, të nxjerrë nga trupi i tij atë që e dobëson si dhe të nxjerrë materie nga të cilat trupi i tij ushqehet. Kjo duke pasur parasysh se ajo që e dobëson trupin ka përparësi për ndalesë më shumë sesa ngrënia e pirja.
Dijetarët kanë ihtilaf (kundërthënie) lidhur me hixhamin (hixhame është diçka që kryhet me anë të brisqeve të rrojës për të bërë vrima në lëkurë, për të nxjerrë gjakun e keq nga trupi), se a e prish agjërimin apo jo. Hadithet e Muhamedit salallahu alejhi ue selem lidhur me atë se hixhami prish agjërimin janë të shumta, si hadithi: “Ka prishur agjërimin ai i cili bën hixhamin si dhe ai të cilit i është bërë hixhami.” E shumë hadithe të tjera që i kanë sqaruar dijetarët e mëdhenj të hadithit.
Disa nga sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me të, e kanë parë të papëlqyeshëm hixhamin për agjëruesin. Mendimi i shumicës së dijetarëve të hadithit është se hixhami e prish agjërimin, e këta janë njerëzit të cilët e pasojnë me përpikëri Muhamedin salallahu alejhi ue selem.
Kurse ata të cilët kanë mendimin se hixhami nuk e prish agjërimin kanë argument hadithin sipas të cilit Muhamedi salallahu alejhi ue selem e ka bërë hixhamin duke qenë agjërueshëm si dhe duke qenë në ihram (duke kryer haxhin apo umren).
Megjithatë, Imam Ahmedi dhe disa dijetarë të tjerë të hadithit e kanë bërë të dobët këtë pjesë shtesë të hadithit: “duke qenë agjërueshëm”. Ata kanë thënë se është vërtetuar se ka bërë hixhamin duke qenë në ihram (duke kryer haxhin apo umren), kurse çfarëdo metode për të nxjerrë gjakun me qëllim e prish agjërimin.
Kurse misvaku është i lejuar pa kurrfarë kundërshtimi, por ka disa mendime të ndryshme të dijetarëve për kerahetin (mospëlqimin) e përdorimit të misvakut pas “zevalit” (pasi dielli të kalojë kupën qiellore, në zenit). Po megjithatë,. prapëseprapë nuk ka ndonjë argument të saktë që ta përkufizojë kohën e misvakut vetëm para dite, ashtu që mbetet i lejuar përdorimi i tij për çdo kohë, paradite apo pasdite.
Është mekruh (i papëlqyeshëm) shijimi i ushqimit me majë të gjuhës, është i urryer, pa nevojë, por nuk e prish agjërimin, kurse në raste nevoje nuk është mekruh (i qortuar) shijimi i ushqimit me majë të gjuhës (por duke pasur kujdes që mos të shkojë në fyt).