Autori, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush beson se disa njerëzve iu lejohet dalja nga Sherijati i Muhamedit, sal’allahu alejhi we selem, pikërisht ashtu siç është lejuar dalja e Hidrit prej sherijatit të Musës alejhi selam, ky është kafir”.
Kjo është kështu, ngase e refuzon fjalën e Allahut subhanehu we teala:
“Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.” (En’am, 153)
Transmeton Ahmedi, Ebu Dawudi, Tajalesiu, Daremiu e të tjerë se Ibn Mes’udi radijallahu anhu, ka thënë: “Na e vizatoi Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, një vijë e pastaj tha: “Kjo është rruga e Allahut”. Pastaj bëri disa viza në të djathtë dhe të majtë, pastaj tha: “Këto janë rrugët e devijuara, në çdo rrugë prej tyre ka shejtan që thërret në të”, pastaj lexoi:
“Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.” (En’am, 153)
Kush don që të largohet nga Sherijati i Muhamedit, sal’allahu alejhi we selem, apo mendon se nuk ka nevojë për të, me të vërtetë e ka larguar litarin e Islamit nga qafa (supet) e tij.
Imam Ibn AbdulVehabi, rahimehullah, ka shkruar kaptinë të gjërë mbi “Vlerën e Islamit”, e atë e ka titulluar si “Kaptina e të mjaftuarit me pasimin e Kur’anit, nga çdo send tjetër përveç tij”.
Nuk ka dyshim se Kur’ani na urdhëron ta pasojmë Pejgamberin, sal’allahu alejhi we selem, dhe mos të dalim nga respekti i tij, bile të ndalurit nga respekti i tij është prej shkaqeve që të dërgojnë në zjarr.
Siç transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu, i cili thotë: “Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka thënë: “I gjithë ummeti im do të hyjë në Xhennet, përveç atyre që nuk duan”. Thanë: “O i dërguari i Allahut, kush nuk don të hyjë?” Tha: “Kush më respekton mua do të hyjë në Xhennet e kush më kundërshton vetëmse ka refuzuar”.
Pastaj vendosi shejhu Fjalën e Allahut:
“Ne ty ta shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.” (Nahl, 89)
Transmeton Nesaiu edhe të tjerët se Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka parë një letër nga Teurati në dorën e Omerit, radijallahu anhu, e i ka thënë: “A je hutuar, o biri i Hatabit? Me të vërtetë ju kam ardhur me këtë Kur’an të bardhë dhe të pastër, po të ishte Musai gjallë dhe do ta pasonit atë, do të kishit devijuar”.
Në një transmetim: “Po të ishte Musai gjallë, do ta kishe pasuar, patjetër të më pasoje mua”.
Omeri radijallahu anhu, tha: “Jam i kënaqur me Allahun për Zot, me Islamin për fe, dhe Muhamedin sal’allahu alejhi we selem, për të dërguar”.
Ky hadith na tregon tekstualisht se nuk i lejohet asnjërit të del jashtë Sherijatit të Muhamedit, sal’allahu alejhi we selem, dhe argumentet për këtë janë të shumta.
Shokët e Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, ishin njerëzit më të dijshëm mbi Allahun subhanehu we teala, me iman më të fortë. Ata nuk dinin diç tjetër jashtë pasimit, madhërimit, respektimit të Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, nuk dinin diç tjetër pos pasimit të dritës së zbritur atij, sepse Allahu subhanehu we teala, i kishte zgjedhur ata që ta shoqërojnë Pejgamberin, sal’allahu alejhi we selem.
Transmeton Ahmedi, Bezzari dhe të tjerë me zinxhir të mirë nga Ibn Mes’udi radijallahu anhu, i cili thotë: “Me të vërtetë Allahu, subhanehu we teala, ka shikuar në zemrat e robërve të Tij dhe gjeti zemrën e Muhammedit, sal’allahu alejhi we selem, zemrën më të mirë, pas tij, zemrat më të mira prej robërve të Tij, i bëri shokë dhe ndihmues të Pejgamberit të Tij, luftojnë për fenë e Tij, atë që muslimanët e shohin të mirë, edhe tek Allahu është e mirë, e atë që e shohin të keqe, edhe tek Allahu është e keqe".
Allahu, subhanehu we teala, ua ka bërë obligim të gjithë njerëzve respektimin e Tij, pastaj ka prej tyre që respektojnë e prej tyre që kundërshtojnë.
Ummeti është ndarë në dy grupe:
1.Ummeti që u përgjigj, ata janë që respektuan dhe pasuan dritën që është me Pejgamberin, sal’allahu alejhi we selem.
2.Ummeti i thirrjes, janë ata që u bënë mendjemëdhenj ndaj respektit. Shejhul Islam Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Ka prej tyre që mendojnë se të larguarit nga Sherijati, duke i respektuar urdhërat dhe ndalesat, është obligim për të derisa mos të arrijë në ndonjë njohuri dhe gjendje (të misticizmit). Ndërsa nëse arrin, atëherë nuk është i obliguar të kapet për Sherijatin e Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, atëherë i takon atij që të ecë pas realitetit të kësaj bote që i është caktuar. Apo të veprojë sipas dëshirave, shijes dhe mendimit të dij duke mos u kapur për Kur’an dhe Sunnet. Ka prej tyre që dënohen duke ua larguar gjendjen që e kanë (në misticizëm) derisa të bëhen të privuar e të dobët, e prej tyre ka që dënohen me largim nga punët e mira derisa të bëhet fasik, ndërsa ka edhe prej atyre që dënohen me largimin e imanit nga ai derisa të bëhen murtedë – munafikë, apo kafirë të hapët”.
Këso lloj njerëzish janë të shumtë dhe shumica prej tyre argumentojnë me ngjarjen e Musait alejhi selam dhe Hidrit.
Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Sa i përket të argumentuarit me ngjarjen e Musait me Hidrin, kjo argumentohet në dy aspekte:
1.Të thonë se Hidri e shihte vullnetin e Allahut që kaplon dhe dëshirën e Allahut në përgjithësi, e mu për këtë nuk u qortua për kundërshtimiin e urdhërit dhe ndalesës së Sherijatit. Kjo është prej mosditurisë dhe devijimit të madh, bile nifakut dhe kufrit të madh.
Nga kjo fjalë nënkuptojmë se ai që e beson kaderin dhe dëshmon se Allahu është Zot i çdo sendi se për këtë nuk ka urdhër as ndalesë.
2.Ka prej tyre që mendojnë se disa prej evliave iu lejohet të dalin nga Sherijati i Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, mu ashtu si iu lejua Hidrit të dalë jashtë pasimit të Musait, alejhi selam, dhe se evliatë nuk ka nevojë që ta pasojnë të dërguarin. Ka shumë prej tyre, vlerësojnë evlija më shumë se Pejgamberi në përgjithësi apo në disa aspekte, duke pretenduar se në ngjarjen e Hidrit kanë argumente.
Të gjitha këto fjalë janë prej injorancës dhe devijimit më të madh, bile kjo është prej nifakut, shtrembërimit dhe kufrit më të madh.
Është e njohur prej fesë islame se mesazhi i Muhamed ibn Abdullahit është për të gjithë njerëzit në përgjithësi, për arabët dhe joarabët, për mbretërit dhe asketët, për dijetarët dhe analfabetët. Dhe kjo do të vazhdojë përgjithmonë deri në Ditën e Gjykimit për gjithë njerëzit dhe xhinët.
Nuk i takon asnjërit prej krijesave të dalë jashtë respektit dhe pasimit të tij, duhet të kapen për atë që ua bën të ligjshme për umetin e tij në fe dhe të pasojnë atë që i urdhëron dhe ndalon prej veprave. Po të ishin pejgamberët e mëposhtëm gjallë, do të ishte e obliguar që ta pasojmë atë”.
Derisa tha, (Ibn Tejmije) Allahu e mëshiroftë: “Bile ka ardhur në hadithe të vërteta se Mesihu, Isai, i biri i Merjemes kur do të zbret prej qiellit do të jetë pasues i Sherijatit të Muhamed ibn Abdullahut. Ky është obligim për pejgamberët që do ta takojnë të respektuarit dhe ndihmuarit, e si është halli i atyre që janë më poshtë se ata. Është e njohur në fenë islame se nuk i lejohet atij që i arrin thirrja e Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, që të pasojë Sherijat të Pejgamberit tjetër, siç janë Musai dhe Isai.
Pra, nuk është e lejuar të dalurit nga Sherijati i Muhamedit, sal’allahu alejhi we selem, në sherijat të pejgamberëve tjerë. E si mund atëherë të lejohet të dalurit nga Sherijati i Muhamedit, sal’allahu alejhi we selem, dhe nga sherijati i pejgamberëve tjerë?!”
Më poshtë, thotë: “Prej pikave që tregon gabimin në të cilin kanë rnën në të argumentuarit me ngjarjen e Musait dhe Hidrit në kundërshtimin e Sherijatit, është se Musai, alejhi selam, nuk ishte i dërguar tek Hidri, e as që Allahu, subhanehu we teala, ia bëri obligim Hidrit pasimin dhe respektin e tij.
Transmetohet në dy sahihet se Hidri i ka thënë Musait: “O Musa, unë e kam një dituri që ma ka mësuar Allahu, të cilën ti nuk e din, ndërsa ti ke një dituri prej diturisë së Allahut, që ta ka mësuar ty, të cilën unë nuk e di”.
Kjo, ngase thirrja e Musait alejhi selam, ishte e veçantë. Transmetohet në sahihe, në më shumë rrugë nga Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, se ai ka thënë për vlerësimin që ia ka dhënë Allahu subhanehu we teala, krahas pejgamberëve tjerë, u dërgonte pejgamber tek populli i vet vetëm, ndërsa unë u dërgova tek njerëit në përgjithësi”.
Thirrja e Muhammedit, sal’allahu alejhi we selem, është e përgjithshme për të gjithë robërit, nuk i takon asnjërit të dal nga pasimi dhe respekti i tij ashtu siç iu lejua Hidrit të del nga pasimi dhe respekti i Musait. Nuk pati nevojë, ngase Allahu e pat mësuar atë.
Nuk i lejohet asnjërit që i takon Islamit, t’i thotë Muhammedit, sal’allahu alejhi we selem: “Unë kam një dituri që ma ka mësuar Allahu prej diturisë së Tij, që ti nuk e din.
Ai që këtë e lejon, apo beson se ndonjërit prej zahidëve, ibadetçinjëve apo tjerëve iu lejohet të dalë jashtë respektit të thirrjes së Muhammedit, sal’allahu alejhi we selem, dhe pasimit të tij, ky njeri është kafir me pajtimin e të gjithë muslimanëve. Argumentet për këtë janë të shumta në Kur’an dhe Sunnet.
Në ngjarjen e Hidrit nuk ka argument për daljen nga Sherijati, mu për këtë atëherë kur ia sqaroi Hidri shkaqet për se i bëri ato vepra, u pajtua me të Musa dhe nuk u përçanë, po të ishte ajo që bëri Hidri në kundërshtim me Sherijatin e Musait, alejhi selam, nuk do të pajtohej me të”. (Fund i citatit të Ibn Tejmijes)
Me këtë na bëhet e qartë se nuk i lejohe asnjërit të pretendon dalje nga Sherijati i Muhammedit, sal’allahu alejhi we selem, ashtu siç pretendojnë ata që e teprojnë në misticizëm (sufizëm) duke komentuar fjalën e Allahut:
“Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja)”. (Hixhr, 99)
Do të thotë dituri dhe njohuri, i lejojnë atij që arrin dituri dhe njohuri të dalë nga Sherijati i Muhammedit, sal’allahu alejhi we selem, dhe pretendojnë se ky njeri nuk ka obligime. Kjo është dalje nga Islami me pajtimin e të gjithë dijetarëve.
Sa mirë thotë Ibn Kajjimi në “Nunijen” e tij: “Kufri nuk është diç tjetër vetëmse inat dhe refuzim i fjalës së Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, për shkak të fjalës së filanit”.
Nëse është kufër refuzimi i asaj me të cilën ka ardhur Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, atëherë si është puna e daljes nga Sherijati i tij në përgjithësi?!
Sulejman el-Ulwan
Teuhid.NET